Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767

    Gjenocid fashizoid shtetëror mbi shqiptarët

    Qerim Lita
    Pozita e shqiptarëve në RS të Maqedonisë 1986-1988 (1)
    Në arsimimin e mesëm orientues në RS të Maqedonisë “mësimin në gjuhën amtare shqipe e përcjellin vetëm 6.986 nxënës, nga gjithsej 76.533 të përfshirë në arsimin fillor ose më pak se çdo i njëmbëdhjeti, që krahasuar me cilindo nacionalitet në Jugosllavi paraqet një përfshirje më e ulët në arsimimin e mesëm.
    Në vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar, çështja e Kosovës, përkatësisht çështja shqiptare nën pushtimin e Federatës së atëhershme socialiste jugosllave mori karakter ndërkombëtar. Duke u mbështetur në burimet relevante arkivore, që dalin nga nomenklatura komuniste maqedonase dhe ajo jugosllave, arrijmë deri te konstatimi se ishin tre faktorë më të rëndësishëm që ndikuan në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare të mbetur më ish-Jugosllavi: 1. Demonstratat shqiptare të zhvilluara në Kosovë gjatë vitit 1981; 2. Vendosja e masave të dhunshme ushtarako-policore në Kosovë menjëherë pas këtyre ngjarjeve, dhe; 3. Diaspora shqiptare që vepronte në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA.
    Masa të egra represive mbi shqiptarët nga federata jugosllave
    Duhet të vihet në dukje, se lufta e ashpër që filloi në Kosovë, në vitin 1981 nga autoritet komuniste të Beogradit, u përhap edhe në viset shqiptare jashtë territorit administrativ të Kosovës, në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi. Në emër, siç thuhej në të gjitha procesverbalet e mbledhjeve të KQ të LKJ dhe LKM: “vëllazërim-bashkimit”, “bashkëjetesës në Kosovë” si dhe të “përmbysjes së nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, organet e sigurimit, qofshin ato federative apo republikane, ndërmorën një sërë masash represive kundër shqiptarëve në përgjithësi, posaçërisht kundër shtresës intelektuale.
    Në Maqedoni masat e para antishqiptare filluan menjëherë pas sjelljes së ashtuquajturës “Platformë politike për Kosovën”, nga ana e KQ të LKJ, në tetor të vitit 1981. Të njëjtat do të zgjerohen në mbledhjen e 13-të të KQ të LKM (29 prill 1983) dhe të 12-të (23 shtator 1987), në të cilat u miratuan programet operative, për luftën e hapur dhe të pa kompromis kundër “arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare”, nën pretekst se në to: “nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar ka ndikim më të fuqishëm i cili shprehet në forma dhe manifestime të ndryshme me implikime ideo-politike tejet negative, posaçërisht te gjenerata e re.”.
    Objektivi i parë i shtetit maqedonas-shkatërrimi i arsimit shqiptar
    Burimet sekrete të KQ të LKM, bëjnë të ditur se midis periudhës 1981-1988, në Maqedoni janë marrë masa ideo-politike ndaj 320 mësimdhënësve shqiptarë, ndërsa 150 prej tyre u larguan nga puna. Paralelisht me diferencimin e mësimdhënësve, autoritetet maqedonase ndërmorën edhe një sërë masash tjera kundër arsimit shqip si: riemërtimin e shkollave shqipe të cilat mbanin emra të figurave të shquara kombëtare shqiptare, tërheqjen nga përdorimi i mase 5.150 librave dhe publikimeve në gjuhën shqipe, përkatësisht 350 tituj nga bibliotekat shkollore, ndërrimi i plan programit mësimor për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe për lëndët: histori, gjuhë dhe letërsi shqipe dhe muzikë, mbyllja paraleleve në gjuhën shqipe nëpër shkollat e mesme profesionale për vitet e treta dhe të katërta gjatë vitit shkollor 1987/88, ndërsa një vit më pas mbyllen tërësisht përfshi këtu edhe paralelet e gjimnazeve (në përjashtim të një numri simbolik në gjimnazet: Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe Dibër) dhe në vend të tyre do të hapen të ashtuquajtura “paralele të përziera”, ku mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase.
    Një situatë edhe më e palakmueshme u krijua në arsimin e lartë, ku nga 2.365 student shqiptarë sa kishte në vitin 1980 nëpër fakultetet e ndryshme në Universitetin e Shkupit, ky numër gjatë vitit akademik 1987/88 bjerë në 1.264. Duhet të kihet parasysh fakti se numri më i madh i tyre studionin në Akademinë Pedagogjike dhe në Katedrën e Albanologjisë.
    Si rrjedhojë e politikës së skajshme represive ndaj arsimit shqip nga autoritetet e Shkupit, në fillim të vitit shkollor 1987/88 mbi 350 nxënës shqiptarë të përfshirë në pesë shkolla të mesme (Kumanovë, Tetovë dhe Gostivar) e bojkotuan mësimin për shkak se mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase. Rreth këtyre ngjarjeve, Kryesia e KQ i LKM, fajësonte mësimdhënësit shqiptarë, sipas së cilës: “Bojkoti i mësimit në këto shkolla është iniciuar nga pozicioni i nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar, që në radhë të parë u prijnë arsimtarët të kombësisë shqiptare dhe një pjesë e nxënësve të indoktrinuar, që të orienton në nevojën e një diferencimi më të guximshëm ideo-politik..”
    Sllavizimi i shkollës, i emërtimeve të vendbanimeve, i emrave personal...
    Mirëpo ndaj këtij vlerësimi ashpër reagon Kryesia e Komitetit Krahinor e LK të Kosovës, e cila me 2 shkurt të vitit 1988 nëpërmjet një letre i drejtohet Kryesisë së KQ të LKM, në të cilën vihej në pah se në arsimimin e mesëm orientues në RS të Maqedonisë “mësimin në gjuhën amtare shqipe e përcjellin vetëm 6.986 nxënës, nga gjithsej 76.533 të përfshirë në arsimin fillor ose më pak se çdo i njëmbëdhjeti, që krahasuar me cilindo nacionalitet në Jugosllavi paraqet një përfshirje më e ulët në arsimimin e mesëm orientues.” Më pas në të thuhej se: “Në viset e përziera nacionale tash më po implementohet praktika e krijimit të paraleleve të përziera me mësim në gjuhën maqedonase, ku nxënësve të kombësive ju mundësohet mësimi i lëndës së gjuhës amtare, mirëpo ka tendenca që të ndërpritet gjuha shqipe në këtë nivel.”
    Një politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve në RS të Maqedonisë, sipas drejtuesve partiak të Kosovës, po zbatohet edhe në arsimin e lartë: “ku në vitin shkollor 1980/81 në RS të Maqedonisë ishin përfshirë 2.365 studentë (1.175 në Akademinë Pedagogjike dhe 313 në Fakultetin Filologjik në Shkup), në vend të rritjes në përputhje me rritjen e numrit të nxënësve, numri i studentëve ka përjetuar rramje drastike, kështu që gjatë vitit shkollor 1985/86 ky numër ka ra në 1.300.” Më tej në letër thuhej se hapja e paraleleve të përziera, në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, i ka irrituar nxënësit shqiptar, të cilët në shenjë revolte e kanë bojkotuar mësimin, siç është rasti i “66 nxënësve në Kumanovë” dhe “124 në Gostivar”, që autoritetet maqedonase, të njëjtat i “vlerësuan si veprimtari armiqësore nacionaliste dhe separatiste shqiptaro-madhe.”
    Masa të tilla do të ndërmerren edhe në fushat tjera, si: ndryshimi i toponimeve të vendbanimeve (me të cilët ndryshime shqiptarët ishin të detyruar ti përdorin emrat e qyteteve me toponime sllave si p.sh. Shkupit-Skopje, Dibrës-Debar, Kërçovës-Kiçevo, Manastirit-Bitolla etj); rrënimi i murrave të oborreve të shtëpive shqiptare, vendimi për rrënimin e lagjeve të tëra shqiptare siç ishte rasti me lagjen Dyzhon në Shkup, me pretekst se janë lagje të egra; Rezoluta e aprovuar nga Kuvendi republikan për politikën e krijimit të familjes, me të cilën një familjeje shqiptare ju ndalohej të ketë më shumë se tre fëmijë; Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për emrin personal, me çka prindërve shqiptarë ju ndalohej ti emërtojnë fëmijët e tyre me emra që kanë karakter dhe domethënie nacionale shqiptare (Kushtrim, Liridon, Kastriot, Arbëresha, Alban, Albana, Valon, Shkodran etj), etj. (vijon)






    Në viset e përziera nacionale implementohet krijimi i paraleleve të përziera me mësim në gjuhën maqedonase, ku nxënësve të kombësive ju mundësohet mësimi i lëndës së gjuhës amtare, mirëpo ka tendenca që të ndërpritet gjuha shqipe në këtë nivel.” Masa të tilla do të ndërmerren edhe në fushat tjera, si: ndryshimi i toponimeve, shqiptarët ishin të detyruar ti përdorin emrat e qyteteve me toponime sllave si p.sh. Shkupit-Skopje, Dibrës-Debar, Kërçovës-Kiçevo, Manastirit-Bitolla etj); rrënimi i mureve të oborreve të shtëpive shqiptare, vendimi për rrënimin e lagjeve të tëra shqiptare.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Nataliteti i shqiptarëve tmerronte shtetin maqedonas
    Qerim Lita
    Pozita e shqiptarëve në RS të Maqedonisë 1986-1988 (2)
    Terrorizimi i shqiptarëve nga ana e organeve shtetërore rritet në vitet 1987-1988. Këtij terrori i parapriu Analiza e Komitetit për “Mbrojtje Popullore” hartuar në maj të vitit 1987, në të cilën vihet në pah se “rreziku potencial për Maqedoninë është nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar”
    Të gjitha këto akte dhe nënakte ligjore si dhe vendime tjera që u sollën gjatë kësaj periudhe kohore për qëllim patën ndërprerjen me çdo kusht të shtimit natyror, përkatësisht zvogëlimin e natalitetit te popullsia shqiptare. Sipas të dhënave statistikore të papublikuara deri më sot, kuptojmë se brenda periudhës 1981-1986, në Maqedoni shtimi natyrore te shqiptarët arrinte shifrën 47.966 banorë, ose shprehur në përqindje 33.3%, ndërsa te maqedonasit 71.727 banorë ose 49.8%.
    UDB-a filloi burgosjen e veprimtarëve shqiptarë
    Lufta e ashpër që u ndërmor nga autoritetet komuniste maqedonase, fillimisht kundër arsimit dhe kulturës shqiptare, që siç u tha, gjatë viteve 1986-1988 do të zgjerohet edhe në fushat tjera të sipërpërmendura e shtynë inteligjencën e atëhershme shqiptare të veproj ilegalisht. Shërbimi sekret maqedonas, nëpërmjet shkresave tepër të besueshme njoftonte KQ të LKM, për ekzistimin e disa organizatave ilegale shqiptare, të cilat për një periudhë relativisht të shkurtë kanë arrit ta shtrinë veprimtarinë e tyre siç thuhet “armiqësore” në më shumë rrethe dhe mjedise shqiptare, duke i “përfituar disa nxënës, studentë, arsimtarë dhe persona të tjerë.” Si drejtues të këtyre organizatave, sipas UDB-së maqedonase, paraqiten kryesisht: “persona të dënuar më herët për veprimtari armiqësore, lidhjet e tyre familjare dhe miqësore, persona që rrjedhin nga familjet balliste ose kanë lidhje të përbashkëta me një pjesë të emigracionit dhe me të shpërngulurit (në Turqi – Q.L.).” Për rrjedhojë, gjatë kësaj periudhe kohore në Maqedoni u burgosën një numër i madh i veprimtarëve të dalluar shqiptarë, të cilët morën dënime të rënda nën akuzën se “kanë zhvilluar veprimtari armiqësore nga pozita e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar.”
    Terrorizimi i shqiptarëve nga ana e organeve shtetërore veçmas do të vijë në shprehje gjatë viteve 1987-1988. Këtij terrori i parapriu Analiza e Komitetit për “Mbrojtje Popullore” (më tej KMP) e hartuar në maj të vitit 1987, në të cilën përshkruhet gjendja e sigurisë në vend. Në të përveç tjerash vihet në pah se rreziku potencial për Maqedoninë është “nacionalizmi dhe separatizmi shqiptar”, i cili në kohë të fundit po vepron me një “strategji globale shqiptaromadhe, në radhë të parë në planin e acarimit apo thellimin e marrëdhënieve të acaruara ndërnacionale në mjediset me popullsi të përzier e më gjerë.”
    Aktivitete armiqësore u shpallën edhe dasmat dhe këngët e këngëtarëve nga Kosova
    Format më të reja “të aktiviteteve të kombësisë shqiptare janë vizitat e grupeve muzikore dhe të individëve nga KAS e Kosovës nëpër ahengje familjare tek qytetarët të kombësisë shqiptare nëpër komunat e pjesës perëndimore të Republikës ose nëpër objekte hoteliere. Në këto raste këndohen këngë me përmbajtje nacionaliste, që përcjellën me një eufori të pazakonshëm nga të pranishmit.” Një problem tjetër për KMP, paraqitet “tendenca e pavolitshme të lëvizjeve demografike, veçmas shtimi i lartë i popullsisë të kombësisë shqiptare”, që “krijojnë probleme të shumta ekonomike, sociale, komunale si dhe probleme të aspektit të sigurisë.” “Gjendjen e tillë” thuhet më tej në analizë “e shfrytëzojnë nacionalistët shqiptarë gjatë aktiviteteve të tyre propaganduese, ndërsa në anën tjetër të njëjtat shprehen edhe si një dukuri që i përshtatet nacionalizmit shqiptar.”
    Më tej në analizë përshkruhet gjendja e përgjithshme e pavolitshme ekonomike por edhe politike në Shqipëri, që siç vihet në dukje: “objektivisht kërkohet, ndërsa në përmasa të caktuara edhe kontribuon për ndryshime në shoqërinë shqiptare” me çka “krijohet pasiguria e zhvillimeve të ngjarjeve në këtë shtet.” “E gjithë kjo, si dhe orientimi shqiptarë ndaj Jugosllavisë, tek fuqitë dhe blloqet botërore në kohë të fundit e zgjeron interesin dhe përpjekjen për ndikim dhe prezencë në hapësirën shqiptare”, thuhet në vazhdim të analizës për të shtuar: “Kjo edhe më tepër e ndërlikon zhvillimin eventual të gjendjes në këtë shtet dhe krijon parashikime, nëse kushtet ndërkombëtare dhe sjellja e udhëheqjes shqiptare këtë e mundëson, edhe për përzierjen e faktorit jashtë blloqeve në hapësirën e fqiut tonë, që gjithsesi mund të ndikoj edhe në pozitën tonë të përgjithshme politike dhe të sigurisë.”
    Shpallja e “organizatave terroriste” nga UDB-ja
    Në fund ta analizës sekrete të UDB-së të përmënduar më lartë (ДАРМ.1.427.515.16/300-331, СТРОГО ДОВЕРЛИВО, ЕВ. БР. 41, АНАЛИЗА ), në fund të analizës së saj jepen dhjetë shtojca në të cilat ofrohen të dhëna statistikore për numrin e organizatave ilegale shqiptare të zbuluara nga organet e sigurimit maqedonas, pastaj për numrin e të burgosurve: “...V. Partia Popullore e Punës, numëronte 19 anëtarë, prej tyre 5 persona janë përgjigjur penalisht. Në Tetovë e njohur si grupi “SHPELLA”, penalisht janë dënuar: Rahim Neziri nga Shipkovica, Zaim Beqiri nga Shipkovica, Shaban Limani nga Sellca, Esad Abdyrrahmani nga Sellca dhe Daim Shabani nga Liseci... KUSHTRIMI I LIRISË, përfshiu 77 persona, prej tyre 17 janë përgjigjur penalisht, ndërsa nga ata 6 janë nga Tetova: Rafi Halili nga Gajrja, Vebi Zeqiri nga Shipkovica, Bukurie Halili nga Sellca, Hireme Halili nga Gajrja.... GRUPI ARMIQËSOR, i zbuluar dhe i dënuar në vitin 1982. Katër nga anëtarët e sajë janë përgjigjur penalisht. Tre nga ata janë nga Tetova: Nagip Memeti nga Reçica e Madhe, Xhevat Xhemaili nga Vica dhe Resi Abdyrrahmani nga Sellca.... MARKSISTËT-LENINISTËT TË KOSOVËS, gjatë viteve 1985-1986 kanë formuar komitet të qarkut në Tetovë. Organizatën armiqësore e përbënin persona nga territori i KAS të Kosovës dhe RS të Maqedonisë. Nga Tetova penalisht janë përgjigjur: Fatmir Ibraimi nga Tetova, Bilall Sherifi nga Tetova dhe Afrim Ibraimi nga Tetova”.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Strategjia shtetërore për shkatërrimin e mërgatës shqiptare
    Qerim Lita
    Pozita e shqiptarëve në RS të Maqedonisë 1986-1988
    Shërbimi sekret komunist maqedonas, më 15 qershor 1987, dërgon një informatë shumë sekrete Kryesisë së KQ të LKJ-së së Maqedonisë, në të cilën përshkruhet veprimtaria siç thuhet në të “armiqësore e qytetarëve të RS të Maqedonisë, të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme në shtetet e Evropës Perëndimore”, dhe masat që duhet ndërmarrë.
    Një kaptinë të veçantë KMP, i kushton veprimtarisë politike e organizative të diasporës shqiptare në perëndim në të cilën veç tjerash thuhet: “Emigracioni armiqësorë nga RS e Maqedonisë vazhdon me intensitet të pa zvogëluar e të vepruarit, duke u përpjekur të ndikoj në mesin e qytetarëve tanë me punë të përkohshme jashtë dhe në diasporën, ndërsa pjesa më e madhe vepron për llogari të fuqive reaksionare ndërkombëtare, duke u përpjekur që aktivitetet ti përcjellë edhe këtu.
    “Në mënyrë komplekse të përcaktohet politika demografike e popullsisë”
    Në kushtet e tanishme më së shumti shprehet aktiviteti i organizatës armiqësore “Lëvizja popullore për republikën shqiptare në Jugosllavi”. Duke u futur në hollësi rreth aktiviteteve të organizatës së sipërpërmendur, në analizë thuhet se ato kryesisht zhvillohen në: “propagandën subversive kundër RSFJ, lidhjen me nacionalistët dhe separatistët shqiptarë në vend, marrjen e aktiviteteve terroriste dhe aktivitete tjera ekstreme, si dhe futja dhe sundimi me klubet dhe shoqëritë e punëtorëve tanë të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme jashtë.”
    Mbështetur në të dhënat e KMP, Kryesia e KQ të LKM në mbledhjen e sajë të 43, solli disa vendime për aktivitetin e mëtejshëm ideo-politik të organeve partiake dhe shtetërore, disa prej të cilave po i paraqesim në vazhdim:
    “Është e patjetërsueshme që në mënyrë konkrete dhe komplekse të përcaktohet politika demografike e popullsisë;
    Nacionalistët dhe separatistët shqiptarë nga KAS e Kosovës në bashkëpunim me RSP të Shqipërisë dhe nacionalistët e separatistët shqiptarë në RS të Maqedonisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë përpiqen ta diskualifikojnë aksionin politik të LKM dhe forcave subjektive, me qëllim që të fshehët gjendja në Kosovë, ndërsa në anën tjetër të vazhdojë zgjerimi i mëtejshëm i nacionalizmit shqiptar në RS të Maqedonisë;
    Duhet që në mënyrë efikase të mënjanohen dobësitë e dukshme e të shumta të aktivitetit tonë politikë ndërkombëtarë, si në realizimin e marrëdhënieve bilaterale me RSP të Shqipërisë, ashtu edhe në planin më të gjerë ndërkombëtarë, në sferën e propagandës politike ndërkombëtare e në mënyrë të veçantë në mesin e punëtorëve të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme jashtë shtetit.”
    Në përputhje me qëndrimet e mësipërme të Kryesisë së KQ të LKM, shërbimi sekret komunist maqedonas, më 15 qershor 1987, dërgon një informatë shumë sekrete Kryesisë së sipërpërmendur, në të cilën përshkruhet veprimtaria siç thuhet në të “armiqësore e qytetarëve të RS të Maqedonisë, të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme në shtetet e Evropës Perëndimore.” Në informatë veç tjerash vihet në pah se: “Pjesa ekstreme e emigracionit shqiptarë duke e shfrytëzuar mbështetjen e RSP të Shqipërisë dhe të disa organeve shtetërore dhe organizatave politike të shtetit nikoqir, ndërmerr aksione propagandistike (tubime, demonstrata), duke u përpjekur ta internacionalizojë “çështjen e Kosovës”, dhe për këtë qëllim të përfitojnë e tërheqin në aktivitete (duke shpërndarë material propagandues etj) edhe përfaqësuesit e kombësisë shqiptare nga Republika jonë me punë të përkohshme jashtë shtetit”.
    Në mërgatën shqiptare UDB-ja infiltron spiunët e vet
    Për të pas një qasje sa më të madhe dhe për të futur elementet e tyre brenda organizatave shqiptare që vepronin në shtetet e Evropës Perëndimore, Kryesia e KQ të LKM, gjatë vitit 1985, kishte hartuar një “Plan Operativ”, për veprim kundër aktiviteteve politike të diasporës shqiptare në Perëndim. Njëkohësisht, plane të tilla ishin hartuar edhe në kuadër të KQ të LKJ, KQ të LK të Serbisë, KK të LKK dhe KQ të LKMZ. Me 28 janar 1986, në Shkup, do të mbahet një mbledhje sekrete, me temën: ““Disa çështje aktuale në lidhje me gjendjen politike e të sigurisë dhe vetorganizimi shoqëror i qytetarëve tanë me punë të përkohshme jashtë vendit”, ku krahas hierarkisë më të lartë të shërbimit sekret maqedonas do të marrin pjesë edhe kryetari dhe sekretari i shërbimit sekret të Kosovës. Në mbledhje, siç informohemi nga dokumentacioni sekret i KKQ të LKM, ishte përpiluar një material, dhe ai do të shfrytëzohej, siç thuhet: “për përpunimin e programit operativ për aktivitete politiko-shoqërore të subjekteve nga KAS e Kosovës, RS të Maqedonisë, RS të Serbisë dhe RS të Malit të Zi si dhe organet e organizatat të Federatës ndaj qytetarëve tanë të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme jashtë, i miratuar nga të besuarit e KKQ të LKJ me 25 maj 1986.”
    Për një realizim sa më të suksesshëm të “Planit Operativ” për vitin 1987, në lidhje me luftën antishqiptare, me 11 dhjetor të vitit 1986 në Shkup ishte mbajt edhe një mbledhje tjetër ndërmjet kryetarëve e të besuarve të KQ të LKM dhe KK të LK të Kosovës si dhe të këshillave koordinues të KR të LSPPM (Këshillit Republikan të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Maqedonisë) dhe KK të LSPPK (Këshillit Krahinor të Lidhjes Socialiste të Popullit Punues të Kosovës), në të cilën është: “biseduar për realizimin konkret të pjesës së programit Operativ sa i përket mundësisë së aksionit të përbashkët në vitin 1987.” Gjatë shqyrtimit të kësaj problematike është konstatuar se “në kohën e mëparshme komunikimin me qytetarët shqiptarë të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme jashtë i realizonin thuajse vetëm organet e organizatat nga KAS e Kosovës, që në njërën anë paraqet barrë për ta, ndërsa në anën tjetër u tregua e dëmshme për shkak mungesës së republikës amë. Kjo i takon komunikimit me klubet dhe shoqëritë; dërgimi i literaturës, video-kaseta, material propagandues; përfaqësimi i kuadrove të PKSH (Përfaqësitë Konsullore Shtetërore-Q.L.); vizitë deri te punëtorët politik-shoqëror që veprojnë jashtë etj.” Andaj, që të tejkalohen dobësitë e deriatëhershme, palët do të arrijnë marrëveshje si më poshtë:“1. Bashkërisht të vizitohen klubet e kombësisë shqiptare në të cilët marrin pjesë qytetarë nga RSM dhe KASK në këto shtete-qytete; 1) RF e Gjermanisë – Hamburg dhe Berlinin Perëndimor; 2) Zvicër – Cyrih, Gjenevë, Bernë; 3) Suedi e Danimarkë – Stokholm, Malmë, Goteborg, Kopenhagë; 4) Francë e Belgjikë – Paris, Bruksel, Lion. Grupet do të përbëhen nga një përfaqësues prej RSM dhe një prej KASK.
    2. U konstatua se në shtetet ku jetojnë qytetarët e RSFJ të kombësisë shqiptare, nëpër PKSH nuk janë të përfaqësuar sa duhet kuadrot të kombësisë shqiptare, posaçërisht nga RSM. Do të duhej që nëpërmjet organeve adekuate të kërkohet përfaqësimi më i madh. Paraprakisht do të duhej t’u mundësohej mësimi i gjuhëve të huaja, që të mund të përshtaten në kriteret e LSPP.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •