PRISHTINE- Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Zgjim Hyseni, Valdrin Ahmeti dhe Nol Nushi, janë arrestuar të premten pasdite nga policia, pasi shkruanin në bilbordët e PDK-së dhe liderit të kësaj partie, Hashim Thaçit, parullat “hajn”, “vjedhës” dhe “së pari ta vjedhim Kosovën”.
“Sot, më 17 dhjetor, në orët e pasdites aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! ndërmorën një aksion, me qëllim të demaskimit të plotë të partisë në pushtet dhe liderit të saj në procesin zgjedhor të së dielës, me ç’rast janë shkruar parullat ‘hajn’, ‘vjedhës’ dhe ‘së pari ta vjedhim Kosovën’, në billbordat e PDK-së dhe Hashim Thacit, nëpër qytet”, thuhet në një njoftim të kësaj lëvizje.
“Në aksion e sipër, në orën 16:20, tek fontana në lagjen Ulpiana, njësitë e Policisë së Kosovës kanë ndërhyrë dhunshëm kundër aktivistëve duke përdorur gas lotsjellës dhe dhunë fizike ndaj tyre”.
“Në orën 16:45 policia gjithashtu konfiskoi edhe furgonin e Lëvizjes Vetëvendosje! Lëvizja Vetëvendosje! e dënon dhunën e përdorur ndaj aktivistëve nga ana e policisë dhe intervenimin policor e cilëson si shërbim ndaj atyre që në të vërtetë e kanë thyer ligjin duke manipuluar me votën e popullit” vijon me tej deklarata.
(e.n/BalkanWeb)
Te cekim se......
Kosovë, rivotim në 5 komuna, u konstatuan parregullsi
PRISHTINË- Në Skenderaj, Drenas, Malishevë, Deçan dhe Lipjan do të votohet sërish.Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka konstatuar parregullsi në këto komuna në zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe ka urdhëruar KQZ’në që të organizojë sërish zgjedhje në këto komuna, deklarojnë mediat kosovare
PZAP-i ka urdhëruar KQZ-në që të shkohet në rivotim në 12 qendra votimi në Skenderaj, 5 në Drenas, 1 në Malishevë, 2 në Deçan dhe 1 qendër votimi në Lipjan, njoftojnë mediat kosovare.
Arsyet, sipas PZAP-it, janë se gjatë procesit të votimit të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, ka pasur parregullsi dhe si i tillë, procesi i votimit në këto qendra nuk mund të konsiderohet i vlefshëm. PZAP po ashtu ka urdhëruar KQZ-në të bëjë ndërrimin e komisionerëve të qendrave të votimit dhe të shtojë mbikëqyrjen e procesit të rivotimit.
Ankesat ndaj këtyre vendimeve mund të dërgohen në Gjykatën e Lartë, e cila merr vendimin përfundimtar.
Krijoni Kontakt