Prishtinë, 17 dhjetor - Zgjedhjet e 12 dhjetorit përpos që janë përshkruar me parregullsi të shumta dhe me akuza ndërmjet partive për vjedhje të votave, ato kanë ndezur edhe një “luftë” brenda-partiake në lidhje me atë se kush do të marrë sa më shumë vota për tu bërë pjesë e legjislaturës së ardhshme.
PDK, AKR e AAK gjenden në “kaos” të brendshëm partiak, shkaku i numërimit jo të rregullt të votave për deputetë, sa që disa anëtarë të tyre kanë kërcënuar edhe me dorëheqje, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Burime të kësaj gazete brenda AAK-së kanë bërë të ditur se tashmë anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Avni Arifi, i cili ka qenë edhe kandidat për deputet, në shenjë pakënaqësie “me dallaveret që janë bërë nga partia se kush të votohet për deputet e kush jo”, ka ofruar dorëheqje.
Situata hiq më e mirë nuk është as në Partinë Demokratike të Kosovës dhe as në Aleancën Kosova e Re.
Përfaqësues të partive akuzojnë komisionarët e zgjedhjeve për manipulime. Sipas tyre, ata as që i kanë numëruar votat për deputetë, por vetëm kanë shënuar numrat e atyre që kanë qenë të porositur të fitojnë.
Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli ka thënë se votat e kandidatëve për deputetë nuk janë të sakta as për 50 për qind, për shkak të manipulimeve të komisionarëve.
Burime të gazetës kanë marrë vesh se ka pasur akuza ndërmjet Ibrahim Makollit, Vegim Gashit dhe Mimoza Kusarit për vjedhje të votave të njëri tjetrit.
Gjendja aspak më e mirë nuk është as në Partinë Demokratike të Kosovës. Disa nga kandidatët që menjëherë pas zgjedhjeve thuajse kishin siguruar ulëset në Kuvend, tanimë thuhet se e kanë në pikëpyetje mandatin e përfaqësuesit të popullit, për shkak siç thuhet dallavereve brendapartiake. Madje, disa prej tyre mund të mbesin edhe jashtë për shkak të përsëritjes së votimit në Drenas, Skenderaj e Deçan.
Jo mirë situata, vlerësohet të jetë edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Krijoni Kontakt