Konfindustria Kuvendit: Shihni ndërprerjet e energjisë

I kërkon ta shqyrtojë zyrtarisht këtë problem e të mbështesë ERE-në për hartimin e kontratave të reja

Cilësia e dobët e energjisë elektrike, është kthyer në një problem serioz për bizneset dhe për qytetarët.

Një problem i tillë ka shkaktuar shqetësimin dhe të industrialistëve shqiptarë.

Konfindustria i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë që të shqyrtojë këtë problem dhe të mbështesë Entin Rregullator të Energjisë për hartimin e kontratave të reja.

Ata kanë kërkuar që të shqyrtohet gjendja e vështirë e cilësisë së furnizimit me energji elektrike të bizneseve dhe qytetarëve nga “CEZ Shpërndarje”.

Konfindustria ka parashtruar në kërkesën e saj, që Kuvendi të mbështesë Entin Rregullator të Energjisë, si institucion nën varësinë e tij, për përmirësimin e domosdoshëm dhe sa më të shpejtë të Kontratave të Furnizimit me Energji Elektrike.

“Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërhyje menjëherë dhe pa dallim ngjyrash partiake në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike, sepse ekonomia kombëtare po ndjen gjithnjë e më shumë pasojat e dëmshme të ardhura nga furnizimi me cilësi tepër të dobët të energjisë elektrike”, thekson Konfindustria në një deklaratë për shtyp.

Ndërkaq, konfederata e industrialistëve ka llogaritur, që vetëm në 8 sektorë industrialë në hapësirën kohore të vetëm 10-mujorit të vitit 2010, dëmi financiar nga cilësia e furnizimit me energji elektrike nga “CEZ Shpërndarje” është mbi 23 milion euro.

Sipas saj, në shkallë kombëtare dëmi ekonomik është disa herë më i lartë.

Në këto kushte, Konfindustria kërkon nga përfaqësuesit e parlamentit që të nxiten hartimi i kontratave të reja, që do të përfshijë më shumë të drejta për konsumatorët.

ABC