SHEKULLI, 18/12/201
Arka e "shpuar" e Noes!
ARTAN XH. DUKA PROF. AS. DR.
Kriza e fundit e mbijetesës së një rrethi të tërë është episodi i radhës i krizës së mbarë shoqërisë që prej kohësh nuk qeveriset si duhet duke dëshmuar pasojat, deri ekstreme, të joprofesionalizmit të mazhorancës në parandalimin, amortizimin dhe administrimin e emergjencave civile.
"Mëkati" njerëzor dhe "ndëshkimi" hyjnor!
Sot është momenti për të ndihmuar dhe lehtësuar koston e rikthimit në normalitet të zonave të prekura, ndërkohë që nesër vjen radha e përgjegjësive teksa përtej forcës madhore, apo "vullnetit të perëndisë", kjo katastrofë mbetet në thelb njerëzore e në radhë të parë qeveritare.
Rajoni i Shkodrës është përmbytur më shumë se një herë brenda të njëjtit vit duke dëshmuar mosseriozitetin dhe indiferencën fatale qeveritare për vijimësinë e fateve njerëzore.
Nëse "vepër" e Perëndisë, dikush duhet të marrë përsipër të shpjegojë cili është "mëkati" që të shlyhet këtë qamet e se cila është garancia se ia vlen të "luftosh" me projekte mbrojtëse ndërkohë që, përkundër këtij fataliteti, njeriu gjithnjë e ka "zbutur" perëndinë ndaj të fajësosh këtë të fundit për "mëkatin" njerëzor përbën alibinë e radhës të kësaj qeverie që me cinizëm dhe arrogancë qyrkun e fajit për gjithçka ia var gjithkujt përveç vetes.
Absurdi i "hyjnores" sfumohet me rikonfirmimin po prej kësaj qeverie me projektet rreth Bunës e të tjera që dëshmojnë se ishin mosveprimet e saj që nuk e parandaluan këtë tragjedinë dhe në skenën e "krimit" natyror nuk gjenden veçse gjurmët e "gishtërinjve" të saj.
Solidaritet dhe përgjegjësi!
Ajo çka vërehet në këtë dramë njerëzore është administrimi kryesisht nga "lart" i fushatës sensibilizuese për ndihmë, ndërkohë që faktorët e tjerë nuk janë sa duhet prezent në vëmendjen e publikut. Solidariteti njerëzor, jo rrallë përgojuar si reminishencë socialiste, mbetet gjest fisnik dhe sfida mbetet materializimi sa më efektiv për njerëzit në nevojë.
Krahas kanaleve qeveritare, jo rrallë të kritikuara më parë për mungesën e neutralitetit, burokracinë dhe efektshmërinë e tyre, të dobishme janë dhe kanalet alternative si OJQ, formacionet politike, media, individë etj.
Publiku ka nevojë për akses për lëvrimin e fondeve dhe ndihmave por ai shpesh mungon apo nuk është i dukshëm sa duhet. Rasti i Shkodrës le të përbëjë precedentin e një standardi të ri të sensibilitetit njerëzor dhe shoqëror ndaj atyre në nevojë, sepse Shqipëria është e mbushur me fate të dhimbshme që presin ende dorën e shtrirë.
Përtej solidaritetit, performanca e fondeve dhe e mjeteve shtetërore për të përballuar situatën dëshmon si pamjaftueshmërinë ashtu dhe administrimin e mangët të fondeve të emergjencave për të cilat taksapaguesit kanë kontribuar rregullisht ndaj dhe presin vendimmarrje efektive dhe profesionalizëm në përballimin e këtyre situatave.
Shfaqjet e çorganizimit, spontanitetit apo amatorizmit që vërehen nuk lënë vend për optimizëm në një vend ku emergjencat janë shndërruar në kronikë. Përgjegjësia qeveritare, ndërkohë shkon përtej harkut të një viti me lejimin e ndërtimit të shtëpive vend e pa vend në zona potencialisht të rrezikshme.
Kjo "bingo" me fatet njerëzore, përtej mungesës së largpamësisë, shpreh dhe cinizëm qeveritar që për një zonë bastion të saj, lejoi apo mikloi për hir të interesave të ngushta elektorale, iniciativën e lëvizjes pa kriter në emër të një shansi në jetë duke mos paralajmëruar dhe ndaluar në emër të shenjtërisë së jetës dhe pronës aq të kërcënuara sot.
Kriza të këtyre përmasave me implikime serioze në jetën e qytetarëve dëshmojnë nevojën për balancimin e politikave të djathta dhe të majta në shoqëri për të krijuar përmes politikave të drejta të taksave fondet e strukturat e nevojshme për përballimin e emergjencave jo në emër të interesave elektorale, por të respektimit të jetës dhe pronës së çdo qytetari që askush të mos ndjehet i braktisur në vendin e tij.
Sfida e sigurimit të pronës
Ndonëse atribut i sektorit privat dhe zgjedhjes së individit, sektori i sigurimeve ishte një tjetër dështim që kjo fatkeqësi evidentoi përballë një shteti indiferent. Ndërkohë që nuk mund të imponojë lidhjen e kontratave të sigurimit si në rastin e automjeteve, shteti duhet të bënte me shumë për legalizimin në kohë të pasurisë dhe sensibilizimin e shtëpiakëve për rreziqet eventuale sepse sot është pikërisht ai që me paratë e taksapaguesve do të rehabilitojë këta të fundit duke krijuar precedentë absurde për një shtet anëtar të NATO, ndërkohë që realiteti ka dëshmuar rëndom braktisje shtetërore jo vetëm për prona të veçanta, apo individë të veçuar fatkeq, por dhe për shtresa të tëra të popullsisë si të pastrehët në shtëpitë e pronarëve, të mashtruarit në firmat piramidale, fshatra që zhduken prej rrëshqitjeve të tokës, qytetarët që paguajnë fatura abuzive, pensionistë me pensione lëmoshë, komunitete rome të margjinalizuara etj.
Mbijetesë dhe reflektim
Shkodra ka nevojë për vëmendje dhe respekt për të mos u vënë më kurrë në këtë pozicion kaq të vështirë për këta njerëz kaq krenar.
Rrogat e funksionarëve të lartë nuk mund të zhbëjnë përgjegjësinë ndaj tragjedisë dhe nëse duan vërtet të ndihmojnë të fillojnë me një ndjesë për daljen e situatës jashtë kontrollit dhe më tej ofruar pasuri reale që mund të disponojnë përpara se të prekin në sedër dhe monopolizojnë vullnetin dhe ndjenjat e të tjerëve që duan të kontribuojnë në mënyrën, kohën dhe kanalin e zgjedhur prej tyre.
Nëse përgjegjësia ka emër ajo duhet të pasohet me kosto politike, penale dhe civile duke zhdëmtuar moralisht dhe materialisht qytetarët që besojnë tek përgjegjshmëria dhe ndjeshmëria e shtetit të tyre.
Shkodra ka nevojë mbi të gjitha për zotimin solemn se përmbytja për neglizhim njerëzor nuk do të ndodhë më. Zgjidhjet e mira janë afatgjata dhe duhet të ndërmerren së toku ndaj injorimi absurd i propozimeve të opozitës nuk është sinjali duhur për Shkodrën dhe nuk dëshmon ndjesinë e duhur të qeverisë që dhe në dështimin e saj refuzon me arrogancë dorën e shtrirë duke vënë përtej interesave të shoqërisë ato elektorale të saj.
Paskëtaj, Shkodra nuk mund të jetë e njëjta përsëri.
Papërgjegjshmëria nuk duhet të përsëritet më dhe përgjegjësia duhet të meritohet. Qytetaria shkodrane duhet ta thotë fjalën e vet për hir të së ardhmes së saj dhe çrrënjosjes së makthit të rikthimit të përmbytjeve.
Ndonëse për dy dekada voton në shumicë të djathtën, e cila "nusëron" vazhdimisht pavarësisht se konteksti politik nuk është ai i paraviteve '90 dhe rotacioni në demokraci është rutinë, kosto oportune e zgjedhjes së saj kësaj radhe tejkaloi çdo cak. Shkodra meriton më mirë dhe më shpejt.
Hapja ndaj alternativës politike dhe ndryshimi është progres dhe emancipim demokratik, ndaj të cilit Shkodra është tepër e ndjeshme. Ndryshim nuk do të thotë domosdoshmërisht "konvertim" automatik drejt alternativës, por sprovimin me standarde akoma më të larta të mbarë forcave politike, duke mos i dhënë askujt avantazhin e mosdyshimit.
Përpara përkushtimit të "verbër" partiak qëndron besnikëria ndaj vetvetes dhe interesave të familjes, shenjtërinë e të cilave shkodranët e dinë sot më mirë se kurrë më parë.
Në këtë prag Krishtlindjeje dhe kapërcimit të viteve, kjo është vërtet ora e dhimbjes së Shkodrës që përjetohet në mbarë vendin, por është dhe ora e sprovës së saj për të rikonfirmuar qetësinë, besimin, maturitetin, dinjitetin, optimizmin dhe dashurinë për jetën në emër të një nesërme më të sigurt.
Krijoni Kontakt