Pa hezitim dhe druajtje mund të deklaroj se ju jeni ambasadorët më të mirë, pasi përfaqësoni atë komunitet që mbart vlerat më të mira dhe më të avancuara të qytetarisë shqiptare"
LONDER/ Kastriot Robo, intelektualëve të mërguar: Ju jeni ambasadorët më të mirë
"Imazh i ri për Shqipërinë"
Ambasadori shqiptar takon intelektualët
Nga Londra Muhamed VELIU
Të gjithë së bashku të përpiqemi ta vëmë në vend figurën e shqiptarit dhe të paraqesim një nivel dhe pasqyrim objektiv të shtetasve tanë, të njerëzve tanë punëtorë dhe të kulturës", ky ka qenë mesazhi në formë thirrjeje, që ambasadori shqiptar në Britaninë e Madhe, Kastriot Robo, ua ka drejtuar të gjithë intelektualëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Londër.
Të mërkurën pasdite ambasadori shqiptar ka zhvillur një takim me intelektualët e tij bashkatdhetarë. Takimi është zhvilluar në ambientet e ambasadës shqiptare në kryeqytetin britanik.
Pasi i ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen, ambasadori Robo ka thënë në fjalën e tij se "është e vërtetë që shteti shqiptar ka përfaqësinë e vet diplomatike në Londër, që përpiqet të realizojë detyrat e ngarkuara dhe objektivat e vënë në marrëdhëniet me Britaninë e Madhe. Por "unë, pa hezitim dhe druajtje mund të deklaroj se ju jeni ambasadorët më të mirë, pasi përfaqësoni atë komunitet që mbart vlerat më të mira dhe më të avancuara të qytetarisë shqiptare, të atdhedashurisë dhe civilizimit perëndimor njëkohësisht". Më pas ai ka vazhduar duke u bërë thirrje intelektualëve, si përfaqësues dhe lobingut proshqiptar që jeton në Londër, "që asnjëherë të mos e rreshtni veprimtarinë dhe aktivitetin tuaj, për të forcuar dhe zgjeruar miqësinë e konkretizimin e marrdhënieve dhe bashkëpunimin shqiptaro-britanik". Në fjalën e tij ambasadori shqiptar është shprehur se Britania e Madhe përbën një partner dhe aleat mjaft të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sipas tij, kjo është shfaqur hapur në këto 10 vitet e fundit të zhvillimeve mjaft të rëndësishme në Shqipëri dhe në tërë rajonin tonë.
"Vitet e transformimeve demokratike në Shqipëri nuk kanë qenë vite të lehta dhe, si pasojë, imazhi i krijuar për Shqipërinë dhe shqiptarët shpesh ka qenë një imazh mjaft negativ. Shpesh shqiptari është identifikuar me trafikantin, drogaxhinë, dhe deri te krimineli", ka vazhduar fjalën e tij Robo. "Me keqardhje konstatoj dhe deklaroj se ky imazh është edhe këtu në Britaninë e Madhe, prandaj ju bëj thirrje të gjithëve ju intelektualë, që të përpiqemi të gjithë së bashku për ta vënë në vend figurën e shqiptarit dhe për të paraqitur një nivel dhe pasqyrim më objektiv të shtetasve tanë, të njerëzve tanë punëtorë dhe të kulturuar. Kjo është një kërkesë dhe domosdorshmëri, që duhet të përballohet nga të gjithë ne. Ajo kërkon një angazhim që duhet të shkojë deri në agresivitetin me median dhe gazetarët britanikë", vazhdoi ambasadori. Në fund të fjalës së tij është shprehur se "ne jemi të sigurt se me përpjekjet tona të përbashkëta dhe me kontributin e gjithësecilit prej nesh nuk do të jetë e largët dita kur Shqipëria do të jetë natyrshëm anëtare e familjes së madhe europiane".
REAGIMET PAS TAKIMIT ME AMDASADORIN
Ilir Nishku, gazetar i BBC-së.
"Unë kam tre vjet që jetoj në Londër dhe një gjë e tillë nuk është bërë më parë. E vlerësoj këtë pasi ne duhet të takohemi, të dimë që kemi njëri-tjetrin dhe ta ndihmojnë në përgjithësi çështjen shqiptare, të cilën e kemi të gjithë për zemër. Dua të them se bashkimi në këtë takim të sotëm nën një çati, është si një fillim i mirë që duhet ta vazhdojmë akoma më tej".
Agim Neziri, botues i revistës "Shqip".
"Takimi i sotëm ishte i domosdoshëm dhe uroj që takime të tilla të jenë sa më të shpeshta. Këtu në Britani, si dhe në shtetet e tjera perëndimore, jeta është tejet e vrullshme dhe problemet që ne ndeshemi, janë nga më të ndryshmet. Por e gjithë kjo nuk duhet të na bëjë neve, emigrantëve shqiptarë, ta harrojmë njëri-tjetrin dhe atdheun nga ku kemi ardhur".
Eros Andoni, punonjës në Ministrisë e Emigracionit Londër.
"Takimi i sotëm është i pari që është zhvilluar me intelektualët shqiptarë që jetojnë në Londër. Do të thosha se kjo rrit interesin tonë ndaj veprimtarisë së ambasadës dhe anasjelltas, veprimtarinë e shqiptarëve në Londër".
Diana Kola, gazetare e BBC-së
"Ishte hera e parë që prej dhjetë vjetësh, kohë që jetoj në Britani, të marr pjesë në një takim të tillë mes intelektualësh shqiptarë në Londër. Eshtë një ndërmarrje shumë interesante dhe shumë e bukur, e marrë nga ambasada shqiptare. Intelektualët shqiptarë mund të japin kontributin e tyre për komunitetin shqiptarë, por është i domosdoshëm një lloj organizimi".
Intelektualët shqiptarë që punojnë në Londër
LONDER
Me dhjetëra intelektualë shqiptarë kanë arritur të integrohen në jetën e kryeqytetit britanik falë përgatitjeve të tyre të larta në fushat ku kanë studiuar. Një pjesë e mirë e tyre punojnë në insitucione me emër në të gjithë botën dhe që e kanë selinë e tyre në Londër. Ilir Thani, Anita Taçi e Evis Bozo punojnë për Bankën e Rindërtimit dhe të Zhvillimit (BERZH) me seli në Londër. Arian Gjonçaj është angazhuar si lektor në shkollën ekonomike të Londrës, e cila është me famë në të gjithë botën. Genti Kadare është punësuar në Bankën Europiane të Investimeve. Në fushën e mjekësisë në qytetin e Kembrixhit punojnë dy mjekët: Evis Sala dhe Gëzim Selenica. Në universitetin e Birmingamit punon si lektor i anglishtes dhe i shkencave sociale profesor Gëzim Ismaili. Kompozitori i madh Eno Koço, pas disa vitesh në qytetin e Leedsit, tani punon si lektor në universitetin e këtij qyteti. Thoma Simaku, një tjetër emër i sukseshëm në muzikën shqiptare, jep leksione në universitetin e Jorkut.
Krijoni Kontakt