Prishtinë, 14 dhjetor - Partitë politike vazhdojnë ta akuzojnë njëra tjetrën për parregullsi gjatë procesit zgjedhor të 12 dhjetorit, mirëpo një rast ku një anëtar akuzon partinë e tij ka ndodhur pikërisht në Skenderaj, në vendin i cili është kontestuar më së shumti në Kosovë për manipulime gjatë procesit zgjedhor.
I pakënaqur me procesin atje është edhe Gani Koci, kandidat i PDK-së, i cili ka deponuar një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Koci ka thënë se këtë e bëri për ta mbrojtur votën e tij.
Siç njofton KosovaLive, kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nga Skenderaj, Murat Musliu ka akuzuar partinë e tij për manipulim me vota dhe parregullsi gjatë procesit zgjedhor në këtë komunë.
Musliu pasi ka paraqitur ankesë në PZAP ka lëshuar edhe një reagim për media në të cilin ndër të tjera thuhet. "Unë, kandidati për deputet në Parlamentin e Kosovës, nga radhët e PDK-së, Murat Musliu, jam i gatshëm të argumentojë përmes xhirimeve filmike, se komisionerët në vendvotimet në: Prekaz i Epërm, Klinë e Epërme, Makërmal, Tushilë (me numër të vendvotimit: 2128b/2) Rezallë (vendvotimi 2116b, 00-R, 2116/0,0,1-R), Runik dhe Qubrel dhe në qytetin e Skenderajt, votat e kandidatëve të PDK-së, nuk i kanë numëruar fare, por i kanë vënë në formulare, sipas një liste të imponuar nga persona të fuqishëm dhe zyrtarë të lartë të pushtetit lokal në Skenderaj dhe të PDK-së.
Qëllimi i këtij organizimi, të udhëhequr nga nënkryetari Abdyl Ymeri, ka qenë në radhë të parë grumbullimi i votave për kandidatë të caktuar brenda listës së PDK-së, ku komisionarëve të secilit regjion iu është dhënë lista me emrat, të cilët duhet të votohen, si psh: në Prekaz Xhevahire Izmanku, në Polac Valbona Dibra, në Runik një kandidat jashtë Skenderajt".
Musliu ka folur edhe për një marrëveshje të fshehtë mes PDK-së dhe LDD-së që është bërë me qëllim që LDD të marrë vota përmes votimit të shumëfishtë nga komisionerët e PDK-së me qëllim që kjo parti të arrijë pragun zgjedhor.
"Qëllimi tjetër i këtij organizimi ka qenë sprovimi i marrëveshjes paraprake, e cila është bërë në mes të PDK-së dhe LDD, që kjo e fundit të merr 10%, dhe për të arritur kjo, organizatorët ua kanë hequr votat kandidatëve të caktuar të PDK-së, të cilët janë Murat Musliu, Gani Koci, etj, për t’ia qitur ato vota LDD-së, për cka ka pasur probleme edhe me komsionerët dhe me vet LDD-në", tha Musliu.
koha.net
Krijoni Kontakt