Rezultatet e shkencëtarit Rudolf Virchow, krijuesit të shkencës së kronologjisë, një prej shkencëtarëve më në zë të viteve 1800, politikanit e antropologut të famshëm gjerman, për racën shqiptare
Shumëkujt mund t’i ketë rënë rasti të lexojë librin e Mit’hat Frashërit, “Shqiptarët” (Zenit Editions 2005) i cili është përkthyer nga origjinali i shkruar në frëngjisht “Les albanais dans leur pays et â l’etranger”. Ndër shumë citime autorësh – duke bërë komente e përshkrime – që Mit’hat Frashëri sjell për të dhënë një përshkrim të natyrës e karakterit që ka kombi shqiptar, aty nga fundi, ai ruan si diçka të veçantë një citim të cilin e thekson. Ky citim që ai bën, ngjan me ato fjongot që u vihen mbi krye vajzave të vogla, pasi i kanë veshur me hijeshi. Duke qenë se ka folur për tiparet, doket, zakonet, kulturën, aftësinë, jetën e frymën e një kombi që ka prodhuar histori e që ka lënë gjurmët e tij te kjo e fundit prej shumë shekujsh, ai, ndoshta, mendon që për të dhënë edhe një përgjigje përfundimtare për karakterin e shqiptarit, po aq mirë – e ndoshta më shumë se historia – mund të na vijë në ndihmë shkenca. “Po e ruajmë për në fund opinionin e një dijetari dhe antropologu të madh, profesor Virchow. Blowitz, korrespondent i “Times”, na kujton takimin e tij me doktorin” – shkruan Mit’hat Frashëri në librin e tij.
Fragmenti që sjell Mit’hat Frashëri në këtë libër, është një pjesë e shkëputur prej shkrimit “Virchow chez lui (La danse des crânes- Les peuples des Balkans - La perle de la collection Vivent les Albanais!- Le sa- vant et l'homme politique)”, shkrim i cili u botua në faqen e parë të numrit 6442 të gazetës “Le Matin”, Paris më 15 tetor 1901. Në artikullin e “Le Matin”, kjo pjesë e shkrimit që flet për tiparet e kafkave të shqiptarëve mban nëntitullin “La race supérieure” (raca superiore). Shkrimi origjinal i Blowitz, është botuar në gazetën “Times” që në vitin 1878, shumë vite më parë sesa ribotimi i këtij artikulli në “Le Matin”, 1901. Më poshtë do të sjellim si artikull të plotë, pikërisht botimin më të hershëm të tij. Përse “Le Matin” e ribotoi, madje në faqe të parë, këtë artikull i cili - bazuar në kërkimet shkencore - flet për superioritetin e madhështinë e racës shqiptare, karshi të tjerave? Emri i Rudolf Virchow, personit që bën këtë vlerësim është përgjigjja e duhur. Nëse një përfundim të tillë do ta kishte thënë dikush tjetër, pak gjasa do të kishte që të merrej për bazë, por emri i Virchow, është i përmasave të tilla sa vështirë të besojmë se një shkencëtar i tillë kishte “lajthitur”, kur i shikonte shqiptarët me mahnitje, si racën më të përsosur.
Në vitin 1915, pas ndarjes së padrejtë të trojeve shqiptare, Shqipëria kërcënohej sërish nga një copëtim i ri. Ishte viti i Traktatit të fshehtë të Londrës, i cili i falte Italisë Vlorën me qarkun e saj dhe i lejonte një lloj protektorati mbi Shqipërinë e Mesme, teksa grekët merrnin Shqipërinë e Jugut dhe serbo-malazezët atë të Veriut. Në këtë vit, Faik bej Konica, intelektuali i njohur shqiptar, ngre zërin për padrejtësitë e radhës që po bëheshin ndaj shqiptarëve. Në atë kohë ai ndodhej në Lozanë, Zvicër. Më 12 nëntor 1915, duke i dërguar një letër të hapur, zotit Hans Delbruck, këshilltar i afërt i qeverisë, profesor i historisë moderne në Universitetin e Berlinit, ai demaskon politikat e gabuara gjermane. Letra e shkruar dhe e botuar në frëngjisht - “Gjermania dhe Shqipëria” (L’Allemagne et L’Albanie) – është botuar këto vite nga studiuesi Jup Kastrati në studimin e tij “Mbi krijimtarinë letrare të Faik Konicës”, si pjesë e veprës “Studime për autorë të ndaluar” botim ky i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Arsyeja që e përmendëm këtë letër të Konicës, është se ndër të tjerë ai i referohet edhe Virchow, për t’i treguar profesorit gjerman, Hans Delbruck, tiparet e kombit shqiptar. Ja seç shkruan ndër të tjera Faik bej Konica:
“...mund t’ju vë në dijeni për ekzistencën e një traktati bullgaro-grek për ndarjen e Shqipërisë, traktat i sugjeruar, miratuar, vulosur dhe garantuar nga Gjermania. Për këtë arsye, marr guximin t’ju drejtoj, i lutur nga bashkatdhetarët e mi një pyetje: “Si do të arrini ju të pajtoni deklaratën tuaj me planin brutal të copëtimit të Shqipërisë?”
Ja një vend, ja një popull që hyn në kategorinë e “kombësive të vogla” dhe që do të meritonte, në mënyrë të veçantë, mirësinë dhe vlerësimin tuaj. A nuk ka thënë Mommseni juaj se kombi shqiptar është më i vjetri në Ballkan? A nuk a ka quajtur shpesh Virchow-i juaj “kombin me të vërtetë më superior” të Europës Lindore? A nuk e kanë përsëritur në çdo kohë, dijetarët tuaj, që dallohet nga fqinjët e tij për nga gjuha dhe shpirti?”
Para se të lexojmë takimin e Blowitz, gazetarit të “Times”, me profesor Virchow, le të shohim shkurtimisht diçka për jetën e shkencëtarit gjerman. Kjo gjë na ndihmon për të kuptuar më qartë përfundimet e tij mbi shqiptarët dhe rëndësinë e punës së tij.
Kush është Rudolf Virchow?
Rudolf Ludwig Karl Virchow (1821-1902) ishte një doktor gjerman, antropolog, patolog, prehistorian, biolog dhe politikan, i njohur për shpënien para të shëndetit publik. Atij i referohen si “babai i patologjisë moderne” dhe konsiderohet si një nga themeluesit e mjekësisë sociale. Vinte nga një familje bujqish me origjinë gjermane dhe polake. Virchow studioi për mjekësi dhe kimi në Berlin në Akademinë Ushtarake Prusiane. Kur u diplomua në 1843, shkoi për të shërbyer si asistent i anatomistit të njohur, Robert Froriep. Një nga kontributet e tij më të mëdha për arsimin mjekësor gjerman ishte inkurajimi i përdorimit të mikroskopit nga studentët, duke u bërë thirrje studentëve të tij për të 'menduar mikroskopikisht'. Virchow ka meritën e shumë zbulimeve të rëndësishme. Kontributi shkencor më i njohur gjerësisht i Virchow është teoria e tij për qelizën, e cila ndërtoi punën e Theodor Schwann. Ai përmendet si i pari që njohu qelizat e leucemisë. Virchow botoi në vitin 1858 studimin e tij mbi qelizat në “Omnis cellula e cellula ("çdo qelizë e ka origjinën nga një tjetër qelizë ekzistuese si ajo"), bazuar në shpikjen e François-Vincent Raspail. Ky ishte një refuzim i konceptit të lindjes spontane, i cili mbronte idenë se organizmat mund të lindin nga materia e pajetë, i kundërshtuar fillimisht nga Francesco Redi dhe hedhur poshtë përfundimisht nga Virchow, për të deklaruar se burimi i vetëm për një qelizë të gjallë ishte një tjetër qelizë e gjallë.
Një zbulim tjetër i rëndësishëm (i madh) i Virchow, është edhe ai që bëri përafërsisht në të njëjtën kohë me Charles Emile Troisier, në lidhje një nyje të zgjeruar supra-calvicular dhe kancerin në mushkëri. Kjo njihet si nyja e Virchow. Virchow është gjithashtu shumë i njohur edhe për sqarimin e funksionimit të mekanizmit të thromboembolism-it të mushkërive. Për më tepër, Virchow themeloi fushat mjekësore të patologjisë qelizore dhe të patologjisë krahasuese.
Në vitin 1869 ai themeloi shoqërinë e antropologjisë, etnologjisë dhe parahistorisë (Gesellschaft für Anthropologie, Ethnologie und Urgeschichte), e cila pati shumë ndikim në koordinimin dhe intensifikimin e hulumtimit arkeologjik gjerman. Në vitin 1885 ai zhvilloi një studim të kraniometrisë (matja e studimi i kockave të kafkës), i cili dha rezultate të habitshme që kundërshtonin teoritë bashkëkohore shkencore raciste mbi "racën ariane", duke e shtyrë Virchow që të denonconte "misticizmin nordik" në Kongresin e Antropologjisë në vitin 1885 në Karlsruhe. Në vitin 1861, ai u zgjodh anëtar i jashtëm i Akademisë Mbretërore suedeze të Shkencave e në 1892 u nderua me Medaljen Copley. Mes studentëve të tij më të famshëm ishte edhe antropologu Franz Boas, i cili është quajtur si “babai i antropologjisë amerikane” dhe “babai i antropologjisë moderne”. Virchow ishte një studiues i palodhur dhe ka lënë një numër shumë të madh veprash të shkruara.
Ai zhvilloi gjithashtu një metodë standarde të procedurës së autopsisë, e cila mban emrin e tij e që është ende një nga dy teknikat kryesore të përdorura sot. Por më shumë se një mjek eksperimentues, Virchow ishte edhe një avokat i pasionuar për reformat sociale dhe politike. Ai konsiderohet gjerësisht si pionier i mjekësisë sociale dhe antropologjisë. Virchow kundërshtoi fort Darvinizmin nëpërmjet një lekture të tij ku theksonte faktin se mungojnë provat e fosileve për një prejardhës të përbashkët të majmunit e njeriut.
Virchow ka meritën edhe për themelimin e mjekësisë shoqërore, duke u përqendruar në faktin se shpesh sëmundja nuk është thjesht biologjike, por një rrjedhim shoqëror. Si një bashkëthemelues dhe anëtar i partisë liberale (Deutschen Fortschrittspartei) ai ishte një antagonist kryesor politik i Bismarkut. Thuhet se Bismarku e sfidoi Rudolf Virchow në një duel dhe Virchow, duke pasur mundësinë e zgjedhjes së armës, sepse ishte pala e sfiduar, zgjodhi dy salsiçe, ku njëra prej të cilave ishte me kolerë. Bismarku, thuhet, se u tërhoq nga dueli. Një fushë ku ai ka bashkëpunuar me Bismarkun ishte Kulturkampf, fushata anti-klerikale kundër Kishës Katolike duke pretenduar se ligjet anti-klerikale sillnin "karakterin e një lufte të madhe në interes të njerëzimit". Virchow ishte një person i respektuar në qarqet masonike dhe ka burime që pohojnë se mund të ketë qenë një mason. Vdiq nga pushimi i zemrës dhe u varros në varrezat Matthews St., Schöneberg, Berlin. Shoqëria për Mjekësi e Antropologji jep një çmim vjetor në emër të Virchow-it (Rudolf Award Virchow).
Krijoni Kontakt