Nga Express më 08 dhjetor 2010 në ora 12:04
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të martën i ka shqiptuar dënimet e para për shkeljen e Ligjit zgjedhor.
Në krye të listës së subjekteve që e kanë shkelur Ligjin qëndron PDK-ja, e cila është gjobitur me 9.400 euro. Pas saj është radhitur LDK-ja, AAK-ja dhe AKR-ja, të cilave u është shqiptuar nga një gjobë prej 3 mijë eurosh, transmeton “Koha”.
Më së shumti ankesa për shkeljen e Ligjit zgjedhor ka paraqitur lëvizja “Vetëvendosje”. Nga tri ankesa të saj kundër PDK-së, vetëm njëra është miratuar.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesën e “Vetëvendosjes” kundër PDK-së për shkak të mbulimit të posterëve të këtij subjekti ka gjobitur PDK-në me 3000 euro gjobë, të cilën detyrohet ta paguajë brenda 15 ditësh për t’u dërguar në buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në vendimin e PZAP-it.
PDK-ja ka pësuar edhe nga ankesa e partisë Fryma e Re. Ajo është dënuar me 3.200 euro gjobë për shkak të mbulimit të posterëve të FER-it në Malishevë.
Në vendimin e PZAP-it ndër të tjera thuhet se ky panel ka pranuar ankesë më datë 04.12.2010, nga subjekti politik Fryma e Re, në të cilën theksohet se subjekti politik PDK, në komunën e Malishevës, i ka mbuluar posterët e subjektit politik Fryma e Re.
Nëpërmjet një komunikate, njëri nga drejtuesit e FER-it, Shpend Ahmeti, ka thënë se ky subjekt nuk do të lejojë në asnjë mënyrë shkeljen e Ligjit zgjedhor.
“Fryma e Re është e vendosur që të mos lejojë që të kalojnë pa u ndëshkuar kurrfarë shkeljesh as para e as gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit, e sidomos shkelje që ndikojnë drejtpërdrejt në ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti, duke komentuar vendimin e PZAP-it.
PDK-ja është gjobitur me 3.200 euro edhe shkaku i ankesës së LDK-së.
Nga ankesa e “Vetëvendosjes”, kanë pësuar edhe AAK-ja dhe AKR-ja, të cilat janë gjobitur me nga 3 mijë euro.
Ndërkaq nga një ankesë të AAK-së, LDK-ja është gjobitur me 3 mijë euro.
PZAP-i ka pranuar edhe disa ankesa të tjera të subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe të cilat janë refuzuar si të pabaza.
Që të gjitha partitë e gjobitura nga dita e hyrjes në fuqi të vendimit të PZAP-it kanë afat 15 ditë që t`i shlyejnë detyrimet e tyre për shkeljet e bëra.
Krijoni Kontakt