Ambasadori i ri amerikan, Arvizu mbërrin sot në Tiranë
E enjte, 02 Dhjetor 2010 13:04
Ambasadori i ri amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, fillon sot detyrën në Shqipëri. Pas një pritjeje prej afërisht 4 muajsh që nga emërimi i tij në këtë detyrë, Arvizu do të zbresë nesër për herë të parë në Shqipëri. Mësohet se ai do të mbërrijë në Shqipëri, në aeroportin e Rinasit, rreth orës 13.30, ku pritet të japë edhe një mesazh të shkurtër për mediat rreth detyrës së tij në Shqipëri. Ambasadori i ri pritet të shprehë vlerësimin për detyrën e ambasadorit në vendin tonë. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Xhon Uidhers. Arvizu është diplomat karriere i shërbimit të huaj, në rangun e këshilltarit ministror. Para kësaj detyre, ai ishte është drejtor i Zyrës së Zhvillimit të Karrierës dhe Pozitave të Departamentin Amerikan të Shtetit. Më parë ka qenë zv/ndihmës sekretar në Zyrën e Cchtjeve të Azisë Lindore dhe Paqësorit. Arvizu ka qenë gjithashtu zëvendësshef misioni në Bangkok të Tailandës dhe në Pnom Pen të Kamboxhias. Ai ka shërbyer edhe në vende të tjera, si Koreja e Jugut dhe Japonia. Në Uashington ka punuar në Këshillin e Sigurimit. Ai u konfirmua në snatin amerikan në datën 5 gusht, ku në Komitetin e Jashtëm, foli mbi prioritet amerikane në Shqipëri,si dhe situatën politike. "Për fat të keq, Shqipëria mbetet e mbërthyer në trashëgiminë e politikës, ku ka vetëm të fituar ose vetëm të humbur dhe ku ka një mosbesim të thellë mes shumicës dhe opozitës. Një dialog konstruktiv mes palëve është shumë i vonuar dhe do ta ndihmonte Shqipërinë për të vënë në punë talentin e lindur dhe shkathtësinë e saj për ta çuar përpara", u shpreh ambasadori Arvizu në këtë seancë. Sa i takon zhvillimit ekonomik, Arvizu përmendi Shqipërinë si një ndër dy vendet në Europë, që gjatë vitit 2009 shënoi rritje ekonomike, çka sipas tij parashikohet edhe këtë vit. Por siç tha ai, më shumë duhet bërë në Shqipëri. "Si një shtet aleat i NATO-s, Shqipëria duhet të aderojë në parimet më të larta të Aleancës. Respekti i plotë për sundimin e ligjit dhe institucionet e pavarura është ende i dobët, ndërsa korrupsioni ende i lartë", tha ai, ditën kur u konfirmua në senat si ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri.
panorama.
Krijoni Kontakt