Zgjidhje diplomatike për shuplakën ndaj Ismail Qemalit
E Diel, 21-11-2010, 05:01pm (GMT)
Sot botohet një tjetër letër nga Mehmet Ismet Çano, që përshkruan bukur, me pak fjalë, atmosferën e rëndë që përjetonte bashkësia shqiptare në Stamboll e jo vetëm aty, si pasojë e asaj shpulle që i u dha plakut të Vlorës e që konsiderohej e tillë për gjithë kombin. Incidenti u mbyll me rrugë “diplomatike”, siç do të mbyllej sot, po të ndodhte, por një zgjidhje e tillë ishte e papranueshme për mendësinë shqiptare të njëqind viteve të shkuara, kur fyerjet paguheshin shpesh me kokë. Edhe Evropa e qytetëruar, deri vonë në raste të tilla, zgjidhjen e gjente tek duelet me armë, me rregulla e me dëshmitarë. Dueli i kërkuar nga Hasan Prishtina qetësonte deri diku shpirtërat e trazuar të shqiptarëve. Këtë e shpreh bukur letërshkruesi me frazën: “ Burrnija e diftueme ptrej Hasan beut në këtë rasë ka vjeftun me na ngushullue disi zemrat e pikllueme...”
Është një penelatë e një kuadri që përmbledh, në tërësinë e tij, një gamë më të gjërë elementësh, e që ishte Shqipëria e mesit të vitit 1911, një arenë ku ndeshen pa pushim prirje e interesa të ndryshme që gjejnë shprehje në rrahjen e mendimeve mbi shkronjat. Kjo temë, aq e rrahur në mjediset e pakta intelektuale të Vendit e jashtë tij, të cilët ishin më të vetëdijshëm për rëndësinë themelore të saj, gjen jehonë dhe në dokumentin e dytë që botohet sot, shumë kuptimplotë për të plotësuar kuadrin.
Është letra e përgjigjes që kryeministri Haki Pasha i dërgon ministrit të brëndshëm, juristit Talat beu, në lidhje me urdhërin e dhënë për të lënë të lirë hapjen e shkollave në gjuhën shqipe në katër vilajetet. Ajo pasqyron qëndrimin e qeverisë për problemin në fjalë. Është një qëndrim që luhatet mes dëshirës për të dhënë imazhin e një pushteti që “ respekton” vullnetin e qytetarëve të perandorisë, përfshirë dhe të drejtën për t’u arsimuar në gjuhën e tyre, dhe prirjes për t’i dhënë përparësinë karakterit fetar të formimit shpirtëror e intelektual të shqiptarëve myslimanë e sidomos të brezit të ri të tyre. Problemi, i tërhequr zvarrë prej vitesh, siç kemi parë deri tani, është i lidhur me t’ardhmen e vetë kombit shqiptar, me përkatësinë e tij qytetërimeve të botës. Karakteri i shkronjave u bë një udhëkryq që, në mënyrë paradoksale, u vu para shqiptarëve në fillimin e shekullit të njëzetë, si për t’u kujtuar atyre kohën e humbur në natën e gjatë të pushtimit osman.
Ajo që sot duket si një zgjidhje logjike, normale, e padiskutueshme, para njëqind vjetësh ishte një ndërmarrje e guximshme, e rrezikshme, kundra rrymës. Ata burra që, me forcën e arsyes dhe të karakterit, u imponuan në çaste të vështira e vendimtare të jetës së kombit, duke vendosur përfundimisht shkrimin me gërma latine, veç përkatësisë perëndimore të cilën e zgjodhën për popullin e tyre, patën meritën e madhe të venë edhe themelet e shtetit laik, në hullinë e të cilit do të ecte Shqipëria e pavarur. Këtë arritje e sendërtuan mes vështirësish të panumurta, mes prirjesh të fuqishme filo-turke, mes një padije të përgjithëshme, në të cilën argumentat pseudo fetare mund të gjenin një tokë prodhuese për të ushqyer mendësinë se “..i shênjti Kuran dhe doktrinat islamike nuk mund të mësohen veçse me gërmat arabishte...”. Leva mbi besimin, ndërpretimi i njëanshëm, në përputhje me interesat e ndryshme, i parimeve dhe praktikave fetare, kanë prodhuar shpesh në historinë e botës, tragjedi të pallogaritëshme. Kjo nuk përligj dhe as justifikon dogmën marksiste “feja është opium për popullin”, mbasi besimi fetar, i kuptuar si një nevojë shpirtërore e njeriut, është jo vetëm një kërkesë e brëndëshme e individit për t’u strehuar në një ndërtesë të paprekëshme që i ushqen shpresën, dashurinë për të ngjajshmit e tij, vlerat morale, por edhe një mjet për të kuptuar madhështinë e Krijuesit e, në botën e tij të vogël, të hyjë në unison me të.
Argumentat e Sadrazemit turk nuk kanë asgjë të përbashkët me këtë konceptim të besimit fetar, janë vetëm mjete në dorë të një pushteti që, edhe se në grahmat e fundit, mbetet dorështrënguar e i padrejtë me shqiptarët e kjo letër “nji provë kaqë paturpsisht djallzore e dashakeqësisë të zotnuesit të dikurshëm”.
Krijoni Kontakt