SHEKULLI, 02/12/2010
1 herë në 100 vjet apo 100 herë në vit?
A.DUSHI |
Se çfarë po ndodh në Shkodër mund të shihet fare mirë në foto apo në filmimet, por edhe mund të kuptohet nga fjalët e vetë banorëve të kësaj zone. Se sa është fajtor shteti për atë që po ndodh, mjafton të dëgjosh krerët e tij duke folur dhe duke shpjeguar se sa të aftë kanë qenë për të shmangur një situatë të tillë që ka nisur që prej 2 janarit të këtij viti dhe që ende vijon.
Më 13 janar të këtij viti, në mbledhjen e zhvilluar në Shkodër dhe në takimet e tij me banorët e zonave të përmbytura, kryeministri Berisha theksoi:
Situatën e paprecedentë
- Edhe një herë dua t'i rikthehem përmasave të motit, të cilin të gjithë observatorët më seriozë të vëzhgimit të motit dhe përmbytjeve, cilësuan si shkak reshjet e mëdha, cilësuan si intensitet, atë të shkallës së dytë që përsëritet më rrallë se 1 herë në 100 vite.
- Reshjet e papara dhe shkrirja në janar në 24 orë e borës së të gjithë masivit të Alpeve, krijoi një situatë të paprecedentë.
Ndihmën për çdo banor
- Pra, u ndala në këto raste për të treguar se pasojat janë të thella, por unë jam sot në Shkodër, bashkë me qeverinë, për të garantuar çdo qytetar të këtij rrethi dhe këtij qyteti, se qeveria do të zhdëmtojë dhe askërkujt nuk duhet t'i rëndojë dhimbja e mallit të dëmtuar, sepse ne do ta kompensojmë atë një për një.Për ne rëndësi vendimtare ka shpëtimi i i jetëve njerëzore dhe, mundësisht, gjësë së gjallë.
Programet pas kalimit të situatës
- I parë dhe kryesor është operacioni i shpëtimit dhe ndihmës, por secila ministri, në kuadrin e emergjencës, duhet të bëjë me shpejtësi programet e planet e post emergjencës. Të mos harrojmë se kjo zonë nuk është shkretëtirë, por një nga zonat më pjellore, më të pasura të tokës shqiptare dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme rehabilitimi tërësor i saj, infrastruktura e gjithanshme, shkollat, qendrat shëndetësore, rrugët, kanalizimet çdo gjë.
Thellimin e lumit Bunë
- Dhe ne do të bëjmë gjithçka, si me thellimin e Bunës, një projekt ndër më të kushtueshmit dhe më madhështorët për vendin; me by-passin që nuk do të jetë më një rrugë e zakonshme, por do të jetë një argjinaturë e ngritur për t'ju mbrojtur nga liqeni dhe çdo gjë tjetër, që ujërat të jenë mrekullia e Shkodrës dhe të mos shndërrohen në përmbytje dhe fatkeqësi
Ngritjen e argjinaturave
- Duhet të studiojmë edhe njëherë argjinaturën e Dajçit që është më kryesorja, të Anës Malit, të Obotit dhe kudo, sikundër një studim urbanistik duhet të bëhet, ku të përcaktohet se nuk duhet të ndërtohet aty ku rreziku është i madh. Të shihen të gjitha këto së bashku dhe ta shndërrojmë këtë fatkeqësi natyrore në sfida të mëdha për të zgjidhur.
Mashtrimin që i është bërë Shkodrës
- Shkodra ka një shpirt të pamposhtur dhe thelbi i shpirtit të saj qëndron në një raport të vetëm dhe kryesor të njeriut të qytetëruar dhe ky është raporti me të vërtetën. Ata që duan t'i servirin Shkodrës trillime dhe mashtrime, duhet ta dinë se qyteti ka një epitet për ta "sherr budallë"
Në mbledhjen e zhvilluar në Shkodër më 30 nëntor 2010, kryeministri Berisha theksoi:
Herën e parë në histori që Valbona del jashtë parashikimeve
- E vërteta është se prurjet e Alpeve tejkaluan çdo lloj parashikimi, pasi Valbona, nuk ka pasur ndonjëherë në histori prurje prej 1500 m3 kub në sekondë dhe pastaj këto masa kanë qenë prurje të lumenjve të tjerë, Kiri po kështu nga ana e tij. Kësaj here ishte liqeni me burimet dhe prurjet që vazhdoi rritjen pandërprerë të nivelit.
Fuqia e shtetit për evakuim
- Parashikimet sinoptike, ashtu siç i ndiqni vetë nuk janë dhe aq të favorshme, por ne kemi mundësi të plotë të kalojmë pasojat e ujërave të shumta që mund të shtohen gjatë ditëve që vijnë dhe që në fakt nuk janë të pakta sepse edhe sot lumenjtë e Alpeve, nga Valbona deri në Përroin e Thatë janë në rritje të ndjeshme, duke shtuar edhe Drinin, por i kemi të gjitha kushtet, forcat e rendit, forcat e ushtrisë, forcat e emergjencës civile, duke nxjerrë këtu të gjitha ekipimet e nevojshme, automjetet, varkat, transformatorët, pompat të instalohen dhe kalojnë të gjitha në gatishmëri.
Askush nuk do të ndihet i braktisu
r
- Ndërkohë, Shkodra problematikën e madhe e ka në Nënshkodër, por dhe në zona të tjera që përballen me vështirësi serioze. Duke ardhur këtu nga Boga më vjen një mesazh. "Jemi në një situatë shumë të vështirë" ndaj dhe ne duhet të jemi të gatshëm që aty ku është emergjenca, aty të jemi edhe ne. Nuk mund që askush të ndihet i braktisur në këtë situatë, përkundrazi i kemi të gjitha mundësitë që t'i gjendemi çdo familjeje, kudo që ndodhet ajo dhe ta ndihmojmë.
Më 1 dhjetor 2010 kryeparlamentarja Topalli theksoi në Shkodër:
Fryrja e liqenit, si asnjëherë tjetër
Prej dy muajsh ka një shi që nuk pushon ditë e natë. Jemi në kushtet e fryrjes së liqenit të Shkodrës si asnjëherë tjetër, edhe në krahasim me një vit më parë. Jemi në kushtet e çmendurive të lumenjve, që rrethojnë qytetin e Shkodrës.
Asnjë qytet tjetër, asnjë pjesë e rajonit të Ballkanit si pjesa e Shkodrës nuk është e vendosur në mënyrë të tillë, që të gjitha shkarkimet nga gjysma e Ballkanit të derdhen në këtë pjesë të basenit të Shkodrës.
Kjo është historia e Shkodrës
Me sa duket kjo kohë do të vazhdojë, dhe ne duhet të jemi të përgatitur pasi kjo situatë e rënduar do të vazhdojë edhe për një kohë të caktuar. Kjo situatë ka ndodhur gjithmonë në Shkodër, kjo është historia jonë. Shteti është në këmbë për të mbështetur me të gjitha nevojat familjet në vështirësi, në komunat në vështirësi
Krijoni Kontakt