Grinden fëmijët, theren baballarët. Vrasja e tretë në tri ditë në kryeqytet
SHEKULLI ONLINE | 01/12/2010 |
Fëmijët grinden poshtë pallatit për lojën, baballarët therren me thika për ta. Të dy prindërit e fëmijëve respektivë morën plagë të rënda nga grindja mes tyre ndërsa disa orë më vonë një nga baballarët e përfshirë në konflikt ndërroi jetë në spitalin ushtarak në kryeqytet për shkak të plagëve të rënda të marra në grindjen mes tyre. I mbijetuari u arrestua nga policia në spital me akuzën e vrasjes me dashje. Ngjarja ndodhi dy net më parë, rreth orës 21:00, kur Sinan Proda, 45 vjeç, dhe Dritan Selimi, 38 vjeç, u konfliktuan dhe u përleshën mes tyre pasi disa orë më parë fëmijët e tyre ishin grindur në lagjen ku ata banonin, në rrugën "Prokop Mima". Selimi, 38 vjeç, nga Tepelena, i cili banonte në një apartament në rrugën "Prokop Mima", punonte si taksist me një autoveturë në pronësi të tij në afërsi të rrugës "Komuna e Parisit", jo shumë larg banesës së tij.
Ndërkaq, rreth 200 metra më tej, në një pallat mbi gjurmën e Unazës së Re, banonte autori i vrasjes, Sinan Proda, i cili gjithashtu mbeti i plagosur nga përleshja e tij me Dritan Selimin. Sipas burimeve të policisë, fillimisht fëmijët e tyre ishin grindur në mesditë mes tyre pas një debati fëmijësh. Pas grindjes së fëmijëve dhe ndarjes mes tyre në mbrëmje prindërit janë takuar me pretekstin për të sqaruar rrethanat e ngjarjes së fëmijëve të tyre. Fillimisht debati mes tyre ka qenë normal, por më pas dy baballarët kanë nisur të grinden dhe ofendohen mes tyre. Madje jo vetëm kaq, por ata kanë nisur të përleshen fizikisht duke goditur me grushte dhe sende të forta njëri- tjetrin. Më pas 45 vjeçari Proda me një thikë goditi disa herë në trup Selimin. Në përleshje e sipër edhe ky i fundit, sipas burimeve të policisë, ka goditur gjithashtu personin që kishte përballë.
Nga përleshja fizike dhe me mjete të mprehta (thika) mes tyre, të dy burrat, morën plagë të rënda në trup. Persona të ndryshëm dhe banorë të zonës ndërhynë për t'i ndarë të dy burrat që ishin të larë në gjak. "Ata u grindën këtu përpara,- thotë një grua, banore e zonës dhe fqinje me Dritan Selimin. Më tej ajo vazhdon,- nuk e kuptova çfarë po ndodhte, por pashë më pas se dy burrat ishin të gjakosur. Arrita t'i shquaj të dy dhe kuptova që diçka jo e mirë po ndodhte". Më tej gruaja tregoi se të dy burrat i futën në dy makina të ndryshme dhe më pas i dërguan në spital. Pas ngjarjes policia mbërriti në vendin e përleshjes dhe nga hetimet e para mësoi se taksisti Selimi, kishte marrë plagë me thikë dhe po ashtu kishte goditur me thikë "kundërshtarin" e tij, Sinan Proda. Nga hetimi i kryer policia mësoi se shkak për ngjarjen ishte bërë grindja e fëmijëve të tyre. Pas dërgimit të tyre në spital të dy personat kanë vijuar të ishin në gjendje të rëndë, por në orën 5:00, të mëngjesit Selimi, 38- vjeçar ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda të marra në trup. Në spitalin ushtarak, policia arrestoi në flagrancë, autorin e dyshuar të krimit, Sinan Prodën, me akuzën e vrasjes me dashje të taksistit Selimi.
Krijoni Kontakt