Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    “Poeti” liriko-epik i muzikës

    “Poeti” liriko-epik i muzikës

    Qamil Gjyrezi 28/11/2010 10:16:00


    Tonin Harapi është muzikanti tipik liriko-epik. Por unë në punën time jam i prirë të studioj dhe rikujtoj vlerat e tij të mëdha kryesisht në planin lirik pa anashkaluar ato të planit epik. Më ka impresionuar gjithmonë lirika e punëve të Harapit. Tonin Harapi ishte kompozitori tipik lirik. Lirizmi si rrymë muzikore, filozofi, mënyrë e të perceptuarit të realitetit ka domethënie në punët e Harapit. Harapi e përjeton, mendon, artikulon dhe e shkruan lirizmin në muzikën e tij, duke i dhënë kuptim këtij fenomeni, procesi.



    Kompozitori Tonin Harapi gjatë procesit krijues në muzikë u bë një me shpirtin e poezisë. Për Harapin muzika kishte natyrën e poezisë, pse jo, edhe të pikturës. Siç duket, ai, kur krijonte, kompozonte, i mendonte tingujt si fjalë dhe ngjyra. Vepra e tij në përgjithësi ka shijen e poezisë në planin estetik; si perceptim shqisor, në planin artistik; si artikulim, në planin gjuhësor; ka shumë domethënie dhe lidhje fjalish me togfjalësha muzikorë dhe fjalitë ndërmjet tyre.

    Akil Koci studiuesi nga Kosova ka shkruar te “Përmasat e personalitetit të Harapit” se “Tonini theksonte, – mund të hasësh edhe ndonjë shprehje me kuptim të figurshëm, si tingëllimë harmonike, çka nis t’i afrohet më shumë konceptit tim”. Pastaj e hidhte fjalën tek një përkufizim, i cili, sipas tij, në vështrim të parë dukej sikur nuk kishte ndonjë lidhje me muzikën e, megjithatë, “ka diçka që bashkon mendimet dhe ndjenjat e mia: veçanti, sidomos e poezisë, rrjedhojë e përkëmbimeve (alternimeve), ritmit, kadencës dhe tingëllimës (intonacionit) të vargjeve”.

    Igor Stravinski, kompozitori ekspresionist i madh rus, me anë të perceptimit shqisor dhe imagjinatës, u përshtati tingujve muzikorë edhe ngjyrën përkatëse. Megjithëse në rastin e Harapit kemi të bëjmë me një kompozitor realist, me bazë perceptimin shqisor, në punët e tij ka edhe elemente ekspresioniste, lidhjen tingull-ngjyrë-fjalë, një ekspresionizëm ndoshta i pashpallur, latent. Shprehja, ekspresioni është personale, por edhe edukohet dhe formohet si pjesë e psikologjisë kulturore. Formimi në shkollën ruse i dha mundësinë Harapit që të kishte një perceptim të veçantë për muzikën si rezultat i edukimit dhe formimit të tij. E gjithë vepra e tij për piano, orkestër dhe ajo vokale tingëllojnë si poezi të mirëfillta. Ai i vinte gjuhës muzikore, tingujve ritmin e poezisë. Ai bashkonte vargun me notën, fjalën me melodinë. Teknika pianistike pavarësisht ritmit të shpejtë ose të ngadaltë, realiste apo ekspresioniste, jep gjithmonë mesazhe poetike, madje gjuhësore. Muzika e Harapit flet, komunikon me dëgjuesit. Prandaj, Harapi është konsideruar si një prej kompozitorëve më të dashur shqiptarë. Prandaj, mund të quhet “Poeti liriko-epik i muzikës”, sepse komunikoi me dëgjuesit e tij nëpërmjet artit, lirikës dhe epikës së tij si me fjalë, duke i dhënë kuptim artit të tij.

    Harapi shprehej: “Po përpiqem, - u thoshte me modesti të pranishmëve, kolegë, studentë apo edhe thjesht amatorë të muzikës, - të shfaq ndonjë mendim se si e shoh unë muzikalitetin”. (Akil Koci).

    Semiotika e Tonin Harapit, muzika-fjalë, fjali!

    Semiotika e muzikës studion natyrën simbolike, komunikative të muzikës, shijen e saj. Harapi në të gjithë artin e tij shquhet edhe si një kompozitor, poet semiotik, shenjor. Para se të studioja semiotikën, shpesh e kam pyetur veten se si ka mundësi që arti i tij është aq i thjeshtë, komunikativ, por edhe shumë i thellë dhe mistik, mos kemi të bëjmë me “një kontradiktë kuptimore?” Prandaj, do të përpiqem të shtjelloj domethëniet dhe domethënësit e lirikës dhe epikës së Harapit. Qëllimi im është që muzikës së Harapit t’i gjejmë dhe shijojmë kuptimin, i cili do të na çojë drejt mendjes dhe shpirtit të tij, ikonës së tij. Pavarësisht se muzika shprehet në formë sintaksore, që është mënyra e lidhjes së fjalëve muzikore në fjali po muzikore, muzika e Harapit mund të konsiderohet edhe si “pikturë”, peizazh, prandaj është i domosdoshëm edhe kuptimi i saj. Koloriti i tingujve dhe perspektiva e melodisë, harmonia e tingujve-fjalë-ngjyrë, të japin përshtypjen e një peizazhi, personazhi ose grup personazhesh piktorik.

    “Mbresa që na lë muzika e Tonin Harapit, nuk ka të bëjë vetëm me përmasat e gjinisë në të cilën kompozon, por ajo mund të përftojë, qoftë edhe brenda disa çasteve, një imazh aq të veçantë, “të vizatuar” me aq elegance”. (A. Koci)

    Në qoftë se muzika e Jakovës është shumë terapeutike, muzika e Harapit është gjuhësore, vizatuese, perceptuese, ka tekst dhe kontekst, domethënie dhe domethënës.

    Para dy vitesh kam takuar një kritik arti të madh italian dhe pasi biseduam për artin në përgjithësi dhe atë muzikor në veçanti, më tha: “Është shumë e rëndësishme që të promovoni gjithmonë arritjet lokale, pavarësisht se ato kanë marrë vlera kombëtare e ndërkombëtare”. Pavarësisht se Tonin Harapi aktivitetin e tij e zhvilloi në Tiranë dhe studioi në Moskë, ai i takon të gjithë Shqipërisë, por në veçanti qytetit të lindjes, Shkodrës, që është pavetëdija e tij, prejardhja e tij. Në këtë kontekst dua që të rikujtoj disa personalitete të shquara të artit, të cilët fillimet e tyre i kanë marrë tek arketipi i tyre lokal, pikërisht Shkodra. Sot do të shkruaj, siç e thashë në fillim, për një muzikant të vërtetë shkodran dhe shqiptar, Tonin Harapi, që qëndron në Olimpin e kompozitorëve shqiptarë dhe vepra e tij dallohet për një frymëmarrje të gjerë, me cilësi të veçanta artistike. Mesazhi i muzikës së Harapit është mjaft tërheqës, është mesazh i një arti muzikor, i menduar si poezi e artikuluar në formë të përkryer. Muzika e Harapit është tipike artikulative. Për Tonin Harapin tingulli ka vlerën e fjalës.

    Ai kishte një frymëzim të mirëfilltë, të cilin e përcolli në gjini nga më të larmishmet.

    Tonin Harapi është muzikanti tipik liriko-epik. Por unë në punën time jam i prirë të studioj dhe rikujtoj vlerat e tij të mëdha kryesisht në planin lirik pa anashkaluar ato të planit epik. Më ka impresionuar gjithmonë lirika e punëve të Harapit. Tonin Harapi ishte kompozitori tipik lirik. Lirizmi si rrymë muzikore, filozofi, mënyrë e të perceptuarit të realitetit ka domethënie në punët e Harapit. Harapi e përjeton, mendon, artikulon dhe e shkruan lirizmin në muzikën e tij, duke i dhënë kuptim këtij fenomeni, procesi.

    “Këngëtarët, sipas Tonin Harapit, kur luanin ariet dhe këngët, duhej të fitonin edhe tiparet e aftësitë e një aktori lirik, për të cilin mishërimi i personazhit gjithmonë i paraprinte bukurisë së këngës apo të aries. Lidhur me këtë të fundit, Tonin Harapi mendonte se i vetmi dallim midis aktorit dramatik dhe atij lirik është se i pari shprehet duke folur, ndërsa i dyti duke kënduar, por të dy e kanë për detyrë të luajnë në skenë”. (Akil Koci).

    Tonin Harapi tregonte të njëjtin seriozitet, si në kompozimin e temave lirike, ashtu edhe të atyre epike.

    Poezia lirike është formë e poezisë me skema ritmike që shpreh emocione personale dhe ndjenja. Në kohët antike, poezitë lirike këndoheshin të shoqëruara nga lira.

    Epikë, prej Greqisë së lashtë, (epos) do të thotë “fjalë, histori, poemë”.

    Këto përcaktime nga historia e letërsisë dhe dijes botërore dhe lirika dhe epika kombëtare janë udhërrëfyeset e muzikës së Harapit, e krijimit të “poezisë lirike muzikore”. Është pikërisht kjo filozofi, që krijoi idenë e muzikës liriko-epike tek “mjeshtri i muzikës-fjalë”, duke e bërë poet të muzikës. Tonin Harapi e imagjinonte dhe perceptonte poezinë lirike kombëtare, e cila është mjaft e pasur artistikisht dhe shpirtërisht.

    Ja se çfarë shkruan Nasho Jorgaqi për poezinë lirike shqiptare, për lidhjen fjalë-muzikë, domethënie domethënës:

    “Në përfytyrimin tim, poezia lirike shqipe gjithnjë i ka përngjarë një orkestre, e cila ka përftuar muzikë të shpirtit e të botës shqiptare. Një muzike të fuqishme dhe delikate, që më ka tingëlluar e ekzekutuar sa nga instrumentet kombëtare si fyelli e zurnaja, lahuta e çiftelia, aq dhe nga instrumente universale si violina e flauti, kitara e lira e deri te buria e trumbeta”. (Prof. Nasho Jorgaqi, “Meditime për poezinë lirike shqipe” nga Botimet Shqiptare më 2010).

    E solla këtë shembull për të kuptuar perceptimin e shkrimtarit për termin lirikë e fjalës, të cilën e kupton si muzikë.

    Dihet se në arsenalin e çdo letërsie, lirika përbën shkallën më të lartë të ndjeshmërisë poetike. Ajo është poezia e poezisë, rinia e saj e përjetshme. Poetët që e frymëzuan Harapin për artin e tij lirik, pa dyshim ishin Buzuku, De Rada, G. Dara, P. Vasa, N. Mjeda, Gj. Fishta, Çajupi, Asdreni dhe epikët si Fishta, Naim Frashëri.

    Forma letrare si soneti, balada, pastoralja dhe kanconi dhe metri ndikuan gjithashtu tek “poezia muzikore” e Harapit, duke i dhënë shpesh muzikës së tij nëpërmjet theksave të caktuar ritëm strofash.

    Pra, lirika, gjinia e letërsisë artistike, e cila përfshin veprat që shprehin në vargje ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet e tjera të poetit, muzikantit, të kompozitorit është e pranishme në punët e Harapit. Ajo përbën shkallën më të lartë të ndjeshmërisë muzikore.

    Lirika poetike është baza e krijimit të muzikës poetike të Harapit. Në kundërshtim me Jorgaqin, tingulli për Harapin ishte fjalë, muzika ishte poezi.

    Në punën time, nuk dua të bëj analizën, historikun dhe kritikën e veprave për piano dhe orkestër të T. Harapit dhe veprës së tij në përgjithësi. Qëllimi im është të analizoj elementët lirikë dhe epikë të Toninit, të kthyer në muzikë si poezi dhe cilat ishin ata elementë psikologjikë që ndikuan tek ky lirizëm tipik shqiptar, pse jo universal. Në të gjithë artin e tij ai përshkruan me një lirizëm të thellë, tipik natyrën, psikologjinë, virtytet njerëzore, filozofinë e qytetit të tij dhe atë kombëtare.

    Vepra e tij i është e përkushtuar totalisht artit e atdheut, pjesë e lirikës patriotike qytetare e pse jo dashurore. Harapi krijoi një muzikë, të cilën, sa herë e dëgjojmë, bindemi se është mbështetur në tabanin kombëtar, në motive popullore. Poeti i tingujve nuk la motiv, imazh, peizazh të Shkodrës dhe të Shqipërisë pa muzikuar, poetizuar, gjuhësuar. Ai u dha këtyre fenomeneve lirinë, shansin për t’i kuptuar, prandaj lirizmi i tij është shumë domethënës, komunikativ.

    Ai, i frymëzuar nga letërsia, lirika klasike, romantike evropiane dhe shqiptare, historia dhe legjendat tipike kombëtare, arrin të transmetojë nëpërmjet tingujve të instrumenteve dhe orkestrës atë pjesë të shpirtit të tij shumë të brishtë dhe mjaft lirik, të lirë, jo të ndërlikuar. Muzika e tij është qartësisht lirike. Në këtë lirizëm natyrisht dëgjohen qartë dhe kuptohen edhe shqetësimet e tij për njerëzit, kombin, qytetin e tij. Tonin ishte tipik inteligjent. Kjo “inteligjencë lirike” dallohet qartë në punët e tij me natyrë lirike. Arti ka në strukturën e tij edhe inteligjencën njerëzore. Punët e Harapit shquhen për frymëzim, fantazi dhe inteligjencë muzikore që është inteligjencë poetike

    “Tonin Harapi, me gjuhën e pasur artistike, na sjell shpirtin melodioz duke krijuar imazhe të qarta e të kuptueshme, që frymëzojnë dhe, sipas rastit, shqetësojnë”. (Akil Koci).

    Harapi ka qenë i pranishëm në të gjithë gamën e zhanreve të muzikës, duke filluar nga kënga në frymën e muzikës popullore, argëtuese, klasike e deri në ato më të sofistikuarat, në muzikën e dhomës, simfonike dhe skenike.

    Ai ka qenë një artist i lindur, me një muzikalitet të pashoq e me një zgjuarsi të madhe.

    Lirizmi i tij vjen si pasojë e shpirtit të tij mendjes së tij dhe formimit dhe edukimit të tij. Ai formimin muzikor e mori nga muzika serioze, por është interesant fakti që lirizmi tij është tipik shqiptar shkodran, i ka rrënjët maksimalisht edhe tek arketipi i tij.

    Tonin Harapi i gjuhëson pjesët e tij. Muzika e Tonin Harapit shoqërohet nga një sintaksë e mirëfilltë. Në të gjitha veprat e tij, fjalitë muzikore u ngjajnë fjalive kryesore dhe nënrenditëse, fjalisë së gjuhës së shkruar. Në punët e Harapit, gjithmonë me një gjuhë simbolike, siç shprehet muzika, dallohen qartë veçoritë e përdorimit të pjesëve të ndryshme të ligjëratës muzikore në fjali.

    Nëpërmjet liriko-epikës, në një rekuiem ai i këndoi lirisë dhe optimizmit, por autori për të përshkruar vuajtjet njerëzore iu drejtua muzikës sacra, tek e cila përpiqet që të shprehë vuajtjet, po edhe përsëri lirizmin, epizmin njerëzor, si p.sh. tek pjesa “Libera me”, thirrje, baladë për liri e demokraci e tij, njerëzve të tij dhe e të gjithë kombit të tij.

    Rekuiemin e ka 24 pjesë “Introitus”, “Dies irae” dhe “Rex tremendae”, pastaj “Kyrie”, “Sanctus”, “Qui Marionabsouti”, “Lacrimosa”, “Tuba mirum”, “Sanctus”, më tej: “Benedictus”, “Agnus Di”, “Lux aeterna” dhe “Libera me”.

    Harapi fëmijërinë dhe vitet e para të rinisë i kaloi në një mjedis traditash muzikore, siç ishte qyteti i Shkodrës, me muzikantë të tillë si Palokë Kurti, Frano Ndoja, Martin Gjoka, Mikel Koliqi, Zef Shestani, Prenkë Jakova etj. Këta të fundit ishin edhe mësuesit e tij të muzikës dhe drejtuesit e formacioneve orkestrale ku ushtrohej si instrumentist kompozitori i ardhshëm gjatë kohës që studionte në Seminarin Papnor të jezuitëve në Shkodër. Por, meqenëse pas Luftës së Dytë Botërore klerit iu ndalua veprimtaria shkollore e artistike, Tonin Harapit iu desh të ushtrohej në pianon e tij si autodidakt deri në vitin 1947, kur rifilloi studimet në Liceun Artistik në Tiranë me pedagogë të tjerë të njohur të asaj kohe, si Lola Gjoka, Tonin Guraziu, Kostantin Trako etj. Si autodidakt vazhdoi të studionte e të shkruante edhe në Shkodër e Gjirokastër (gjatë shërbimit ushtarak) derisa u lejua më në fund të shkonte për studime të larta në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1959) ku mundi të qëndronte vetëm për dy vjet.

    Tonin Harapi lindi në vitin 1926 dhe vdiq në vitin 1992

    standard
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Dom Mikel Koliqi dhe Harapi

    Dom Mikel Koliqi dhe Harapi



    Tonin Harapi i ri në moshë ka pasur marrëdhënie shumë të mira me Dom Mikelin. Ai e ndihmonte Dom Mikelin duke luajtur në harmonium. Krahas muzikës Harapi mësonte edhe teologji dhe filozofi. Në momentin e arrestimit të Dom Mikelit nga forcat e Sigurimit, ai ishte prezent dhe me inteligjencën e tij shpëton në vepër të Dom Mikelit të titulluar “Rozafa”. Ja siç e përshkruan Gjon Simoni këtë ngjarje:

    “Në janar të vitit 1946, një i ri 20-vjeçar hyri si zakonisht në qelën e famullisë së Shkodrës. Ai vazhdonte të mësonte nga Dom Mikeli filozofi-teologji, pra po përgatitej për të hyrë në rrugën e meshtarisë. Gjatë kësaj periudhe, si muzikant i talentuar që ishte, ai ndihmonte Dom Mikelin, duke e zëvendësuar në drejtimin e korit të Katedrales dhe duke bërë shoqërimin me harmonium.

    Atë ditë, sapo hyri në ndërtesë, e kuptoi menjëherë se po ngjante diçka e pazakontë: po kontrollonin forcat e Sigurimit të Shtetit. Megjithatë, ai hyri në studion e Dom Mikelit. Që andej pa Dom Mikelin të arrestuar në dhomën pranë, ku agjentët e Sigurimit vazhdonin të rremonin, në mes të britmave të egra: "Mor ti! Ç’do ti këtu? Ik tutje! Pse e keni lënë këtë njeri të hyjë?"

    Tonin Harapi mori të dilte, kur mbi piano i zuri syri një dosje, mbi të cilën ishte shkruar me germa të mëdha "Rozafa". Pa ngurruar fare, mori shpejt dosjen me vete, i vetëdijshëm se po shpëtonte nga humbja e sigurt një copëz të kulturës sonë kombëtare, dhe doli menjëherë nga qela. Në atë dosje kishte disa numra muzikorë nga tri melodramat. Ai i ruajti këto dorëshkrime muzikore pothuajse një gjysmë shekulli me shumë guxim, sepse po t'i zbulonte Sigurimi dhe po të keqësohej më shumë pozicioni i tij politik, që dhe ashtu ishte shumë i dobët gjatë diktaturës, pasojat mund të ishin shumë të rrezikshme. Pas disa vitesh, kur u lirua për së dyti nga burgu Dom Mikeli, T. Harapi shkoi për ta parë dhe deshi t'ia kthente dorëshkrimet e ruajtura, por ky i fundit i tha: "Këto të përkasin ty, sepse ti u kujdese për to gjatë gjithë këtyre viteve". Pas Dom Mikelit, vendin e dirigjentit (ose kapelmeisterit) dhe të organistit e zuri për pak kohë Tonin Harapi. Tek ky i ri Dom Mikeli kishte varur shpresa të mëdha, madje ishte i sigurt se kishte gjetur pasardhësin e shkëlqyer, jo vetëm për t'i dorëzuar shkopin e dirigjentit dhe vendin, por edhe për t'i besuar drejtimin e Veprimit Katolik të të gjitha moshave.

    Jeta u kthye në drejtim të kundërt, por edhe pse nuk mundi të vazhdonte rrugën e zgjedhur, Tonin Harapi vazhdoi aktivitetin artistik, duke u bërë një nga figurat më të shquara të muzikës sonë. Gjithashtu, me sjelljen e tij, ai u bë shembull i etikës artistike, dhe jo vetëm artistike. Qe shembull i edukatës shoqërore, i mirësjelljes dhe i kulturës, tipare të rrënjosura nga edukata, që mori nga mjedisi shoqëror dhe shkollor ku u formua. Kështu, Dom Mikeli, sido që në një mënyrë krejt tjetër, pa të realizuar tek nxënësi i vet shpresat dhe parashikimet e veta”.



    (Marrë nga libri "Simfonia e një jete - Kardinal Mikel Koliqi", të shkruar nga Gjon Simoni).

    standard
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •