-
Ftesë për në Boboshticë
Ftesë për në Boboshticë
E HENË, 15 NENTOR 2010 13:01
http://www.panorama.com.al/panorama/...one&Itemid=410
Nga
LIR KULLA
I dashur Vangjel,
Në cilësinë e një miku dhe një bashkëbiseduesi dashamirës prej vitesh, po të shkruaj këtë letër në pamundësi fizike për të të takuar dhe për t’i biseduar nga afër këto radhë, pasi u bënë shumë pak ditë që kam dalë nga spitali grek “Hygeia”, në Tiranë. E theksova spitalin, sepse këto ditë të pashë në televizor nga dhoma e spitalit, teksa...
flisje për Boboshticën. E theksova edhe për të të rikujtuar se unë nuk i përkas asaj shtrese njerëzish, që kanë ndjenja fobie ndaj kombësisë së tjetrit, siç ndodh ndonjëherë ndaj shqiptarëve në Greqi, apo siç ndodh edhe ndonjëherë ndaj grekëve në Shqipëri. Unë kam shumë miq grekë në Shqipëri dhe në Greqi Vangjel, e një ndër ta je ti. Madje dy kushërinjtë e mi të parë janë krushqëzuar me bashkëshortë grekë, njëra në Shqipëri e tjetri në Greqi. Ti vetë më ke thënë që edhe Kryepeshkopi Anastas e çmon shumë punën që unë kam bërë si kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve në qeverinë “Nano”. E kemi diskutuar edhe kur ishim bashkë në vizitë zyrtare me Presidentin Topi në Athinë, tri vite më parë. Ta kam thënë edhe kur të kam shprehur gatishmërinë time vite më parë, pse jo edhe të kandidoja nën siglën e forcës tënde politike, në fushën e Korçës, rajonin e origjinës së familjes time. T’i thashë të gjitha këto si parantezë për atë që do të shkruaj më pas.
* * *
Vangjel, të ftoj për një fundjavë në një darkë me lakror e ç’vjen pas në Boboshticë. Lakrori me saç është një nga traditat gastronomike të asaj zone. Ai sot përbën një nga zërat kryesorë të turizmit vendas, bashkë me rakinë e kumbullës. Unë nuk e di sesa ngre peshë në zërin e përllogaritjeve të turizmit nga INSTAT lakrori i Boboshticës, por, nëse do të duhet, do të ishte mirë të futej edhe kjo çështje në censimentin e madh të 2011, atë në të cilën do të matet përkatësia fetare dhe ajo etnike. Nëse vjen për darkë Vangjel, do të ftoj edhe një shokun tim të vjetër të shkollës, që ka lindur, jeton dhe banon aty në Korçë, Kostën. Mbase ia mbush mendjen dhe vjen e na tregon atë historinë kur në 1994 e ftuan së bashku me një shok të vetin në Athinë, në bodrumin e një kishe, ku i thanë se fshehurazi OMONIA po organizonte një mbledhje sekrete për çlirimin e Vorio-Epirit. Të them të drejtën, Kosta merrte vesh ca nga armët, se së bashku kemi qenë në shkollën ushtarake “Skënderbej”, po aty kishte vajtur për një qëllim tjetër. Tërë këto vite ka “punuar” me refugjatë (siç i thonë andej nga Korça) për në Greqi, duke i bërë të tërë ata që kanë paguar sikur të ishin minoritarë grekë denbabaden. “Shumë grekë prej Kukësi e prej Shkodre kam kaluar tërë këto vite”, mburret Kosta kur më flet për aktivitetin e tij dobiprurës. Në këtë mbledhjen “sekrete” në Athinë, Kosta nuk ishte vetëm, kishte edhe shumë të tjerë po nga Korça, që kishin të njëjtin dell profesional të shokut tim Kosta. I gjori prift që drejtonte mbledhjen, së bashku me një greko-amerikan të Frontit Panepiriot, që kishte ardhur nga përtej oqeanit, po dëgjonte “raportin” e njërit nga pjesëmarrësit, i cili kishte ardhur nga brenda territorit të “Epirit të Pushtuar”, dmth: nga Korça. I dërguari po thoshte me plot solemnitet se në Korçë kishin 300 burra të armatosur, në Dishnicë 80, në Devoll 200, në Opar 100, në Voskopojë 50, madje edhe në Pojan e Progër e gjer në Mal të Thatë. Ndaj, si asnjëherë më parë nevojitej që këtyre çlirimtarëve t’u jepeshin ndihma në dhrahmi e mbështetje për armatim! I shastisur, shoku im Kosta u kërkoi fjalën drejtuesve të mbledhjes “sekrete” dhe ata ia dhanë… E Kosta i tha në ligjëratë të drejtë e në dialekt korçar: “Po çne o ty mbylltë, po ç’ushtri çlirimtare kini yve, po ç’njerëz të armatosur kini, nga i gjetët ?... të tërë refugjatë i kini, si unë, ne duam t’i kalojmë këndej e t’u marrim paratë, pastaj të bëjnë ç’të duan… Po ju ini të tërë si unë mashtrues, çi gënjeni këta ditëzinj!”(e kishte fjalën për priftin e atë greko-amerikanin). Natyrisht, i dërguari nga “Epiri i Pushtuar” pasi dëgjoi Kostën në ligjëratën e tij të drejtë në shqip, uli kokën dhe e mbylli mbledhjen, se këtij Kostës, helbete, ia kishte ca frikën, se nga mëhalla e çobenjve vinte në Korçë. E kotë të them Vangjel që ky i “dërguari” nga “Epiri i Pushtuar”, në atë kohë ishte drejtues i OMONIA-s në Korçë e më vonë në 2001 u bë dhe deputet nga partia jote, besoj të vjen në mendje kush është. Por, që nga 2005 s’e kam parë më në qarkullim, me siguri biznesi i ecën mirë dhe i ka harruar edhe çlirimtarët edhe refugjatët. Të them të drejtën, kjo gjë m’u kujtua kur disa muaj më parë vetë konsulli grek në Korçë mori përsipër t’i denonconte publikisht këta keqbërës, të cilët përdornin vulën dhe emrin e OMONIA-s për të shitur viza. Gjithashtu, edhe shoku im Kosta ditën e heqjes së vizave, teksa më telefononte për të më uruar shërim të shpejtë, më shprehu pakënaqësinë e tij që epoka e vizave kishte mbaruar.
* * *
Vangjel, unë jam dakord me ty që eshtrat e ushtarëve të rënë në luftë duhet të nderohen. Është në nderin e të dyja vendeve që ata të kujtohen. Ndaj, edhe në vendin tonë ka varreza të ushtarëve francezë, të ushtarëve britanikë, të ushtarëve grekë, etj… Por nuk mund të ndërtohen kudo kryqe e varreza, ku ata kanë rënë. Sapo kam lexuar kujtimet e një togeri italian, Giovanni Bonomi quhet. Ky ka qenë gjithashtu kapelan katolik në vitin 1943, në ushtrinë italianë në Shqipëri, teksa Italia fashiste kapitulloi dhe trupat italiane duhet të tërhiqeshin në kaos. Teksa italianët janë tërhequr, ata janë masakruar me qindra e mijëra në Tepelenë, në Drashovicë, në Sarandë, në Porto Palermo, etj. Edhe këta ushtarë, shumica të masakruar nga gjermanët të cilët i konsideronin tradhtarë, ishin viktima të luftës së dytë botërore. Nëse do të duhet që për çdo ushtar grek të ngremë nga një kryq, po për ata italianë të luftës së parë e të dytë, po për austriakët e të tjerët, ç’duhet të bëjmë?! I bie që Shqipëria të bëhet një varrezë e madhe, kështu dhe kjo nuk shkon…
* * *
I dashur Vangjel, para disa muajsh e festova ditëlindjen në Athinë. Pa kompliment mund të të them që u kënaqa shumë. Miku im, i cili në shkurt të këtij viti më kishte bërë një vizitë në Tiranë së bashku me të shoqen, bëri të mundur të më kënaqte me mikpritjen e tij të madhe. Mes të tjerave, më ftoi të vizitoja nënën e tij në Korinth. Nëna e tij ishte një zonjë e grua në moshë. Teksa mora t’i flas në anglisht, më surprizoi duke më folur në shqip. Ngela për një moment, por çudinë ma hoqi vetë zonja, duke më thënë në shqip se ishte arvanitase dhe se në familjen e saj flitej shqipja. Duke u ndjerë mirë e pyeta nëse e ndiente veten shqiptare apo greke? Zonja qeshi e më tha se të njëjtën pyetje ia kishte bërë Ramiz Alia në 1987, kur bashkë me një grup tjetër arvanitasish kishin vizituar Shqipërinë. Në atë kohë, zonja i kishte thënë Ramizit se, pavarësisht se ishte arvanitase në ndeshjen Greqi-Shqipëri, të cilën e kishte fituar Greqia 2 me 0, ajo kishte mbështetur Greqinë. M’u kujtove ti në atë moment Vangjel, sepse para disa vitesh, kur të pyeta kë kishe mbështetur në ndeshjen Greqi-Shqipëri, natyrisht Shqipërinë më the...
* * *
I dashur Vangjel! Të ftoj në Boboshticë jo vetëm për mikpritjen dhe traditën e mirë gastronomike të korçarëve, prejardhje me të cilën krenohem, por edhe për të biseduar për vendin tonë të përbashkët, Shqipërinë, për të ardhmen e saj evropiane. Unë forcën tënde politike e kam parë gjithnjë me shumë respekt, si forcë të rëndësishme politike, si forcën e njerëzve që vuajnë në burgje nga diskriminimi racial dhe fetar, si atë që mund të mbrojë më të dobëtin, më të sëmurin, më të pambrojturin, më të sfiliturin nga jeta e vështirë dhe tranzicioni. Për fat të keq, vitet e fundit të kam parë si një kryetar vetëm të një pjese të vogël të atyre shumë individëve në Shqipëri, të cilët kanë nevojë të mbrohen në të drejtat e tyre.
Duke shpresuar që nuk do ma marrësh për keq këtë komunikim publik,
me respekt, Ilir Kulla.
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt