Skenderaj, 27 nëntor – Rreth 1 000 të pranishëm, kryesisht punëtorë të arsimit, e kanë pritur gjatë kryeministrin Thaçi, por ai nuk ka ardhur as në darkën e së premtes, sikundër që nuk kishte ardhur as vikendin e kaluar në një mbrëmje të organizuar me anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së.
Në vend të tij ka ardhur ministri i Arsimit në largim, Enver Hoxhaj, i cili para të pranishmëve ka folur dy herë për më pak se gjysmë ore, sa ka qëndruar në darkë. Në fjalimin e parë, ai premtoi rritje të pagave për mësimdhënësit 100 për qind. “Në vitin 2011 pagat e juaja do t’i ngrisim 100 për qind. Këtë ju e meritoni”, tha Hoxhaj, kurse premtimi i tij u prit me entuziazëm nga të pranishmit. Mirëpo, nuk kaluan as 15 minuta dhe ministri doli prapë në foltore dhe “i hangër” fjalët e veta. “Pagat e juaja do të jenë më të larta për 50 për qind, edhe pse ju e meritoni më shumë”, tha ai para se të largohej nga salla, ndërkohë që edhe të pranishmit përgjysmuan duartrokitjet dhe ovacionet.
Të pranishmit dëgjuan playback edhe një fjalim të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçit, mungesa e të cilit u arsyetuar me frazën “ishte i zënë me punë tjera”.
Opozita është shprehur kritikuese rreth këtyre organizimeve të qeveritarëve në largim. Jetulla Behrami (LDD) këtë e ka quajtur keqpërdorim të pozitës, por edhe të buxhetit.
“Ky është manipulim i pastër dhe mashtrim i votuesve. Buxheti nuk është miratuar dhe nuk ka mundësi të rritjes as 50, as 10 për qind. E vetmja mundësi është që t’i paguajnë nga parat publike me të cilat kanë mbushur xhepat e vet”, ka qenë kategorik ai.
Të pamundur realizimin e çfarëdo premtimi e ka quajtur edhe Rushit Haliti (AAK), sipas të cilit edhe kjo është një formë e manipulimit me qytetarët.