
Postuar më parë nga
Dar_di
Këtë vit le të vendosim vetë se kë do të votojmë
Po bëhemi dëshmitarë të mungesës së mundësive që përmes zgjedhjeve të shprehet vullneti i lirë i votuesit të sotëm në Kosovë. Nëse një anëtar i familjes do të vazhdojë të vendosë edhe sivjet se kë duhet votuar dhe anëtarët tjerë t’u binden vendimeve të tilla dhe nëse asgjë nuk ndërmerret që ky fenomen kundërligjor dhe i keq të luftohet, atëherë do të kemi përfaqësues politikë që dalin nga vullneti i cunguar i popullit dhe si të tilla zgjedhjet nuk do të jenë të sinqerta dhe fer. Me e keqja e këtij shqetësimi është se partitë politike ekzistuese tashmë e kanë mësuar si t’i “qasen” kësaj dukurie, ndërsa formacionet e reja politike, qofshin ato të formuara apo ato që mendojnë të formohen do të mundë të ishin viktimë e kësaj dukurie
Deri më tani Republika e Kosovës ka kaluar nëpër gjashtë palë zgjedhje lokale dhe të përgjithshme, të fundit ishin ato të organizuara në vitin 2009. Partitë e ndryshme politike kanë bërë fushata parazgjedhore në forma të ndryshme, qoftë me marketing-sidomos medial, ndërsa ka pasur fushata pak më “kreative” gjatë të cilave i kemi parë politikanët pretendues duke shëtitur nëpër parqe apo në pasfushat e blloqeve të banesave në Prishtinë duke hequr mbeturinat apo duke “i kontribuar komunitetit” me ndonjë punë tjetër konkrete. Por, pati edhe nga ato parti politike që mezi ia dolën të bënin disa klipe televizive për shkak të buxhetit të tyre të vogël.
Në një mënyrë apo tjetër, të gjitha partitë politike e përfunduan “misionin” e tyre parazgjedhor, mision që jo doemos vazhdon pas përfundimit të fushatës dhe marrjes eventuale të pushtetit. Pastaj u erdhi radha banorëve të Kosovës të kryejnë “misionin” e tyre duke dalë që të votojnë këtë ose atë kandidat apo parti politike që gjatë fushatës premtonte një varg ndryshimesh lidhur me gjendjen tejet të rëndë në Kosovë! Të gjithë pajtohen se në Kosovë ekziston një gjendje e rëndë, qoftë ekonomike apo sociale, por sa kanë qenë dhe do të vazhdojnë pajtimet lidhur me nevojën për ndryshimin e kësaj gjendjeje mbetet çështje krejt tjetër. Ata që më së shumti janë të interesuar të dalin nga kjo gjendje janë banorët e Kosovës, votuesit potencialë!? Si e realizoi qytetari misionin e tij për të lëvizur gjërat në drejtim të ndryshimit? Mos të harrojmë që bëhet fjalë për një proces të thjeshtë teknik me pasoja jo aq të thjeshta politike!
Sipas analizave të bëra nga organizata joqeveritare dhe analistë politikë gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, por edhe pas tyre, një ndër shqetësimet kryesore, shqetësim ky që jo rrallë herë është quajtur edhe si incident nga organizatat monitoruese të zgjedhjeve, ishte votimi familjar! Ky shqetësim mund të jetë më i madh dhe më serioz se sa që duket!
Si monitoruese vullnetare e zgjedhjeve në të gjitha zgjedhjet që janë organizuar në Kosovë më ka rastisur të monitoroj si në Rrafshin e Dukagjinit ashtu edhe në atë të Kosovës dhe votimi familjar ka qenë prezent vazhdimisht në të dyja rrafshet! Në zgjedhjet e fundit monitorova në Stanovc të Poshtëm. Një prej rasteve të shumta ishte kur kryefamiljari, i cili ishte rreth moshës 50-vjeçare “solli” bashkëshorten dhe nënën e tij që të votonte. Ai u sigurua që të dy zonjat të votonin për preferencën e tij politike duke u afruar në kutinë e votimit ku edhe votoi për të dyja. Arsyetimi i tij ishte së zonjat nuk e ndjekin politikën dhe nuk marrin erë në politikë, arsyetim ky që ishte i pranueshëm për anëtarët e KQZ-së të cilët lejuan të ndodhte një gjë e tillë! Kjo dukuri negative mund të shikohet edhe nga aspekti i të menduarit kolektiv i shoqërisë sonë dhe nga aspekti i mosbarazisë gjinore, të cilat aspekte kanë nevojë të trajtohen ndaras dhe më gjerësisht, por jo në këtë shkrim!
Votimin familjar e kam hasur gjithnjë dhe kam fituar përshtypjen që ky nuk trajtohet si problem serioz për disa arsye e njëra ndër ato është se të gjitha palët e përfshira në organizimin e zgjedhjeve janë të orientuara dhe fokusuara që të mos ketë incidente të mëdha, e që do të ishin shumë evidente dhe do të ndikonin në procesin zgjedhor. Ndërsa problemet tjera që hasen gjatë zgjedhjeve, konsiderohen si jo relevante dhe që nuk ndikojnë në atë se a do të jenë zgjedhjet e lira, fer dhe demokratike! Kur kjo ndodh në vendvotim, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve apo thënë ndryshe përgjegjësit kryesorë të mbarëvajtjes së zgjedhjeve, zakonisht “sodisin” duke mos çarë kokën për këtë shkelje kaq të rëndë.
Kjo dukuri nuk është diçka që është hasur vetëm nga unë. Instituti Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime të Politikave në analizën e tyre për zgjedhjet e vitit 2007 ka konkluduar se dukuria e votimit familjar është vërejtur në 62% të vendvotimeve. Alarmante apo jo? Ndërsa, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, i cila në bashkëpunim me organizatat joqeveritare më aktive të Kosovës ka bërë monitorimin e disa prej zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë, votimi familjar vazhdon të jetë i pranishëm. I njëjti shqetësim është përcjellë edhe nga mediat kosovare, por vetëm në nivel të shqetësimit dhe nuk është bërë ndonjë bujë e madhe lidhur me këtë.
Rrjeti Evropian i Organizatave për Monitorimin e Zgjedhjeve - ENEMO, organizatë kjo e cila përbëhet nga 21 organizata qytetare nga ish-Unioni Sovjetik dhe Evropa Qendrore dhe Lindore, me ftesën e ish-presidentit të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu ka monitoruar zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë. Sipas ENEMO-s: “rastet e shumta të votimit familjar jo vetëm se janë të kundërligjshme, por përbëjnë shkelje të rëndë të një ndër parimeve më të rëndësishme e që është sekreti i votës.”
Deri më tani, nuk dihet nëse është ndërmarrë ndonjë iniciativë për të përmirësuar situatën aktuale por ajo që dihet është se në të ardhmen e afërt kjo problematikë nuk është në agjendën e përgjegjësve. Muajin e kaluar është formuar Grupi Punues Zgjedhor, pjesë e të cilit ishte edhe Komisioni Qendror Zgjedhor, grup ky që ka marrë përsipër të ndryshojë ligjin ekzistues zgjedhor. Grupi Punues Zgjedhor gjatë punës së tij as që ka diskutuar lidhur me këtë problematikë, por është kujdesur vetëm për ato pjesë të ligjit të cilat janë të rëndësishme për vetë partitë politike.
Po bëhemi dëshmitarë të mungesë së mundësive që përmes zgjedhjeve të shprehet vullneti i lirë i votuesit të sotëm në Kosovë. Nëse një anëtar i familjes do të vazhdojë të vendosë edhe sivjet se kë duhet votuar dhe anëtarët tjerë t’i binden vendimeve të tilla dhe nëse asgjë nuk ndërmerret që ky fenomen kundërligjor dhe i keq të luftohet atëherë do të kemi përfaqësues politikë që dalin nga vullneti i cunguar i popullit dhe si të tilla zgjedhjet nuk do të jenë të sinqerta dhe fer. Më e keqja e këtij shqetësimi është se partitë politike ekzistuese tashmë e kanë mësuar si t’i “qasen” kësaj dukurie, ndërsa formacionet e reja politike, qofshin ato të formuara apo ato që mendojnë të formohen do të mund të ishin viktimë e kësaj dukurie.
Kësaj here le të dalim të gjithë në zgjedhje, por me kusht që secili të vendosë vetë se kë do të votojë!
Flutura Kusari, aktiviste e shoqërisë civile dhe monitoruese vullnetare e të gjitha zgjedhjeve në Kosovë. ("Koha ditore")
Krijoni Kontakt