Fitoi tenderin nga Qeveria - ia bën fushatën PDK-së
Arbana Xharra | 27-11-2010 10:41 CET
Kompania, e cila rreth dy muaj më parë e ka fituar një tender në Qeverinë e Kosovë për të kryer punë për Ministrinë për Ekonomi dhe Financa (MEF), është duke i bërë edhe fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke hapur kështu dyshime për konflikt interesi.
Kjo fushatë ka nisur me “Letrën Publike” të kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, e cila botohet përditë gati në të gjitha gazetat ditore me nga një faqe të plotë, shuma e përafërt ditore e së cilës është disa mijëra euro, shkruan në numrin e sotëm gazeta Zëri.
Kompania “D-Line Advertising Studio”, e cila është duke kryer punë për PDK-në sa ka qenë kjo kompani në pushtet, në muajin shtator, ka fituar tenderin për “Relacionet me publikun dhe të gjitha botimet për nevojat e MEF-it”.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF), për më tepër që nga viti 2007 e këtej udhëhiqet nga PDK-ja, ndërsa ministër i saj është Ahmet Shala,
Zëdhënësi i Qeverisë në largim, Memli Krasniqi, i pyetur për mënyrën e pagesës së kësaj fushate në mënyrë arrogante ka thënë: “Ju e dini mirë se kë e ka kontraktuar PDK-ja për fushatë, edhe paratë nuk janë të Qeverisë por të PDK-së”.
“Nuk kam kohë të përgjigjem vetëm e çova telefonin për t’ju thënë se s’kam kohë”, ka thënë Kransiqi.
Kompania D-Line Advertising, ka qenë e angazhuar nga PDK, për reklama për shtypin edhe gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Përmes kontos së kësaj kompanie gazetave u janë paguar hapësirat reklamuese të përdorura nga kjo parti.
Pronari i kompanisë Lirion Kadriu, ka thënë se tenderi të cilin e ka fituar në qeveri nuk ka të bëjë asgjë me fushatën që është duke i bërë PDK-së.
“Në tenderin që e kemi fituar në qeveri kemi qenë më të mirë dhe dukshëm më të lirët, por ai tender s’ka të bëjë asgjë me fushatën e PDK-së”, ka thënë për gazetën “Zëri”, Kadriu.
Kadriu, megjithatë, ka shtuar se nuk është e sigurt nëse ata do të jenë kryesorët në organizimin dhe udhëheqjen e tërë fushatës së PDK-së.
Shoqëria civile ka reaguar duke thënë se nuk është hera e parë që PDK-ja këto punë i kryen duke e përdor pushtetin që e ka.
http://www.zeri.info/artikulli/2/8/1...shaten-pdk-se/
Krijoni Kontakt