Vritet Ali Haskaj, ish-ushtar i UÇK-së
Publikuar: E shtune, më 20 nëntor 2010
Pejë, 20 nëntor - Ali Haskaj, 48-vjeçar nga fshati Irzniq i komunës së Deçanit, ish-ushtar i UÇK-së, është vrarë në mëngjesin e hershëm të së shtunës. Vrasja ka ndodhur në një lokal hotelier në fshatin Jabllanicë të Pejës. Nga të shtënat është plagosur edhe një person tjetër i moshës 42-vjeçare, i cili po trajtohet në Spitalin rajonal të Pejës.
Rastin e ka konfirmuar zyrtari për shtyp i Policisë së Kosovës në Drejtorinë e Pejës, Zeqir Kelmendi.
“Më 20 nëntor, rreth orës 02:00, policia e Stacionit të Pejës është informuar se në lokalin “Damiana”, në fshatin Jabllanicë, ka të shtëna armësh dhe se besohet se ka edhe të plagosur”, ka thënë Kelmendi, duke shtuar se policia në vendin e ngjarjes kishte shkuar pas pak kohësh.
“Në Spitalin e Pejës janë dërguar dy persona të plagosur për tretman mjekësor. Mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima (K/Shqiptar rreth 48 vjeçar) nga fshati Irzniq-Deçan, ka arritur pa shenja jete, ndërsa viktima tjetër (K/Shqiptar rreth 42 vjeçar) nga Peja është ndalur për tretman mjekësor në Spitalin e Pejës”, ka thënë ai.
Kelmendi nuk e ka dhënë identitetin e viktimave e as të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje tragjike.
Duke përshkruar rastin, ai ka thënë se hetimet e para tregojnë se në këtë lokal kishte plasur një fjalosje mes viktimave dhe të dyshuarve, të cilët më pas kishin shtënë me armë zjarri.
Zyrtari Kelmendi ka thënë se policia ka arrestuar katër persona, në mesin e të cilëve edhe një femër.
Burime nga spitali kanë treguar se i plagosuri në këtë ngjarje iu ka nënshtruar një operacioni dhe se në mesditën e së shtunës gjendjen e tij shëndetësore e kanë përshkruar si më të qëndrueshme.
I vrari Ali Haskaj ka qenë pjesëtar i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Dukagjinit. Burime të afërta me rastin tregojnë se i ndjeri Haskaj ishte i ulur në një tavolinë me të arrestuarit, që konsiderohen të dyshimtë për vrasjen e tij.
Zyrtari për shtyp, Kelmendi, ka treguar se të arrestuarit janë të moshës 33, 30 dhe 24-vjeçare, ndërkohë që për femrën e arrestuar paraditen e së shtunës ka thënë se nuk e di moshën e saj dhe as përfshirjen e saj të supozuar në këtë rast.
Burime të tjera, sërish anonime, kanë treguar se të arrestuarit janë A.U., Sh. U. dhe I. V. kanë thënë të jenë me prejardhje nga fshati Zhebel i komunës së Gjakovës, porse jetojnë në Pejë. Ndërkaq, për vajzën e arrestuar as Kelmendi i policisë nuk ka ditur moshën e saj dhe as nuk ka pasur njohuri se në ç’cilësi është
arrestuar.
“Policia ka konfiskuar dy revole, që besohet të jenë përdorur në këtë ngjarje, dhe një veturë”, ka thënë Kelmendi.
Krijoni Kontakt