Kur lexuam ato pak rreshta që Fatmiri kishte shkruar për gazetën "Shekulli" kurrsesi nuk besuam që fjalët e tij të ishin krejtësisht të vërteta. Banori i kësaj lagjeje shkruan se 15 familje nuk kanë as ujë, as drita, as rrugë e kjo ndodhte në një zonë që nuk është as 20 kilometra larg kryeqytetit.
E vërteta ishte shumë më e hidhur sa përpiqej të na bindte në atë copë letër Fatmiri. 15 familje jetojnë në zgrip të mjerimit. Janë vendosur aty që pas viteve 90, aherë kur nisi dhe eksodi i madh i veriut në drejtim të kryeqytetit. Nuk pyetën kur shkelën por fakti që ishin afër kryeqytetit mjaftonte për të shpresuar në një jetë më të mirë. Kjo ëndërr sot është kthyer në makthin më të madh për 15 familjet e vendosura në Kodër Mëzes. Jetojnë pa ujë, drita dhe rrugë. Janë të rrethuar nga kodra që duhet ti përshkojnë në këmbë. Janë vetëm 20 kilometra larg kryeqytetit, por sapo këmba të shkel aty të duket se së paku je kthyer 100 vite pas.
Vitore Ndrevataj, nëna e pesë fëmijëve, është edhe grua edhe burrë në shtëpinë e saj. "Erdhëm këtu për më mirë por kështu nuk jetohet më. Kemi frikë kur çojmë fëmijët në shkollë se nuk dimë a do të kthehen. Pa rrugë, pa ujë, pa drita, as kafshët nuk jetojnë kështu",- të thotë Vitorja.
Ashtu si të gjithë banorët e kësaj lagjeje, gjëja e gjallë u mban frymën njerëzve. Duhet të rritet një viç që të lajnë borxhet e thaseve të miellit, ndërkohë që asnjë prej këtyre familjeve nuk merr përkrahje sociale. Shtëpia po u shëmbet mbi krye, dhe burrat zor se gjejnë një punë të përditshme. "Ajo që duam është një rrugë, drita dhe ujë. Jemi të detyruar që edhe xhenazenë ta mbajmë në krahë për në varreza se nuk ka rrugë. Ujin e mbushim me gomar ndërsa drita është sa flaka e qiriut",-të thotë Fatmir Ferati.
Burrave u është sosur durimi. Të thonë se do të bllokojnë rrugën dhe fëmijët nuk do t'i çojnë më në shkollë. E kjo për Fatmir Ferhatin është e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmëndjen e pushtetarëve për të treguar që jetojnë në zgrip të mjerimit në kryeqytetin e vendit që kryeministri e shpalli pardje si miss bota.
Historia e 12- vjeçarit që rrugëton çdo ditë mbi një orë për të ndjekur shkollën
Luli i vocërr i shekullit 21-të
Arjani mbath çizmet e llastikut sa nisin shirat e para të vjeshtës. Deri në pranverë këmbët e tij nuk mbathin ndonjëherë këpucë. Rruga në të cilën duhet të ecë çdo ditë është e kalueshme vetëm me çizme të mëdha llastiku. Këmbët e tij janë mësuar me to edhe pse në të shumtën e kohës detyrohet t'i tërheqë zvarrë nga balta që i ngjitet pas. Por 12- vjeçari asnjëherë nuk ankohet për to. E di fort mirë që prindërit nuk mundet t'i ofrojnë më shumë dhe nuk bën zë. Që kur ka lindur është mësuar që përveç bukës çdo gjë tjetër në shtëpinë e tij është luks, qofshin këto dhe një palë çizme të reja apo lodra fëmijësh. Mjerimi e ka rritur Arjan Xhavën shpejt. Sa zbardh dita nis rrugëtimin e tij drejt shkollës. Duhej të ishte një rrugëtim drejt dijes por në fakt nuk është gjë tjetër veçse një sfilitje e përditshme për trupin e dobët të fëmijës.
Familja e tij është vendosur në Kodër Mëzes në fillim të viteve 90-të. Sot e kësaj dite, ende nuk ka një rrugë të kalueshme, qoftë dhe për këmbësorët. Fëmijëve të gjorë u duhet të ecin rrëpirës së kodrës mes shkurreve dhe baltës, e ky është një rrugëtim i përditshëm për në shkollë. Për të vajtur në Mëzes, aty ku është shkolla 8 -vjeçare Arjani duhet të ecë çdo ditë dy orë në këmbë. "A lodhem? Lodhem pak sidomos kur bie shi por nuk jam vetëm, ka dhe fëmijë të tjerë, e bëjmë rrugën bashkë. Vetëm nga lagjia jonë bëhemi 10",- tregon Arjani.
Arjanit i pëlqen të mësojë por për këtë i duhet të zgjohet në 6 të mëngjesit dhe të sfidojë baltën e Miss Botës. Madje rrezikon dhe jetën. "Po t'i biem shkurt nga qafa e kodrës rruga bëhet për 20 minuta por tani në dimër rezervati mbushet plot me ujë dhe është shumë e rrezikshme. Kur bie shumë shi nuk shkojmë dot në shkollë. Këtu nuk vjen dot asnjë makinë",- thotë Arjani. Fatin e fëmijëve të Kodër Mëzezit e dinë fort mirë dhe mësuesit e shkollës 8-vjeçare të kësaj zone. Nuk u venë mungesa.
"Kur ishin zgjedhjet, kryetari u ngjit deri tek ne, pastaj..."
Jo rrallë herë një përfaqësi prej 15 familjeve që jetojnë në Kodër Mëzez i kanë zënë derën kryetarit të komunës, z. Besnik Fuçia. Ujë, drita dhe rrugë janë kërkesat e vetmje që kanë banorët e kësaj lagjeje, kërkesa këto që prej vitesh bien në vesh të shurdhër tek përfaqësuesit e pushtetit vendor. Mungesa e fondeve është justifikimi i zakonshëm që kryetari nxjerr nga goja, sa herë që në derën e zyrës së tij sheh njerëz që ankohen. Madje kryetari as denjon të na takojë. Një roje tek dera e komunës të thotë se kryetari është i zënë dhe nuk ka kohë.
Fatmir Ferhati, banori që na shoqëron thotë se kryetari i tyre asnjëherë nuk ka kohë. "Kur ishin zgjedhjet kryetari u ngjit deri tek ne për të marrë votat por tani nuk denjon të na takojë",-thotë Fatmir Ferhati.
Për redaksinë e gazetës "Shekulli"
Jam një banor i komunës Kashar, vendbanimi, Kodër Mëzez. Po ju shkruajmë që të dërgoni tek ne një ekip tuajin për të parë si banojmë dhe ku jetojmë ne. Jemi 15 familje në kushte të mjeruara në çdo drejtim. Pa ujë të pijshëm, pa drita, pa rrugë automobilistike. Kemi insistuar disa herë duke i kërkuar përfaqësuesve të pushtetit vendor plotësimin e këtyre kërkesave që janë elementare por nuk na kanë ndihmuar. Shqetësimin tonë e kemi përcjellë dhe në kryeministri por prej 8 muajsh asnjë përgjigje nuk na ka ardhur. Ndaj po ju drejtohemi ju me shpresën se trajtimi i kësaj çështjeje në gazetën tuaj, do të zgjojë interesin e qeveritarëve që të plotësohen kushtet më minimale të jetesës për ne.
Me respekt
Fatmir Ferhati
Krijoni Kontakt