E ka lënë poezinë që të merret me politikë. Thotë se roli i femrës në vendimmarrje është lënë anash. Xhevahire Izmaku është e vetmja femër në Kosovë që mban postin e nënkryetares së një komune, asaj të Vushtrrisë. Ajo në zgjedhjet e 12 dhjetorit garon për deputete të Kuvendit të Kosovës, në listën e PDK`së.
Nga Lirita Halili më 20 nëntor 2010 në ora 12:12
Është e vetmja femër në Kosovë që mban pozitën e nënkryetares së komunës.
Përderisa në të gjitha komunat e Kosovës, zv.kryetarët janë meshkuj, kjo nuk ndodh edhe në Vushtrri. Xhevahire Izmaku ka lënë poezinë për t`u marrë me politikë. Në pozitën e nënkryetares së Komunës, ajo është vendosur në zgjedhjet e vitit 2007.
Dikur poete, e tash pjesë e politikës. Xhevahire Izmaku, karrierën e ka filluar me gazetari, për të kaluar më pastaj në zëdhënëse të Komunës së Vushtrrisë. Përveç kësaj, ajo ka punuar si menaxhere e Komunikimit në Institutin e Kosovës për Administratë Publike në Qeverinë e Kosovës, derisa në mungesë të votave për t`u zgjedhur deputete në Parlamentin e Kosovës, në zgjedhet e vitit 2007, asaj iu ofrua pozita e nënkryetares së Komunës së Vushtrisë, pozitë të cilën vazhdon ta ushtrojë.
Izmaku thotë se e ka lënë anash poezinë, sepse mendon që edhe politika është njëlloj arti.
“Madje edhe në filozofi thuhet se politika është arti i së mundshmes”, thotë Izmaku për Express.
Ajo e di se femra në Kosovës, në vendimmarrje është pak e lënë anash, por thotë se me punë arrihet çdo synim. “Nuk po them që është komplet faji i burrave politikanë për këtë pasqyrim, por ndonjëherë edhe ne hezitojmë për të marrë pozicionin të cilin e synojmë. Mirëpo, nëse ke vullnet për të bërë diçka, e arrin”, thotë e bindur nënkryetarja Izmaku.
Përveç pozicionit politik në Komunë, Izmaku thotë se ka zhvilluar edhe punë të cilat nuk lidhen fare me politikën.
“Kam komunikuar me qytetarë për të gjitha problemet që i kanë rrethuar. Prej mungesës së kanalizimeve, kërkesave për punësim, e shumë probleme të tjera që vazhdimisht i kanë preokupuar qytetarët e Vushtrrisë dhe fshatrave përreth”, thotë ajo.
E të gjitha këto arritje e kanë bërë atë që të ndjehet shumë më mirë përballë vendasve të saj, në pozicionin e nënkryetares, të cilin është e vetmja që e ushtron në Kosovë.
Për t’ju shpaguar mundi dhe suksesi i saj, Xhevahire Izmaku fitoi edhe në zgjedhjet e dyta gjatë vitit 2009 pozitën e njëjtë, nënkryetare e Komunës. “Mendoj që kam treguar rezultat, i kam dhënë energji një qyteti që ka qenë i pazhvilluar, siç ka qenë komuna e Vushtrrisë”, thotë e bindur Xhevahire Izmaku, sipas të cilës, posti i saj në Komunën e Vushtrrisë ka bërë që edhe gratë ta kenë më lehtë të drejtohen tek ajo.
“Gratë drejtohen shumë më lehët tek unë, e kanë derën hapur për çdo lloj kërkese që ato kanë. Edhe nëse unë nuk kam mundësi për ekzekutim të ndonjë kërkese që ato kanë, mundohem që të paktën moralisht të jem afër tyre”, vlerëson nënkryetarja e Vushtrrisë, Xhevahire Izmaku.
Por, ambiciet e saj, për ta përfaqësuar rolin e femrës në politikë, nuk përfundojnë këtu. Pos nënkryetares, Izmaku është edhe në listën e PDK-së, për zgjedhjet e 12 dhjetorit, si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës.
Ajo ka vendosur ta bëjë një gjë të tillë për një arsye të vetme. “Përveç ambicieve të cilat me kohë ndryshojnë, unë po e bëj një gjë të tillë që zëri i gruas dhe qytetit tim të dëgjohet edhe jashtë Vushtrrisë. Ka ardhur momenti që interesat e tyre t’i përfaqësoj në një nivel më të lartë”, sqaron Izmaku për Express.
Po, edhe pse po kalon nëpër një periudhë dinamike të fushatës parazgjedhore, ajo nuk e ka lënë anash punën e saj aktuale. “Po mundohem që të gjitha ato projekte, që kanë mbetur në gjysmë t’i përfundoj në mënyrë që mos të shkëputem nga nënkryetarja. Unë do të gjej kohë për të gjitha deri në momentin kur të përfundojnë zgjedhjet, normalisht nëse do të jem në parlament”, pohon Xhevahire Izmaku.
E, pos titullit nënkryetare e Komunës, e së fundmi edhe deputete, Izmaku është edhe nënë.
Ajo ka një vajzë 15-vjeçare, për të cilën thotë se është krahu i saj i djathtë.
“Ajo vazhdon ta ndjejë mungesën time, sepse është në moshën kur ka më së shumti ka nevojë për mua. Megjithatë, është shumë e çuditshme që ajo është kthyer e po merret me mua. Më jep kurajo kur jam e lodhur”, kujton Izmaku.
Mirëpo, edhe pse e angazhuar në rolin e politikanes dhe atij të një nëne, Izmaku nuk e ka lënë anash as profesionin e saj të parë, poezinë.
“Unë jam drejtoreshë e dy festivaleve të poezisë në Vushtrri, ‘Festivalit Ndërkombëtar të Poeteshave’, dhe ngjarjes që tashmë po bëhet tradicionale jo vetëm në Vushtri po edhe më tutje, Ditët e Hasan Prishtinës”, thotë e bindur ajo.
Edhe nëse e harron rolin e poetes, Izmaku thotë se atë, vazhdimisht ia kujton babai i saj.
“Ndonjëherë kur flas për të arriturat e mia në politikë, babai im më thotë që mos ta harroj edhe poezinë. Sepse kam një jetë që e kam kaluar me kulturën dhe artin. Për këtë edhe njerëzit që merren me kulturë në komunë, ndihen shumë të afërt me mua”, thotë ajo.
Sidoqoftë, Xhevahire Izmaku do të vazhdojë ta përfaqësojë zërin e gruas në politikë. Thotë se e urren rolin e viktimës, për këtë arsye do të vazhdojë të ndjekë rrugën e ambicies, për ta luftuar këtë dukuri.
Krijoni Kontakt