Muzeu i Alfabetit në përvjetorin e Kongresit të Manastirit
http://www.koha.net/repository/images/manastir_4.jpg
Shkup, 18 nëntor - Shqiptarët do të festojnë të hënën, më 22 nëntor, 102-vjetorin e themelimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Në prag të këtij përvjetori Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit paralajmërojnë themelimin e muzeut të kësaj shtëpie si dhe punësime të reja në të.
"Në procedure është themelimi i Muzeut të Alfabetit në qytetin e Manastirit. Së shpejti do të hapim konkursin për persona të cilët do të punësohen në këtë muze, do të thotë, presim sinjalin nga Ministria e Financave dhe menjëherë të hapet ky konkurs. Përndryshe, mjete për këtë muze janë ndarë me rebalancin e buxhetit", ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Sipas Hoxhës, në ditën e alfabetit, më 22 nëntor, do të realizohen edhe një sërë aktivitetesh të tjera.
”Delegacioni i Qeverisë, përkatësisht zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi bashkë me ministrat shqiptarë, të hënën, Ditën e Alfabetit, do ta vizitojnë Shtëpinë e Alfabetit në Manastir. Të njëjtën ditë, Sekretariati për implementimin e MO-së, bashkë me Shoqatën e historianëve shqiptarë, do të organizojë tribunë me temë për rëndësinë e alfabetit të gjuhës, po ashtu në Manastir. Të pranishëm mes të tjerëve në këtë tribunë, pritet të jenë historianë, përfaqësues të ekzekutivit, figura eminente...", ka thënë më tej Hoxha. Ai gjithashtu ka theksuar se në saje të këtij manifestimi, ishte edhe aktiviteti i Komunës së Çairit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për fillimin e punëve ndërtimore të shkollës fillore "Kongresi i Manastirit", në Shkup.
Përvjetori i vitit të kaluar nuk e kishte jehonën e duhur në krahasim me atë të vitit 2008, ku të pranishëm ishin kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Sali Berisha e Hashim Thaçi.
Kongresi i Manastirit, tubimi i dijetarëve shqiptarë më 14 nëntor - 22 nëntor 1908 në Manastir, përcaktoi Alfabetin e Gjuhës Shqipe. Ky kongres me themelimin e këtij alfabeti shënoi edhe fillimin e letërsisë mbarëshqiptare. Në këtë kongres ishin të pranishëm 150 delegatë, të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë si dhe komunitetet shqiptare në Rumani, Itali, Greqi, Turqi, Egjipt dhe Amerikë ku kryetar i Kongresit ishte Mit'hat Frashëri.
Koha Ditore
Krijoni Kontakt