Françesk Radi: Juria shkatërroi këngëtarët profesionistë në festivalin e RTSH
Kantautori i njohur tregon zhgënjimin që mori në edicionin e 49 të Festivalit të Këngës në RTSH
“Në festival u krijua një lloj lobizmi brenda institucioni. Si mund të zgjidhet një komision totalisht me pseudopedagogë të Akademisë së Arteve dhe në jurinë e festivalit nuk ishin emra të cilët janë përfaqësues të denjë të këngës shqiptare”, kështu u shpreh kantautori Françesk Radi, i cili këtë vit ishte pjesëmarrës në festivali me këngën “kemi dasëm’o” me tekst të Agim Doçit me muzikë të krijuar nga vetë ai. Një zhgënjim i madh në këtë edicion të 49 të Festivalit të Këngës në RTSH për kantautorin Françesk Radi, i cili tregon se ndihet i poshtëruar nga vlerësimi që i bëri juia këngës së tij.
Në këtë intervistë ia tregon se juria ishte e ndërtuar me njerëz të cilët ishin të njëanshëm në vlerësimet e tyre. “Përveç poshtërimit që më bënë në festival Manjola Nallbani, Robert Radoja, Aleksandër Peçi dhe Artan Minarolli, nuk kam se ç’mendoj më. Më vjen shumë keq për këtë vlerësim që i bëri këngës Artan Minarolli, pasi ai e mban veten si një djalë që është dhe qytetar Tirane”, tregon kantautori Françesk Radi. Duke pohuar se i vjen keq për vlerësimin që iu bë në festival, ai tregon se janë penalizuar dhe shumë emra të tjerë këngëtarësh që janë të njohur, dhe sipas tij nuk e meritonin këtë vlerësim që u bë nga juria, të cilën ai e përkufizon si të ndërtuar me pseudopedagogë të Akademisë së Arteve. “Është jo vetëm zhgënjyese, por për mua kjo është shkatërruese kur unë shikoj që është bërë një vlerësim i tillë. Shikoj që Robert Radoja jep zero pikë, atëherë çfarë vlerësimi mund të kem për këtë njeri, ndërkohë që edhe për mua ai ka një vlerësim zero si njeri. Unë do ti them Robert Radojës që ju keni 20 vite që nuk bëni asgjë në muzikë. Pse ti më vlerëson me zero pikë në festival, kur vetë ke kaq vite që nuk sjell asgjë në muzikë. Manjola Nallbani më vlerëson me zero pikë, që kjo këngëtare ka disa festivale që janë zhvilluar në RTSH dhe ajo ka qenë skandal. Më vjen keq po nga gjykimi që iu bë këngës sime dhe nga Aleksandër Peçi, i cili më dha zero pikë, i cili ka disa këngë komuniste në vite dhe ai sot gjykon për një stil kënge që ai nuk e njeh”, tregon kantautori. Françesk Radi njihte dhe për shumë këngë hit si “Adresa” 1972, “Biçikleta” 1972, në festivalin e 11 solli këngën “Kur dëgjoj zëra nga bota” po në 1972. I njohur është dhe pas viteve ’90 me këngë si “Telefonatë zemrash” 1994, “Rroku i burgut” 1995, “Zemër e lodhur” 1997, “Humba pranverën” 1998, “Ky fat na ra” 2000, “Nuk mund të dashuroj” 2002.
-Ishit konkurrent këtë vit në festivalin e fundvitit në RTSH, ku ju erdhët me një këngë të kompozuar dhe orkestruar, kënduar nga ju vetë dhe me tekst të Agim Doçit, çfarë mund të na thoni për këngën tuaj e cila erdhi me një mesazh të veçantë në skenën e festivalit?
Me këngën time në këtë festival unë desha të sjell një mesazh, për të gjithë ata njerëz ose komuniteteve që ndoshta kanë qenë të persekutuar, të diskriminuar ose kanë kaluar periudha të veçanta racizmi. Kënga ime sillte një dasëm, unë erdha në këtë festival për të sjellë shpirtin shtegtues, shpirtin e lirë të këtyre njerëzve shtegtues, të këtij komuniteti rom që për fat të mirë janë edhe tek ne. Romët janë një komunitet, i cili jeton në harmoni me komunitet e tjera në Shqipëri dhe si të tillë ata kanë të drejtat e tyre. Unë mendoj se solla një dasmë rome për të krijuar atë harmoninë, tolerancën, shpirtin e tyre shtegtues dhe të lirë.
-Kënga juaj megjithëse u mirëprit nga publiku, sërish ajo nuk mori një vlerësim të tillë nga juria e festivalit. Ju çfarë mendoni për këtë?
Unë erdha në festival me pretendimin që të sjell një këngë që ta këndojë populli, një këngë që të ishte e thjeshtë. I vura detyrë vetes që të sjell një këngë që të jetë shqiptare në radhë të parë me motive dhe pothuajse ajo ishte e vetme që ishte e kompletuar në motivet shqiptare. Këtë ma kanë thënë dhe shumë kolegë të mi muzikantë që më kanë bërë urimin pas natës së dytë të Festivalit të Këngës në RTSH. Dua të përmend këtu të madhin Aleksandër Gjoka, Sherif Merdanin, i cili më dërgoi një mesazh për atë që sjell kënga dhe motivn që ajo ka. Pra në këtë festival unë erdha jo me pretendimin për të fituar këtë festival, unë erdha për ti treguar dhe autorëve të rinj që të kthejnë kokën pas dhe të shikojnë dhe traditën e këngës shqiptare sepse nuk kanë qenë pa gjë. Pyetja për jurinë, ka vend se ç’të thuhet, ka shumë rezerva për vlerësimin që iu bë këngës në festivalin e këngës. Radiotelevizioni Shqiptar është munduar që të zgjedhë një komision që të jetë i paanshëm sepse kështu e kërkojnë të gjithë, një komision që të jetë dhe profesional, të jetë një komision që e njeh këngën ose një interpretues që ka kënduar që njeh muzikën, por në këtë drejtim unë kam shumë rezerva.
-Në juri kishte emra të cilët këngën tuaj e vlerësuan me zero pikë dhe i takon dhe fushës së muzikës. Ju si e gjykoni këtë?
Në fakt është jo vetëm zhgënjyes por për mua kjo është shkatërruese kur unë shikoj që është bërë një vlerësim i tillë. Shikoj që Robert Radoja jep zero pikë, atëherë çfarë vlerësimi mund të kem për këtë njeri, ndërkohë që edhe për mua ai ka një vlerësim zero si njeri. Unë do ti them Robert Radojës që ju keni 20 vite që nuk bëni asgjë në muzikë. Pse ti më vlerëson me zero pikë në festival, kur vetë ke kaq vite që nuk sjell asgjë në muzikë. Manjola Nallbani më vlerëson me zero pikë, që kjo këngëtare ka disa festivale që janë zhvilluar në RTSH dhe ajo ka qenë skandal. Për mua kjo këngëtare nuk ka mësuar akoma dhe vetë të këndojë. Nuk mundet që një këngëtare e tillë të më gjykojë mua me zero pikë? Më vjen keq po nga gjykimi që iu bë këngës sime dhe nga Aleksandër Peçi, i cili më dha zero pikë, i cili ka disa këngë komuniste në vite dhe ai sot gjykon për një stil kënge që ai jo vetëm nuk e njeh por vjen dhe na vë dhe vulën për të vlerësuar një artist. Ai ka dhënë një vlerësim të tillë edhe për shumë artistë të tjerë dhe më vjen shumë keq nga kjo gjë që u bë në festivalin e fundvitit në RTSH. Po ashtu edhe vlerësimi i Artan Minarollit ishte shumë i dobët në festival. Më vjen shumë keq për këngëtaren Kejsi Tola e cila nuk mori vlerësim. Si mund të lihet Kejsi Tola jashtë festivalit, një këngëtare e cila na ka përfaqësuar dhe në Festivalin Europian, duke na bërë një prezantim dinjitoz. Ishte një fatalitet ikja e saj së bashku me kompozitorin Kristi Popa, po ashtu dhe Rudia Delia nuk mori vlerësimin që meritonte nga juria. Kjo është e patolerueshme për jurinë, ata duhet të përgjigjen për këtë vlerësim. Për mua është një gabim i rëndë që këto vlerësime penalizuan shumë këngëtarë të cilët meritonin më shumë. Për mua është e papranueshme ai vlerësim që u bë dhe për Kujtim Prodanin, Edmond Mancaku i cili pruri diçka tjetër këtë vit në festival, ai erdhi ndryshe nga herët e tjera. Nëse do të këndohet një këngë në festival është kënga “Kemi dasëm’o” dhe këtë e them jo se është kënga ime por ajo është e publikut. Më vjen keq që ndodhi kjo në prag të Vitit të Ri, pasi unë kisha dëshirë që ti bëja një dhuratë këtij kombi me një këngë të bukur, pasi dhe vetë qeveria vetë Jozefina Topalli i priti në Parlament dhe unë mendova ti bëja një dhuratë pavarësisht se juria e shkatërroi me vlerësimin që bëri. Për këtë u krijuan dhe këto vlerësime me zero pikë, vetëm për të krijuar lobizmin në festival.
-Jo si një konkurrent në festival, por si një specialist në fushën e muzikës pse u bënë këto vlerësime të cilat penalizuan dhe këngëtarë të tjerë?
Përveç poshtërimit që më bënë në festival Manjola Nallbani, Robert Radoja, Aleksandër Peçi dhe Artan Minarolli, nuk kam se ç’mendoj më. Më vjen shumë keq për këtë vlerësim që i bëri këngës Artan Minarolli pasi ai e mban veten si një djalë që është dhe qytetar Tirane. Në këtë festival u krijua një lloj lobizmi brenda institucioni. Si mund të zgjidhet një komision totalisht me pseudopedagogë të Akademisë së Arteve. Si mund të ndërtohet një komision i tillë, duke shtuar këtu që në jurinë e festivalit nuk ishin emra të cilët janë përfaqësues të denjë të këngës shqiptare. Ke sa të duash sot emra të tillë që kanë dhënë një kontribut të çmuar në këngën shqiptare. Kemi sot emra si Alfons Balliçin, Aleksandër Lalo, Enver Shëngjergjin, kemi Flamur Shehun kemi plot emra të këngës shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk ishte në juri. Kënga iu la në dorë Aleksandër Peçit, që për mua ai është një njeri i dështuar në këngë. Ai nuk ka bërë asgjë në gjininë e këngës së lehtë shqiptare. Anëtarët e jurisë i dhanë Françesk Radit zero pikë, sepse unë nuk duhej të merrja vlerësim në këtë festival.
-Po ana organizative ajo pjesë që nuk ka të bëjë me këngën si ishte në festival?
Për këtë pjesë, janë momente që i takojnë regjisë, i cili atë ka parë të arsyeshme për të sjellë dhe atë ka zgjedhur dhe përgjegjësia i takon regjisorit nëse nuk është sjellë në mënyrën më të mirë.
-Një rikthim pas shtatë vitesh për ju në këtë festival të fundvitit që zhvillohet në RTSH. Ju thatë para zhvillimit të festivalit që e prisni me emocione, sa do të ndikojë tek ju ky vlerësim, a do të vazhdoni sërish të sillni këngë të bukura?
Natyrisht që ky vlerësim që më është bërë në festival sigurisht që më ka prekur emocionalisht. Ne së bashku me Teftën jemi shumë të sinqertë, jo vetëm me vetëm tonë por dhe me publikun. Unë sigurisht që nuk pretendoja për çmim të parë apo dhe të dytë, por sigurisht që nuk pretendoja dhe për një vlerësim të tillë. E dinë të gjithë njerëzit,e dinë kolegët e mia se çfarë kam bërë unë për muzikën shqiptare. Unë këtë vlerësim që më ka bërë Aleksandër Peçi nuk kam për t’ia falur kurrë.
-E ndërkohë që ju veçse konkurrent në festival, keni qenë dhe redaktor përgjegjës i muzikës i edicionit të 49 të festivalit të këngës.
Si redaktor përgjegjës sigurisht që unë kam mendimin tim, pasi këto këngë nuk i prodhon Radiotelevizioni Shqiptar, por këto vijnë nga kompozitorë të ndryshëm dhe ne kemi të drejtë që ato ti përzgjedhim. Unë mendoj që përzgjedhja është bërë profesionale dhe mbi bazë të aftësive. Mund të ketë pasur ndoshta diçka të vogël, pasi këngët vijnë të regjistruara dhe mund të bëhet dhe ndonjë manipulim me rregjistrim. Komisioni gjykon atë që dëgjon direkt nga regjistrimi dhe komisioni që bën përzgjedhjen e këngës nuk e di se çfarë niveli mund të jetë këngëtari në festivali ku këndohet live. Unë mendoj se përzgjedhja e këngëve ka qenë e mirë dhe këngët janë përzgjedhur ato që janë më të mira.
-Sipas jush si vjen festivali i RTSH në krahasim me evenimentet e tjera muzikore që zhvillohen në vendin tonë?
Festivalet e tjera për mua janë spektakle dhe jo festivale, pasi ato bëhen me superpozime dhe regjistrohen kohë më parë. Për mua festivali në RTSH duhet të jetë një kualitet unik gjithmonë, megjithëse ka dhe shumë meta. Që një festival në RTSH të jetë unik sigurisht që duhet të largojë edhe elementët që e dëmtojnë. Është folur gjithmonë për jurinë në festivale, e cila në shumë raste ka sjellë dhe një shkatërrim të tij, ku disa pjesëtarë të jurisë kanë bërë vlerësime të tilla që kanë sjellë dhe skandale në festival. Për mua pjesa më delikate e festivalit ka qenë gjithmonë juria e tij, gjithmonë ka pasur probleme dhe kjo duhet zgjidhur.
-Festivali në RTSH mbahet me interpretimin live, por mendoni se i plotëson kushtet për të qenë i tillë?
Mendoj se ka shumë punë për të bërë, dhe kur ne themi se kemi një festival live, atëherë dhe artistët duhet të jenë të afirmuar dhe që janë në kohë dhe këndojnë në skenën e festivalit, por shumë artistë që kanë munguar. Në festivale të tjera p.sh tek “Kënga Magjike” këndojnë shumë këngëtarë dhe nuk vijnë në festivalin e RTSH. Unë ua vë fajin dy faktorëve, e para ndoshta kanë frikë nga konkurrimi live dhe e dyta ndoshta vetë ata që e organizojnë festivalin nuk i lenë këta këngëtarë të vijnë në festivalin e RTSH.
-Keni shumë vite që jeni pjesëmarrës në festival, por mund të na bëni një krahasim sa i takon këngëve që vinin në skenën e festivalit para viteve ’90 dhe këngët që vijnë sot në festival, çfarë mund të na thoni për origjinalitetin e tyre?
Para viteve ’90 ka pasur këngë të bukura, ato vinin të krijuara bukur pavarësisht periudhës së diktaturës që ishte në atë kohë. Në atë kohë kënga shqiptare bënte më shumë përpjekje se sa tani sepse duhej të përballej dhe me sistemin dhe artistët gjithmonë përpiqeshin nga njëra anë të tërhiqnin dhe nga ana tjetër të lëshonin në krijimtarinë muzikore në atë kohë dhe përpjekjet e tyre kanë qenë të magjishme. Nëse ne i referohemi arkivës pjesa e para viteve ’90 ka sjellë më shumë këngë se sa pas këtyre viteve. Pavarësisht nga korniza e realizmit në atë kohë ata kanë qenë të gjithë profesionistë. Kanë qenë njerëz që e njihnin muzikën, që kishin studiuar, ndërsa tani ne habitemi pasi kemi njerëz që nuk dinë se ç’është muzika dhe vijnë dhe bëjnë muzikë. Janë njerëz që nuk njohin pentagramin, që nuk kanë një bazë pedagogjike shkollore. Muzika është profesion i vështirë dhe jo kushdo mund të merret me muzikë. Sot ka dhe shumë pseudo artistë që thonë nuk është bërë muzikë para viteve ’90, por unë do t’ju përgjigjesha që këtyre zërave që shprehen në këtë mënyrë që as tani nuk bëjnë muzikë por as në atë kohë nuk kanë bërë muzikë. Ardit Gjebrea për mua muzikë më të bukur ka bërë para viteve ’90, po ashtu dhe kompozitori Agim Krajka ka bërë muzikë shumë të bukur në atë kohë, kompozitori Flamur Shehu këngët më të bukura i ka pasur para viteve ’90. Unë dy këngë kam bërë para viteve ’90, “Adresa” dhe “Biçikleta”, por sot të dyja i kanë rezistuar kohës, po ashtu ka dhe shumë kompozitorë të tjerë që i përshëndes.
Teksti - Agim Doçi
Muzika- Francesk Radi
Këndon- Françesk Radi
“Kemi dasëm’o”
Ngado që shkova jetës i këndova
Në mes njerëzve,çdo gëzim e mora
An e mban veç nga sytë i njoha
Ndonëse bardh e zi- kane shpirtin plot
Hej pse të dolën lotët e gëzimit
Ti ja njohe djalit zemrën edhe shpirtin
Kemi dasëm hajde të gëzojmë
Hajde Lali hajde, hajde të festojmë
Hej, ju që shtegtoni si zogj pa atdhe
Keni shpirtin dhe ëndrrat si ne
Sytë e qeshur nga hera
Sot e përgjithmonë
Hej hallet zemra le ti harroj
Kemi festën e lalit-o
Le ta ndezim sonte
Se është nata jonë
Hajde djali hajde,Hajde djali hajde
Hajde hidhe vallen,Vallen deri vonë
Hajde nuse hajde,ti harrojmë hallet
Nuk kalohet jeta bardh e zi gjithmonë
Janë miliona zemra, duan jetën ta jetojnë
Ta jetojmë së bashku, hallet tona ti harrojmë
Oh, sa bukur po kërcen ky djali ri
Dhe kjo nusja, me sa naze qe i rri
Le te çmenden,vajzat edhe djemtë e ri
Kemi dasëm o!
Vlerësimi i këngës “Kemi dasëm’o”
Aleksandër Peçi zero pikë
David Tukiçi katër pikë
Robert Radoja zero pikë
Artan Minarolli dy pikë
Edison Miso katër pikë
Manjola Nallbani zero pikë
Edmond Tullumani tre pikë
Julia Vrapi - Gazeta "SOT"
http://www.sot.com.al/index.php?opti...ture&Itemid=59
Krijoni Kontakt