Tiranë, 15 nëntor - Presidenti i kompanisë amerikane “Bechtel” ka shprehur interesin e kompanisë së tij për të ndërtuar hekurudhën që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, por edhe vepra të tjera të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri si tunelin e Qafë-Krrabës, Boshtin e Jugut, apo Korridorin e tetë.
Interesin për të marrë pjesë në këto gara, Riley P. Bechtel e ka shprehur në takimin që ka zhvilluar në Tiranë me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, me rastin e përfundimit të punimeve të ndërtimit të rrugës Rrëshen - Kalimash. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka pritur në një takim Riley Bechtelin, president dhe drejtues ekzekutiv i Kompanisë ndërkombëtare “Bechtel”, i shoqëruar nga Walker Kimball, zëvendëspresident dhe drejtor menaxhues i kësaj kompanie.
Bechtel, në emër të Kompanisë, i ka shprehur kryeministrit Berisha përgëzimet dhe mirënjohjen për bashkëpunimin, sipas tij, të shkëlqyer në projektin e rrugës Rrëshen - Kalimash. Ai i ka shprehur kryeministrit se projekti që ata realizuan në Shqipëri ishte një ndër projektet më të rëndësishme që ka realizuar në karrierën e tij 21-vjeçare.
Bechtel është shprehur se në Shqipëri kishte gjetur specialistë dhe një fuqi punëtore, të cilët u përshtatën shumë shpejt me standardet e kompanisë së tij, si dhe një bashkëpunim profesional me Qeverinë shqiptare në realizimin e këtij projekti sa të vështirë aq edhe interesant për kompaninë e tij. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha e ka falënderuar Riley Bechtelin për cilësinë e projektit më madhor për Shqipërinë dhe rajonin që kjo kompani realizoi.
“Rruga Durës - Kukës është një arritje historike, politike dhe ekonomike për të gjithë shqiptarët dhe rajonin. Ajo jo vetëm që i bashkoi shqiptarët, por i dha një zhvillim të paparë dhe të paparashikuar ekonomisë, turizmit dhe bashkëpunimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve me rajonin”, ka theksuar Berisha në takim.
Kryeministri ka shtuar se realizimi i këtij projekti ka shërbyer si një universitet për biznesin e ndërtimit shqiptar.
“Ky projekt i dha biznesit vendas njohuri, cilësi dhe standarde pune ndërkombëtare, duke i aftësuar të ndërmarrin projekte gjithnjë e më të mëdha. Realizimi me sukses i këtij projekti dëshmoi vërtetësinë e modelit ekonomik që Qeveria shqiptare aplikoi me investime maksimale në infrastrukturë dhe taksa sa më të ulëta”, është shprehur kryeministri.
Sipas tij, efekti i gjithanshëm i këtij bashkëpunimi është sot i prekshëm në këtë rrugë që të gjithë e quajnë “Rruga e kombit”, që me përfundimin e segmentit tjetër bëhet dhe rruga e rajonit dhe Evropës.
Kryeministri ka falënderuar kompaninë “Bechtel” edhe në emër të të gjithë punonjësve shqiptarë, të cilët e konsideruan eksperiencën e tyre me këtë kompani si një mësim të madh të pashlyeshëm të karrierës së tyre.
Riley Bechtel, trashëgimtar i Warrenb Bechtelit, themeluesit të kompanisë, ka shprehur interesin e tij dhe të Kompanisë për të marrë pjesë në gara të tjera për të ndërtuar vepra të tjera infrastrukturore si hekurudha apo segmente si ai i Korridorit të Tetë Tiranë - Elbasan apo Berat - Tepelenë.
Ai ka theksuar se kompania e tij e konsideron gjithmonë prioritet dhe kënaqësi realizimin e veprave me impakt kaq të madh si në Shqipëri.
Kompania “Bechtel” bashkë me kompaninë turke “Enka” vendosur në Shqipëri në fund të tetorit të vitit 2006 pasi kishte fituar tenderin për ndërtimin e rrugës Rrëshen - Kalimash dhe tunelit të Kalimashit afër 6 kilometër të gjatë. Fill pas akomodimit, krerët e kësaj kompanie deklaruan se nuk do largoheshin nga rajoni. Kjo deklaratë e tyre u pasua me fitimin e tenderit për ndërtimin e pjesës tjetër të segmentit të “Rrugës së Kombit”, asaj Vërmicë - Merdar. Në prill të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nga Brukseli, ka njoftuar se do të fillojë studimi i fizibilitetit për ndërtimin e hekurudhës Shqipëri - Kosovë.
“Unë do të shoh dhe do të marr fizibilitetin për hekurudhën Shqipëri - Kosovë. Porti i Durrësit do të bëhet shumë i madh. Shqipëria nuk është më e varfër, por ka potencial real edhe për ndërtim hekurudhash të këtyre përmasave. Shqipëria duhet të dalë detyrimisht drejt Evropës Qendrore me hekurudhë dhe rruga më e mirë është drejt Kosovës”, ka deklaruar Bechtel.
Pas përfundimit të autostradës Durrës – Kukës - Morin, lind si domosdoshmëri zgjerimi i porteve të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, por edhe ndërtimi i porteve të reja, pasi autostrada, por pse jo më vonë edhe hekurudha, i mundëson daljen më të shpejtë në det Kosovës, Maqedonisë, por edhe Serbisë. Me fillimin e ndërtimit të autostradës Durrës – Kukës - Morin, Shqipëria ka shqyrtuar mundësinë e ndërtimit pas këtij korridori të një porti të madh që se ka pasur kurrë më parë, që të përballojë të gjitha nevojat që lindin në rajonin e këtij korridori ku nga kjo Shqipëria ka një leverdi të madhe. Politikanë dhe pushtetarë të lartë të të gjithë krahëve, si në Shqipëri e Kosovë, kanë përmendur portin e Shëngjinit në afërsi të Lezhës si një port që do t’i shërbejë kryesisht Kosovës dhe për këtë qëllim është nënshkruar edhe një marrëveshje në tetor të vitit të shkuar në Prishtinë në mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.
Kompania “Bechtel”, përveç ndërtimit të rrugëve, është e specializuar edhe për ndërtimin e hekurudhave. Ajo ka marrë pjesë në ndërtimin e hekurudhave në Turqi dhe në shtete të tjera të botës. Tunelet nëntokësore të hekurudhave, në rastin konkret edhe të asaj që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën janë më të lehtë në ndërtim sesa ato të rrugëve, pikërisht të tunelit ekzistues të Kalimashit.
“Kur bëhet fjalë për tunele hekurudhash, përdoren makineritë gërryese, pasi tunelet e hekurudhave janë me sipërfaqe të vogël, prandaj edhe forma e makinerisë që bën gërmimin është e asaj përmase sa është tuneli i hekurudhës. Ndërsa për ndërtimin e këtyre tuneleve të rrugëve, në rastin konkret edhe të tunelit të Kalimashit ka shumë rëndësi dizajnimi dhe madhësia ku duket se tuneli i rrugëve është më i madh në sipërfaqe me dy-tre apo katër korsi, prandaj nuk mund të procedohet me modelin e shpimit me makineritë gërryese si në rastin e hekurudhës”, deklaronte gjatë një interviste për “Kohën Ditore” Chris Dixon, ish-menaxher i tunelit të Kalimashit në kompaninë “Bechtel & Enka” në korrik të vitit 2007.
“Bechtel” aktualisht është duke punuar edhe në pjesën e autostradës Morin – Merdar në Kosovë. “Bechtel” është kompania më e madhe amerikane e ndërtimeve inxhinierike. Ndër veprat më të rëndësishme të kësaj kompanie janë penda e Hooverit në SHBA dhe aeroporti i Hong-Kongut në det, i përfunduar më 1998. Megjithatë, Riley Bechtel, president i kompanisë, e quan rrugën e Durrësit si njërën ndër projektet e tij më të rëndësishme. Riley Bechtel konsiderohet njëri ndër pasanikët më të mëdhenj të botës, me një pasuri prej mbi 3 miliardë dollarësh.
Krijoni Kontakt