Jam 72 vjeçe dhe kam plane për një fëmijë tjetër
14/11/2010
Mamaja më e moçme në botë:
Kur i sheh të dyja së bashku dorë për dore të përcjellin një ndjesi shumë të mirë, edhe pse pamja është shumë e ndryshme nga realiteti. Nga larg të dyja duken si mbesa me gjyshen e saj të moçme, në fakt janë nënë e bijë. Nëna 72-vjeçare, ndërsa e bija 6 vjeçe. Mamaja është rumune dhe 6 vjet më parë lajmi i shtatzënisë së saj në moshën 66 vjeçe bëri bujë dhe xhiron e botës. Por Adriana Iliesku është shumë e lumtur që ka sjellë në jetë një fëmijë të mrekullueshëm si Eliza.
Adriana e pranon se e tregon plotësisht moshën e saj dhe përpiqet që ta shmangë sa më shumë që të jetë e mundur pasqyrën, pasi prej shumë kohësh nuk e shijon më pamjen që pasqyrohet në të. Adriana është shkrimtare dhe lektore letërsie në një universitet rumun dhe jeton së bashku me të bijën, Elizën, në një apartament me dy dhoma në kryeqytetin e vendit, Bukuresht.
“Pasqyra shpesh është e pamëshirshme me gratë, por nëse do të flisja për energjinë time ajo është shpesh energjia e një 27-vjeçare dhe kur ndihem e lodhur mosha e energjisë sime mund të shkojë deri në 37. Jam më e shëndetshme se gratë që kanë gjysmën e moshës sime”, thotë Adriana. Kjo grua e guximshme, me një energji të jashtëzakonshme, jo vetëm që ka thyer një tabu personale, por ka vënë në pikëpyetje bindjet e deritanishme në lidhje me aftësinë dhe forcën e gruas për të pasur një fëmijë edhe në një moshë shumë të madhe. “Nga ana mjekësore, të sjellësh në moshë një fëmijë në moshë të madhe është plotësisht e mundur. Unë personalisht jam mirë, e shëndetshme fizikisht e mendërisht dhe besoj se është e mundur që në të ardhmen të sjell në jetë edhe një tjetër fëmijë. Por për momentin nuk po nxitoj në këtë drejtim”.
Adriana nuk po nxiton? Si është e mundur që një grua në moshën 72 vjeçe të thotë se nuk po nxiton që të sjellë në jetë një tjetër fëmijë? Duket si paradoksi më i madh i kësaj bote se si ajo gjykon për forcat dhe mundësitë e saj, duke i konsideruar si të pakufishme. Edhe sa kohë mendon kjo grua se ka në dispozicionin e saj për të ndërmarrë përsipër projektin e sjelljes në jetë të një fëmije, që është një nga projektet më të gjatë dhe më të mundimshëm të qenies njerëzore? Sipas Adrianës, hezitimi i saj për të sjellë në jetë një tjetër foshnje nuk ka të bëjë as me frikën e moshës, apo se një ditë do ta lënë fuqitë, por me faktin se aktualisht ka një lidhje të jashtëzakonshme me vajzën e saj, Elizën, të cilën do të dëshironte që ta shijonte në këto kushte sa më gjatë, para se të sillte në jetë një tjetër fëmijë.
“Unë ndihem kaq afër me Elizën dhe jam kaq e lidhur me të sa nuk jam e sigurt herë pas here nëse dua që ta ndaj këtë dashuri edhe me një tjetër fëmijë. Eliza është një fëmijë shumë energjik e i qeshur dhe një fëmijë shumë i lumtur. Ajo është gjithçka për mua dhe para saj nuk ka asgjë tjetër vlerë. Fëmija është i imi dhe është në qendrën e kujdesit, të mendimeve dhe të ndjenjave të mia. Unë nuk pi duhan, nuk pi alkool dhe nëse do të jetoj aq gjatë sa kanë jetuar edhe prindërit e mi, atëherë do ta shoqëroj Elizën derisa ajo të jetë 20 vjeçe. Kam shumë gjëra për t’i mësuar dhe për t’i dhënë kësaj vajze”.
Dy vjet më parë, në një intervistë të fundit që dha për shtypin, Adriana ishte shumë e dobësuar dhe ndihej e lodhur dhe jo kaq energjike. Veçanërisht ajo ndihej ndryshe kur krahasohej me nënat e fëmijëve të tjerë, të bashkëmoshatarëve të vajzës së saj. Ajo kujton se në atë kohë ishte shumë e zënë me rritjen e Elizës dhe se shpesh nuk kishte kohë as të lante flokët. Sot Eliza është në shkollë dhe Adriana mendon se sfidat me të cilat u përball dy vite më parë do të vijnë duke u lehtësuar, sepse vajza e saj një pjesë të madhe të kujdesjeve vetjake i bën vetë, çka përbën një lehtësim shumë të madh për Adrianën. “Kam dashur që time bije të mos i mungonte asgjë, që gjithçka ta bëja mirë me të dhe kjo më shkaktoi pak lidhje gjatë tri viteve të parë të jetës sime të re me Elizën. Por Eliza për fat është një fëmijë shumë i shoqërueshëm e gazmor dhe më ka falur dhe më fal vazhdimisht momente të jashtëzakonshme, për të cilat ia vlen çdo lloj sakrifice”.
Rezultati i punës dhe përkushtimit të madh të Adrianës tek e bija ka bërë që Eliza të jetë një fëmijë shumë i përparuar edhe nga ana akademike. Ajo që para se të shkonte në shkollë ka ditur të shkruajë e të lexojë, si dhe të zgjidhë probleme matematike të vështira. Adriana vetë është një njeri shumë i rezervuar. E tillë ka qenë gjithmonë dhe u është shmangur edhe bisedave me mamatë që presin fëmijët e tyre te dera e shkollës. Dhe kurioziteti ndaj kësaj gruaje afërmendsh që është i madh dhe Adriana nuk ka dëshirë që të humbasë kohë për të shuar kuriozitetin e njerëzve. Elizën e saj të dashur e ///////konceptoi përmes procesit të epruvetës nga një spermë e dhuruar dhe nga implantimi i vezëve në një klinikë shumë të specializuar për fertilitetin. Dhe rasti i saj në mënyrë të padiskutueshme ka thyer çdo rekord dhe mund të quhet “historik”. Vetë ardhja në jetë e Elizës vazhdon që të ndajë opinionet e njerëzve e të mjekëve dhe specialistëve të fushave të tjera. Vendimi i Adrianës, në atë kohë 66 vjeçe, për të sjellë në jetë një fëmijë u konsiderua “grotesk”, “i tmerrshëm” dhe “një akt i tejskajshëm egoizmi”. Kjo, nga ana e grupeve të ndryshme fetare. Murgjit e inatosur nga një vendim i tillë në Bukuresht e quajtën vendimin e saj “vepër të djallit”. Por vetë Adriana nuk ka asnjë lloj keqardhjeje për vendimin e saj dhe për të ky është vendimi më i mirë që ka marrë në jetën e saj dhe për të gjithë ata që i njohin nënë e bijë, dashuria e Elizës për të ëmën është jashtëzakonisht e madhe. Pas saj edhe gra të tjera të moshuara kanë sjellë fëmijë në jetë. Në dhjetor të vitit 2006, spanjollja Carmela Bousards deklaroi se ishte nëna më e moçme në botë krahasuar me Adrianën. Ajo tha se ishte 6 muaj më e madhe nga Adriana dhe kishte sjellë në jetë dy binjakë. Në nëntor të vitit 2008, Rajo Devi Lohan, e cila tha se ishte 70 vjeçe, lindi një vajzë në Indi. Por në korrik të këtij viti ajo ishte duke vdekur, për shkak të një komplikimi gjatë lindjes. Në të njëjtin muaj, 66-vjeçarja nga India, Bhateri Devi, u bë mamaja më e moçme në botë, duke sjellë në jetë 3 fëmijë. Për Adrianën ky është një triumf i grave që kanë qenë të pamundura të sjellin në jetë fëmijë gjatë periudhës së tyre të fertilitetit. Adriana ka lindur në një familje të pasur dhe u martua kur ishte vetëm 20 vjeçe. Po atë vit mbeti shtatzënë. Por mjekët e këshilluan që ta abortonte fëmijën, për shkak se ajo sapo e kishte marrë veten nga tuberkulozi dhe mjekët kishin frikë për të ardhmen e bebit. Ajo pranoi pa qejf që ta hiqte fëmijën. Me të shoqin u divorcua 4 vjet më pas dhe nuk u martua kurrë, duke qenë se donte që të kishte një karrierë akademike. “Nuk mund të çoja nëpër mend që të mendoja për fëmijët, ndërsa isha duke punuar, por në moshën 37-vjeçare, pasi përfundova doktoraturën, isha e gatshme që të sillja në jetë një fëmijë. Por në atë kohë mjekësia nuk ishte aq e zhvilluar dhe mjekët më thanë se për mua ishte shumë vonë që të sillja një fëmijë në jetë. Kur Adriana mbushi 57 vjeçe, Rumania mund të kryente mbjelljen artificiale. Adriana nisi punën për të mbetur shtatzënë, por ishte shumë e vështirë për një sukses dhe më pas gjeti një mjek të përshtatshëm që i mori përsipër sjelljen në jetë të Elizës. “Njerëzit që më kritikojnë mua janë xhelozë, sepse unë kam një jetë të plotësuar. Nuk është një gjë e lehtë që të shkruash 25 libra dhe të jesh një profesoreshë universiteti dhe njëherazi të kesh edhe një fëmijë”, thotë Adriana. “Në Rumani, por edhe në botë, gratë janë shumë të zëna dhe jo vetëm se bëjnë shkencë, por edhe thjesht për të jetuar. Unë doja një fëmijë, por kam qenë gjithmonë shumë e zënë dhe nuk kam pasur asnjë partner”. Adriana thotë se nëse ajo do të vdesë pa arritur që Eliza të ketë arritur moshën e pjekurisë, mjeku që e solli atë në jetë do të jetë “engjëlli i saj mbrojtës”. Sa për anën financiare Elizës do t’i mbeten tri prona që e ëma i ka trashëguar nga prindërit e saj. Po në fund të fundit ///që është e drejtë që Eliza të ketë një mama kaq të moshuar? Kur Eliza të jetë 15 vjeçe, Adriana do të jetë 82 dhe a do të ketë ajo energji për t’u marrë me një adoleshente? Eliza ka nisur që të vërë re ndryshimin mes nënës së saj dhe nënave të bashkëmoshatarëve të saj dhe kjo mund t’i krijojë probleme. “Unë nuk ia them kurrë moshën time bije. I kam thënë se kur u bëra 40 vjeçe, mosha ishte një çështje që duhej të mbetej personale.
Adriana është duke kaluar periudhën më të mirë të jetës së saj. E realizuar profesionalisht dhe me fëmijën e ëndrrave, ajo është e bindur që ka vepruar drejt, pavarësisht gjykimeve të të tjerëve dhe se në një rast të tillë të vështirë ka qenë pa diskutim edhe me shumë fat.
shqip.
Krijoni Kontakt