Kush janë tekfircat dhe cilat janë bindjet e tyre?
Pyetje: Esselamu alejkum. Çfarë mund të na thoni për Ebu Muhammed El-Bosnawin (Nexhad Ballkanin) dhe xhematin e tij? A janë ata në rrugën e drejtë, në rrugën e Ehli Sunetit? Një vëlla i cili është hoxhë ka lëshuar një fetva kundër tyre, por ata thonë se fetvaja është e mangët dhe e pasaktë, sepse hauarixhë nuk mund të konsiderohet një person i cili nuk bën tekfir mbi atë që bën mëkate të mëdha. Sipas tyre, vetëm ai që bën mëkate të mëdha është hauarixh? A është e saktë kjo gjë, apo hauarixh bëhesh edhe në metoda tjera? Allahu subhanehu ue teala ju shpërbleftë për punën e palodhshme që bëni.
Përgjigje:
Alejkumselam. Falenderimi i takon Allahut (azzevexhel), ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin (salallahualejhiveselem), mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij besnik, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Së pari: Tekfircat janë një grup i devijuar pjesërisht nga pasimi i Kur’anit dhe Sunetit, të cilët shkaktojnë rrezik të madh për gjithë umetin islam. Hoxha dhe mësuesi i tyre pas të cilit qëndrojnë ata, është Shejh Ebu Merjem El-Muhlif (nga Kuvajti) dhe thirrës të tjerë në këtë rrugë të devijuar. Emrin e tyre “Tekfirca” e kanë marrur nga tekfiri (shpallja e njeriut kafir) i tepruar me të cilin dallohet ky grup i humbur.
Ebu Merjemi është njëri prej thirrësve në tekfirin e muslimanëve, prej gjuhës së të cilit thuajse nuk ka shpëtuar askush (përveç njerëzve që janë me bindjet e tij). Por, dijetarët nuk kanë folur shumë për të, për shkak se nuk ia vlen që njeriu të merret me njerëz të tillë, dhe se ndikimi i tij në botën arabe është shumë i dobët, saqë me kundërshtimin e dijetarëve ndaj tij, ai vetëmse mund të popullarizohet edhe më shumë. (Gjithashtu dhe ne nuk kemi pasur qëllimin të shkruajmë për këtë grup të devijuar, por pasi na është bërë pyetja, nuk kemi mundësi që t’i ikim asaj).
Së dyti: Bindjet e tyre të gabuara dhe të devijuara:
-Tekfircat me teprimin e tyre që kanë në çështjet e tekfirit, e përgjithësojnë kuptimin e fjalës Tagut, saqë nën definicionin e tij fusin edhe njerëz të cilët janë larg Tagutit dhe të cilët janë thirrës të së vërtetës. (Psh: Shpallja e Shejh Ibn Bazit rahimehullah Tagut, ngase ai nuk e ka mohuar Tagutin – nuk e ka shpallur mbretin e Saudisë Tagut. E ai i cili nuk e mohon Tagutin, edhe ai është Tagut).
-Tekfircat me devijimin e tyre, çdo person i cili sheh arsyetim për atë që vepron ndonjë gjë që është shirk ndaj Allahut (si arsyetimi me injorancë), e shpallin atë kafir, ngase ai (sipas tyre) ende nuk e ka kuptuar fjalën La ilahe il-lAllah.
-Tekfircat nuk bëjnë dallim ndërmjet kufrit të përgjithshëm dhe atij të veçantë, andaj edhe nuk ekzistojnë kushte dhe pengesa për të shpallur dikënd kafir (sipas tyre), sikur që thotë Shejhu i tyre: Prej risive të kësaj kohe, është dallimi ndërmjet veprës apo fjalës, dhe personit që e vepron apo e thotë atë. Kështuqë, sipas tij nuk ka dallim ndërmjet këtyre dyjave, edhepse këtë dallim e kanë bërë dijetarët e Ehli Sunetit.
-Tekfircat shohin se prej bazës së fesë (Aslu Dinit) është shpallja e njeriut kafir, edhe nëse kufri i tij nuk është i qartë. Dhe nëse një person nuk ka njohuri, apo ka frikë në këtë çështje, apo sheh ndonjë arsyetim të caktuar për personin e caktuar (i cili bën shirk), dhe nuk e shpallë atë kafir, (sipas tyre) edhe ai është kafir.
-Tekfircat me keqkuptimin e rregullit: “Kush nuk e bën kafirin kafir, edhe ai është kafir”, kanë bërë tekfir mbarë botën (përveç vetes së tyre). Sikur që thotë Shejh Ebu Katadeh: Për ta tekfiri është sikur topi i futbollit, të cilin e hudhin prej një lojtari në lojtarin tjetër.
Ndërsa Ehli Suneti është mesatar çdo herë. Nuk është me ata që e bëjnë kafir gjithkënd, dhe nuk është me ata që nuk e bëjnë kafir askënd. Por, e shpallin kafir atë që e ka shpallur Kur’ani dhe Suneti, duke mos kaluar në teprime dhe ekstremizën asnjëherë.
-Tekfircat me ekstremitetin e tyre, jo që nuk kanë ruajtur prej tekfirit popullin e thjeshtë musliman, ata nuk kanë ruajtur edhe nderin dhe imanin e njerëzve edhe më të zgjedhur të këtij umeti, qofshin ata njerëz të dijes apo të sakrificës në Dinin e Allahut. Dhe prej gjuhës së tyre, janë bërë tekfir që të gjithë.
-Tekfircat bëjnë tekfir mbi të gjithë ata që e lejojnë Tehakumin me kushte të caktuara dhe në raste të caktuara, edhepse ky është mendim brenda dijetarëve të Ehli Sunetit.
-Tekfircat e mohojnë xhihadin në këtë kohë, dhe përveç kësaj shpallin kafira të gjithë ata që luftojnë për ta mbrojtur Dinin e Allahut (azzevexhel).
-Tekfircat e bëjnë hallall gjakun e muslimanëve, nderin dhe pasurinë e tyre. Kështuqë, nëse ti nuk je me mendimin e tyre, gjaku yt për ta është i lejuar (nëse ju mundësohet një gjë e tillë).
-Tekfircat nuk janë të gjithë të një rangu. Ka prej tyre që njerëzit në esencë i shohin kafira, përveç nëse vërtetohet imani i tyre (sipas tyre). Ka prej tyre që edhe nëse ndalesh në semafor të nxjerrin prej Dini, sepse e ke rrespektuar ligjin e kufrit. Ka prej tyre, që edhe nëse paguan biletën e autobusit apo aeroplanit me çmimin që e kanë caktuar ata, të nxjerrin prej Dini, sepse e ke rrespektuar ligjin e tyre. Por, duhet të paguash një euro më shumë apo më pak. (Kjo është qesharake, por megjithatë është një realitet i hidhur). Pastaj, prej tyre ka që bëjnë tekfir edhe njëri tjetrin, sikur që është grupi Daru Teuhid të cilët e llogarisin kafir edhe Ebu Merjemin dhe atë që nuk e llogaritë atë kafir. Dhe prej tyre ka që tekfirin e përcjellin deri në tre persona, deri në pesë, apo deri në fund pa numër të caktuar.
-Tekfircat me gjithë xhehlin e tyre në çështjet e fesë, mendojnë se nuk ka dikush që e ka kuptuar akiden e vërtetë pos tyre. Të gjithë të tjerët janë injorantë për ta, dhe nuk i dijnë meselet e akides. Të tjerët (sipas tyre) nuk kanë kurfarë lidhje me meselet e teuhidit dhe shirkut. Ata ende nuk e kanë kuptuar shehadetin. Ata nuk kanë kurfarë njohurie rreth meseleve të cilat janë Usul (baza) dhe atyre që janë Furu‘ (degë). Ata nuk dijnë të dallojnë meselet që janë të qarta dhe të paqarta, dhe meselet që njeriu arsyetohet me injorancë dhe ato që nuk arsyetohet fare. Të gjithë janë injorantë për ta, qofshin ata hoxhallarë apo dijetarë. Të vetmit që e kanë “kuptuar teuhidin“ janë ata.
Së treti: Dallimi ndërmjet tekfircave dhe havarixhëve:
Dallimi ndërmjet këtyre dy grupeve të devijuara është se havarixhët e llogarisin kafir vepruesin e mëkatit të madh, ndërsa tekfircat nuk e llogarisin kafir atë. Edhepse kjo nuk i bën ata që të mos kenë ngjashmëri në mes veti, ngase havarixhët janë të njohur si njerëz që bëjnë tekfir mbi muslimanët, dhe tekfircat nuk shpëtojnë prej kësaj cilësie fare.
Së katërti: Personin në fjalë (Ebu Muhamedin) nuk e njoh prej së afërmi, dhe nuk kam lexuar ndonjë libër të tij, e as që kam dëgjuar ndonjë ligjeratë të tij, por në bazë të asaj që është e njohur në mesin e vëllezërve, dhe asaj që është përcjellur prej hoxhallarëve, është se ky person është një prej thirrësve të këtij grupi të devijuar dhe të humbur, nën devijimin e të cilin kanë rënë shumë viktima.
Lusim Allahun (azzevexhel) që t’i drejtojë në rrugë të drejtë ata të cilët kanë rrëshqitur prej besimit të pastër të Ehli Sunetit dhe kanë devijuar rrugën e tyre, duke menduar se janë në pasimin e hakut dhe të argumenteve të Sheriatit. Si dhe t’ua mundëson atyre kuptimin e vërtetë të argumenteve dhe t’i largon prej dyshimeve dhe bindjeve të kota dhe të gabuara të tyre. Amin
Allahu e di më së miri.
Omer Bajrami
02.07.2011
http://omerbajrami.com/index.php?opt...igje&Itemid=74
Krijoni Kontakt