Diplomatë shqiptarë me dy shtetësi
09/11/2010
Skerdilajd Zaimi
Diplomacia
Në ambasadat tona, 28 titullarë janë politikë, nga 50 përfaqësi gjithsej
Skandali i lidhur me humbjen e kompjuterit për komunikimin e klasifikuar në misionin shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duket se “mbulon” një sfond problematik për Ministrinë e Jashtme. Ana spektakolare e kësaj ngjarjeje plotësohet me heshtjen ndaj parregullsive ligjore në emërimin e përfaqësuesve diplomatikë të Shqipërisë që përbën një situatë po kaq të papranueshme. Kështu, nga një listim i 50 misioneve që aktualisht Shqipëria ka jashtë vendit, rezulton se 28 prej titullarëve të tyre vijnë si kontingjent i politikës, apo i propozimeve të bëra prej saj. Në referencë të ligjit për “shërbimin e jashtëm”, neni 22, kjo kuotë nuk mund të kalojë 20%, çka me një krahasim shifrash jep të kuptojë se misionet e Shqipërisë drejtohen në masën mbi 55% nga njerëz të ardhur si sygjerime të politikës, apo që nuk kanë ndjekur shkallët e karrierës sipas kritereve të këtij ligji. Përgjegjësia në këtë rast shënjon përveç Ministrisë së Jashtme edhe Komisionin Parlamentar të Marrëdhënieve me Jashtë, që miraton kandidaturat përmes një seance dëgjimore. Duke pasur parasysh se në përgjithësi arsyet që e detyrojnë shtetin shqiptar në veprime të tilla mund vetëm të hamendësohen, është me vend që të kuptohen pasojat. Kështu, mosrespektimi i anës ligjore ka prodhuar një reaksion zinxhir, për shkak të të cilit penalizohen anëtarë të shërbimit të jashtëm. Burime nga Ministria e Jashtme bëjnë të ditur se aktualisht 23 diplomatë karriere janë në listë pritjeje, për shkak të veprimeve të rekrutimit politik të kryer në vitin 2006 e më pas. Përfundimi i detyrës jashtë vendit ka sjellë një listë të tillë personash, për të cilët shteti shqiptar dhe ligjet që ai ka miratuar kanë detyrimin e kthimit të tyre në punë.
Përfaqësues me shtetësi të huaj
Neni 27 i ligjit për “shërbimin e jashtëm” sanksionon kriteret e përzgjedhjes për pranimin në të. Konkretisht, “në shërbimin e jashtëm pranohen personat, të cilët plotësojnë veçanërisht këto kërkesa: a) të kenë shtetësi shqiptare, b)banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë”. Sipas burimeve nga Ministria e Jashtme, në ballafaqim me këtë dispozitë sot ka të paktën 3 përfaqësues që bien në kundërshtim; konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Nausika Spahia ka shtetësi të huaj, po kështu kolegu i saj i një rangu tjetër, Gjon Çoba, ka shtetësi të dyfishtë, për të kaluar në një rast që kërkon një shpjegim të karakterit juridik si konsulli i Shqipërisë në Janinë, Jani Dako me shtetësi dhe kombësi greke. Ky është një “bilanc” që dikton interpretime korrekte në raport me ligjin, për sa kohë që neni i sipërcituar flet për persona që “pranohen në shërbimin e jashtëm”. Por paqartësi për ekzigjencën ligjore të Ministrisë së Jashtme krijohen edhe më tej, po të mbahet parasysh edhe se mes përfaqësuesve apo njerëzve që janë në postet konsullore janë caktuar edhe shtetas shqiptarë me statusin zyrtar të emigrantit. Raste të tilla do të mund të përmendeshin Seit Qerimaj në Gjenevë dhe Margarita Gega në Këshillin e Europës. Referenca e nenit 27 kërkon banim të përhershëm në Shqipëri, çka statusi i emigrantit legal e vë në dyshim, të paktën për një periudhë të caktuar kohore.
“Pezullimi i ambasadave”
Një problem me rëndësi që e vendos gishtin e përgjegjësisë për situatën e krijuar në diplomacinë shqiptare mbi politikën është edhe ai ekonomik. Këtë duket të mos e ketë shmangur as rritja më e madhe në botë, e cila me mirëkuptim në raport me Ministrinë e Jashtme mund të shihet edhe si paradoks i zhvillimit. Kështu, në përpjekjen për të hapur seli të reja, financa ka rezultuar një frenuese e vërtetë. Pavarësisht se VKM-ja e Këshillit të Ministrave për hapjen e ambasadës sonë në Letoni është marrë në vitin 2008, mungesa e fondeve e ka lënë gjendjen në statusin e dëshirës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Sllovakinë, ku së fundmi Presidenti ka dekretuar edhe emrin e ambasadorit.
shqip.
Krijoni Kontakt