Beograd, 9 nëntor – Përfaqësuesja e futbollit të Kosovës do të marrë pjesë në kualifikimet për Kampionatin Botëror, që do të zhvillohet në Brazil më 2014, dhe këtë informacion e ka konfirmuar edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, shkruan sot e përditshmja e Beogradit “Kurir”.
Sipas informatave që, siç pohon kjo gazetë, i ka siguruar, në mbledhjen e paradokohshme të UEFA-s në Nyon, ka marrë pjesë një numër tajkunësh shqiptarë. Ata me të gjitha mjetet kanë lobuar për pranimin e FFK-së në shtëpinë evropiane të futbollit, por kryetari i UEFA-s, Michelle Platini, është kundërshtar i madh i kësaj ideje, prandaj shqiptarët dëshirojnë mossuksesin e tij në zgjedhjet e vitit 2011.
Ndonëse mbledhja në Nyon nuk kishte lidhje me Kosovën, në ndërtesën e UEFA-s kishte numër të madh biznesmenësh shqiptarë.
“Mora vesh shumë shpejt se pjesëmarrja e Kosovës në kualifikimet për Kampionatin Botëror është thuaja punë e kryer. FIFA jozyrtarisht ka dhënë dritën e gjelbër, ndërkaq pritet që ta njoh edhe UEFA. Mirëpo, kundërshtari i madh i njohjes së FFK-së është kryetari Michelle Platini, prandaj shqiptarët presin zgjedhjet në vitin e ardhshëm dhe ardhjen në krye të UEFA-s të njeriut të ri për të vënë në jetë qëllimin”, thotë bashkëpunëtori i gazetës i afërt me UEFA-n.
Tregimin e ka konfirmuar edhe ish-lojtari i Partizanit të Beogradit e tash kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.
“Kjo është një gjë e domosdoshme, realitet. Po bëjmë sa mundemi në drejtim të pjesëmarrjes në kualifikimet për Kampionatin Botëror në Brazil dhe nuk shohim asnjë arsye që këtë të mos e zbatojmë në vepër. Shtetin e Kosovës tashmë e kanë njohur 71 vende, nga të cilat shumica janë fuqi botërore e ekonomike, por edhe futbollistike, që dëshirojnë që përfaqësuesja e jonë të jetë anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s”, ka konfirmuar Vokrri, duke shtuar:
“Do të dëshiroja që në xhiron e parë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të jemi në grup me Serbinë. Kjo do të ulte tensionet. Qëllimi i futbollit është të bashkon njerëzit dhe shtetet. Po ashtu, dëshirë e madhe e njerëzve nga FFK-ja është që sa më parë të luajmë një ndeshje miqësore me ‘shqiponjat tuaja’, kurse dëshirë e ime personale është që ky duel të luhet në stadiumin e Partizanit, me të cilin më lidhin kujtimet më të mira nga karriera ime si lojtar”.
Në Federatën e Futbollit të Serbisë nuk kanë informatë se përfaqësuesja e Kosovës do të marrë pjesë në kualifikimet e ardhshme për Kampionatin Botëror në Brazil më 2014, duke e cilësuar këtë se bën pjesë në domenin e fantazisë shkencore.
“Statuti i UEFA-s është i qartë kur bëhet fjalë për pranimin e anëtarëve të rinj dhe Federata e Serbisë ka marrë garancione disa herësh se ekipi kombëtar i Kosovës nuk mund të pranohet në familjen futbollistike evropiane, prandaj as në FIFA. Kualifikimet për Kampionatin Botëror të Brazilit fillojnë nga shtatori 2012, kurse imagjinata shkencore është se topthi me emrin e Kosovës do të ndodhet në njërën nga sheshirat”, thonë në FFS.
Krijoni Kontakt