Të burgosurit e rastit “Brodeci” janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Alarmin e japin familjarët e tyre, tre vjet pas burgosjes. Familjarët i tremben faktit se Nadi dhe Rametulla Dauti, do përfundojnë si bashkëfshatari i tyre Hanif Dervishi, i cili për shkaqe shëndetësore ndërroi jetë në burg. Të vizituar nga Alsat-M, familjet u ankuan se të burgosurit trajtohen si terroristë, ndërsa partitë shqiptare nuk janë interesuar asnjëherë për fatin e tyre.
“Burri i sëmurë, djali i sëmurë duke ndenjur nëpër burgje. Ata mjek iu çojnë por nuk janë mirë sërish. Burri ka probleme me tensionin, këmbët i dhëmbin nga të këqijat e burgut, ata s’kanë gajle, i trajtojnë si terrorist dhe mundë t’iu ndodh si ai i burgosuri tjetër që shkoi. Prej partive askush s’na ka vizitua, vetëm gazetarët. Ne nuk duam as para, as ndonjë gjë tjetër, njerëzit duam, djalin dhe burrin tim e dua”, u shpreh Elmaze Dauti, familjare.
“Ata fajtorët ikën, këta të pafajshmit i burgosën dhe i dënuan nga 10 vjet burg”, u shpreh Shamiran Dauti.
Kryetari i Bashkësisë Lokale shpreh zhgënjimin nga partitë politike. Gjendja ekonomike e familjes Dauti është e rëndë, ndërsa edhe vetë fshati është i varfër për t’u ofruar ndihmë. As shoqatat apo institucionet nuk janë kujdesur për këto familje.
“Ende askush nuk ka ardhur të na pyes se çfarë u bë. I kam dy kërkesa që ua kam drejtuar partive, s’na kanë pranuar. Ata janë në hall, të shkoj deri në Shkup apo Prilep i kushton 100 euro, ndërsa ata nuk kanë bukë të hanë”, deklaroi Bektesh Mustafa, kryetar i Bashkësisë Lokale Brodec.
Më 7 nëntor të 2007 në aksionin policor “Stuhia malore” mbetën të vrarë 6 persona. 13 persona të tjerë u arrestuan dhe gjykuan. Njëri prej tyre, Hanif Dervishi ndërroi jetë në burg, ndërsa 12 të tjerë vazhdojnë dënimin me gjithsej 109 vjet burg.
http://www.botasot.info/def.php?category=12&id=86983
Krijoni Kontakt