Qeveria e vendit ka planifikuar ndërtimin e autostradës Prishtinë –Han i Elezit.Përgatitjet për nisjen e këtij projekti sipas planit qeveritar pritet të kryhen në dhjetor të këtij viti. Plani vjetor i punës së Qeverisë Thaçi parasheh që në kryerjen e këtyre modaliteteve të shpenzohet një shumë prej 3 milionë euro e cila do të shërbejë për përgatitjen e nisjes së punimeve.
Për këtë ishte angazhuar një kompani franceze, e cila kishte përgatitur një plan se nga ishte më mirë t’i binte autostrada Prishtinë - Han i Elezit. Këtë projekt vitin e kaluar e pati prezantuar ish-ministri i Transportit e i Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, sipas të cilit kompania franceze “Egis BCEOM”, kishte përgatitur një projekt të detajuar të ndërtimit të kësaj autostrade. Sipas Limajt, sistemi i partneritetit publiko-privat ka përparësi në ndërtimin e këtij projekti.
“Analizat tregojnë që kjo rrugë ka fizibilitet dhe ka interes të shkohet drejt një sistemi të tillë”, pati deklaruar vitin e kaluar ish-ministri Limaj.
Francezët në projektin e tyre sipas qeveritarëve kanë rekomanduar që autostrada të ndahej në dy seksione. Atë verior që fillon nga veriu i Lipjanit deri në Kaçanik, me një distancë prej 42 kilometra si dhe seksionin jugor nga Kaçaniku deri në kufi me një distancë prej 13 kilometrash.
“Ndarja e projektit në dy seksione lejon kryerjen e ndërtimit në disa faza. Prioriteti i qeverisë është që të shkohet deri në Kaçanik, ndërsa pjesa e dytë duhet të vlerësohet dhe të shikohet kur janë kushtet dhe mundësitë e nevojshme të bëhet”, pati thënë Limaj.
Kjo autostradë planifikohet të ketë katër ura që do të ndërtohen në pjesën veriore si dhe tri tunele. Më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut me 2.2 km, ndërsa tuneli i Lacit 0.9 km dhe tuneli i Kashanit do të jetë 200 metra. Projekti për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Shkup do të kushtojë rreth 500 milionë euro. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit të Kosovës, pas formimit të qeverisë së re, pritet shprehja e interesit për ndërtimin e kësaj autostrade.