Kujdes nga ilaçet “vdekjeprurëse”
02/10/2010
Dikur ilaçet e falsifikuara ishin problem i vendeve në zhvillim. Tani kërcënojnë edhe vendet e pasura, që po i kërkojnë ndihmë teknologjisë, për të ndalur tregtimin e tyre
Trafikantët e drogës ndëshkohen gjithmonë rëndë, pavarësisht se nga vijnë dhe ku jetojnë. Përkundrazi, ata që tregtojnë ilaçet e falsifikuara, ia hedhin shumë lehtë. Megjithatë, shpresa është se gjërat mund të ndryshojnë: sektori farmaceutik ka bindur qeveritë e shumë vendeve të hartojë ligjet kundër trafikut të ilaçeve false dhe të rrisin kontrollet. Sepse ilaçet e falsifikuara mund të marrin jetën. Shumë janë të një cilësie të keqe dhe përmbajnë një dozë të gabuar përbërësish. Në vendet në zhvillim, prej kohësh ky fakt përbën një shqetësim të madh. Sipas disa studimeve të bëra në Afrikë dhe Azinë Juglindore, mendohet se janë “false” 15 deri në 30 për qind e produkteve farmaceutike kundër infeksioneve të ndryshme. Po ashtu, sipas llogarive të Kombeve të Bashkuara, është e falsifikuar rreth gjysma e produkteve kundër malaries që shiten në Afrikë, për një çmim prej 438 milionë dollarësh në vit. Roger Bate, i “American Enterprise Institute” në Uashington, tregon se këto vlerësime duhen analizuar me kujdes. Sipas tij, ka shumë mundësi që në vendet ku qarkullojnë më tepër ilaçe të falsifikuara nuk ka ligje të rrepta dhe të dhënat zyrtare mbi sasinë false të këtyre produkteve mund të mos pasqyrojë realitetin. Por në çdo rast, Bate është i bindur se ilaçet false vrasin të paktën 100 mijë persona në vit, sidomos në vendet e varfra. Tani frika është se këto ilaçe po qarkullojnë lirisht edhe në botën e industrializuar. Viagra për shembull, është ende produkti më i imituar i “Pfizer”, tregon John Clarc, përgjegjësi botëror për sigurinë i shtëpisë farmaceutike amerikane. Megjithatë, në firmat që merren me shpërndarjen në të paktën 44 vende janë gjetur shumë ilaçe false. Më parë qarkullonin vetëm në vendet e varfra, vazhdon Clarc, por tani gjenden edhe në vende të mëdha dhe të fuqishme si Kanadaja dhe Britania e Madhe. Për më tepër, “mashtruesit” po i përmirësojnë gjithmonë e më shumë teknikat e tyre. Ata janë në gjendje të falsifikojnë shenjat në paketim që duhet të tregojnë për auticintetin e ilaçeve.
Një treg miliarder
Sipas një sondazhi të kryer në 14 vende europiane dhe të financuar nga “Pfizer”, thuajse një e pesta e të intervistuarve ka arritur të sigurojë ilaçe nëpërmjet rrugëve të paligjshme. Bëhet fjalë për një treg të zi, që vlen miliarda dollarë. Sipas Terry Hisey, anëtar i shoqërisë që merret me kompaninë e konsulencës “Deloitte”, vlera e tregut global të ilaçeve të falsifikuara mund të shkojë nga 75 deri në 200 miliardë në vit. Këto shifra, thotë ai, kontribuojnë në shpjegimin e shumëfishimit të teknologjive dhe të ndërmarrjeve që ofrojnë të ndihmojnë sektorin farmaceutik. Në korrik, “Oracle”, kolosi amerikan i softuerëve, përuroi “Pedigree”, një program që lejon të ndjekësh dhe të shkosh në gjurmët e ilaçeve nga fabrika tek konsumatorët. “IBM” ka një ofertë analoge, plus njërën që përdor çip identifikimi për të gjetur paketimin. Edhe kompania 3M dhe shtëpia farmaceutike amerikane “Abbott laboraories” po përpiqen të hedhin në treg produkte të ngjashme. Një departament i kolosit farmaceutik “Johnson & Johnson” ka vendosur në faqen e tij të internetit një program për të ndihmuar funksionarët e doganave të verifikojnë me shpejtësi nëse ilaçet janë të vërtetë apo falsë. Për vendet e varfra këto teknologji janë shumë të kushtueshme. Por një kompani dogane ka ideuar një tjetër mënyrë, duke përdorur celularët: shtëpitë farmaceutike vendosin një kod special në ambalazhin që duke e dërguar përmes një SMS falas, i vërteton menjëherë të dhënat për ilaçin. Thomas Kubic i “Pharmaceuical Security Institute” mendon se nuk do të jetë e lehtë të ndalosh këtë trafik. Mashtruesit do mundohen gjithmonë të gjejnë mënyra të ndryshme për të shpëtuar. Por nëse falsifikimi i ilaçeve mund të bëhet i vështirë dhe i kushtueshëm, mashtruesit mund t’i hedhin sytë nga çantat “Guçi”. Edhe ky është krim, por të paktën nuk do të vriste njeri.
Efektet anësore
Një sërë studimesh tregojnë se reaksionet e nxitura nga ilaçet shkaktojnë në 5-7% të rasteve të të sëmurëve, të cilët duhet të shtrohen menjëherë në spital. Kjo përqindje rritet në bazë të moshës dhe ilaçeve të marra. Megjithatë, ky nuk është thelbi i problemit. Para disa vitesh, një studim i publikuar në një revistë shkencore, ka llogaritur se çdo vit, në spitalet angleze, efektet anësore të ilaçeve shkaktonin 250 mijë të sëmurë, duke u kushtuar spitaleve kombëtare një pagesë prej 466 milionë sterlinash. Por përse i kushtohet kaq pak rëndësi një problemi shumë të përhapur? Shkaqet janë më shumë se një. “Problemi kryesor vjen si pasojë e një studimi jo të rregullt e të mjaftueshëm në universitet”, thotë një kompani ilaçesh. Ndër të tjera, informacioni i kësaj industrie ka prirje të nënvleftësojë problemet, e pavarësisht efekteve mbi popullatën dhe kostove, nuk është raportuar si problem i shëndetit publik. Në fund diagnoza është e vështirë. Vështirësia për të diagnostikuar një sëmundje po rritet gjithnjë e më shumë. Një studim i publikuar në “Archives of Internal Medicine” nga studiuesit e Pensilvanisë dhe Karolinës së Veriut, tregoi se në shtatë vjet, nga 1998-2005, efektet anësore të ilaçeve janë rritur në 2,6 herë, ndërkohë që pasojat fatale janë trefishuar. “Efektet e rënda anësore rriten me një shpejtësi katër herë më të madhe se rritja e precizonit farmaceutik. Gjithashtu, ilaçet më moderne janë absolutisht më të rrezikshme: në shtatë vjet, efektet e rënda anësore të 13 ilaçeve bioteknologjike janë rritur 15,8 herë”, shprehet një studiues nga Karolina e Veriut.
shqip.
Krijoni Kontakt