Dështimi i dekomunizmit në Shqipëri
Nga Olsi Baze
“Komunizmi vdiq? Unë nuk e besoj sepse nuk ja kam parë kufomën”. Me këtë fjali u shpreh një punëtor i lëvizjes Solidarnost kur shokët e tij i dhanë sihariqin se komunizmi kishte marrë fund në Poloni.Plot katër dekada pas rënies së murit të Berlinit, në shumë vende pjesë e perandorisë komuniste sovjetike u ndërmor procesi që njihet me emrin dekomunizim i shoqërisë. Për disa vite me radhë, ky proces zuri një vend të rëndësishëm në debatin politik dhe shoqëror të këtyre vendeve ish-komuniste.
Ky proces u krye kryesisht duke u mbështetur në katër forma të ndryshme;
1). Ndëshkimin ligjor për veprat kriminale të kryera nga funksionarë të lartë nëpërmjet sanksioneve ligjore dhe vendimit të gjykatave. Këtë rast e gjejmë te aplikuar në Gjermani, Bullgari dhe Hungari.
2).Diskualifikimit, një proces në të cilin hartohet një ligji i cili i heq të drejtën disa kategorive të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist për të marrë pjesë në jetën politike dhe funksione të larta shtetërore. Këtu vlen të përmendet se vende si i Çekia dhe Hungaria kaluan në këtë proces.
3.)Rikthimi dhe dëmshpërblimi, proces ne të cilin dëmshpërbleheshin në valutë ose në rikthim të pasurisë së sekuestruar nga regjimi i kaluar. Pjesa më e madhe e vendeve komuniste e kanë kryer këtë proces duke qënë se është një nga kushtet themelore për të hyrë në BE si detyrim që lind nga Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut.
4). Restaurimit të Memories Kolektive duke ndërtuar komisione të cilat kishin për qëllim nxjerrjen në pah të së Vërtetës dhe Ripajtimit (Komisioni Tutu në Afrikë te Jugut) dhe së dyti hapja e dosjeve që policia sekrete kishte hartuar për vite me radhë për individët.
Nëse do ta vlerësojmë procesin e dekomunizmit në Shqipëri duke e krahasuar me katër modelet e lartpërmendura do të dalim në konkluzionin e thjeshtë se Shqipëria ka një histori dështimi në këtë procesin e saj të dekomunizmit. Ndëshkimi ligjor i drejtuesve të diktaturës komuniste në Shqipëri u shoqërua më shumë më procese gjyqësorë që kishin të bënin me shpërdorim të fondeve publike dhe pasurisë shtetërore dhe privilegjesh sesa në shqyrtimin e provave dhe dënimin e tyre për krimeve kundër njerëzimit dhe dënime kolektive. Në vendin tonë ende nuk kemi një ligj për diskualifimin e personave që kanë bashkëpunuar me regjimin komunist dhe që sot mbajnë pozicione të rëndësishme në jetën politike dhe institucionale. Deri para disa muajsh më parë në krye të gjykatës supreme të vendit ishte një gjyqtar i cili kishte dhenë dënime me vdekje gjatë regjimit komunist.
Për sa i përket dëmshpërblimit, mijëra familje dhe pronarë të ligjshëm që u shpronësuan nga regjimi komunist shqiptar, ende nuk kanë përfituar rikthimin e pronës së tyre të sekuestruar në mënyrë të dhunshme dhe që sot është e tjetërsuar. Vetëm një pjesë e vogël e të burgosurve politike kanë marrë dëmshpërblimin për vitet e kaluara në burg në mënyrë të padrejtë.
Personalisht besoj se kur vdes memoria e gjallë e një populli atëherë ai sajon gënjeshtra për të mbijetuar. Para disa vitesh më ra në dorë të lexoja në formë tregimi seancat psikologjike të Rudolf Franz Ferdinand Höß komandatit SS të kampit famëkeq të Auschëitz. Höß rrëfeu mënyrën, strukturën se si ishin ndërtuar kampet e vdekjes. Ai tregoi sesi funksionin këto kampe dhe kostot e rënda njerëzore, shfarosjet e mijëra të pafajshmëve, dhe efektet tek oficerët SS të cilët nga presioni dhe mbrejtja e ndërgjegjes shkonin deri në vetëvrasje sepse ishin te paaftë të duronin të thirrurat e vuajtjeve të njerëzve që ata po shfarosnin në sallat e gazit. Nga rrëfimi i Hoes gjykatësit, historianët ndërtuan saktë skemën e shfarosje dhe funksionimit të SS dhe në këtë mënyrë u ndërtua memoria kolektive. Pavarësisht krimeve të shëmtuara që kishte kryer, Hoes la pas tij një memorie, një gjurmë për historinë për atë çka ishin dhomat e shfarosjes në masë. Dëshmia e tij na mësoi atë që të mbijetuarit s’mund të tregojnë.
20 vjet pas rënies së diktaturës ne s’kemi mundur të ndërtojmë një memorie kolektive historike. Në pesëdhjetë vite regjim totalitar na është mësuar dhe propaganduar një histori false, transmetuar një memorie kolektive e ndërtuar në interes të një diktatori një regjimi rreth miteve të thurura për ndërtimin e kultit të personalitetit të tij. Ne mbetemi aktualisht një popull me një histori të panjohur dhe të cunguar dhe kjo përben një problem të madh për brezat e ardhshëm.
Memorien kolektive të vendit tonë po e ndërtojnë më shumë studiuesit e huajt sesa librat e historisë sonë dhe ky problem bëhet edhe më i madh nëse parashtrojmë pyetjen se çfarë memorie kolektive do t’ju lejmë ne pasardhësve tanë. Jemi përpara një paradigme të madhe sepse nuk kemi një memorie kolektive të vërtetë institucionale mbi periudhën e diktaturës dhe krimet që janë kryer prej saj. Ende ka debate për patriotët, kolaboracionistët, heronjtë. Fakti që për shumë vite me radhë u fsheh e vërteta mbi ngjarjet politike para dhe pas vendosjes së diktaturës duke qenë se nuk ka dëshmi dhe një institucion të pavarur për vendosjen në vend të fakteve historike ende sot përçan politikisht popullatën shqiptare. Philippe Petain është një nga personazhet më të kontestuar në Francë. Heroi i Luftës së Parë Botërore ai drejtoi qeverinë kolaboracioniste të Vishisë e cila kreu krime kundër njerëzimit. Si pasojë ai u dënua me vdekje por u fal nga Charles de Gaulle president i asaj kohe i cili kishte qenë asistent ushtarak i Petain gjatë Luftës së Parë Botërore. Në memorien kolektive franceze Petain gjykohet në dy aspektet e lartpërmendura askush nuk ja mohon meritat e tij si ushtar, por askush nuk injoron faktin se ai kreu një krim ndaj atdheut të tij.
Vetë historianët, institucionet akademike në Shqipëri kanë ndërtuar dhe transmetuar një memorie kolektive të gënjeshtër për dekada gjatë regjimit komunist. Kjo ishte një memorie e cila ishte ideologjike dhe fatkeqësisht konsiderohet si e vërtetë nga shumë njerëz në Shqipëri në ditët e sotme. Më e dhimbshme akoma, brezat e rinj në Shqipëri injorojnë se para njëzet vitesh në vend ekzistonte një nga diktaturat më të egra që ka njohur njerëzimi dhe madje habiten kur dëgjojmë për krimet e komunizmit. Shumë prej të rinjve njëzet vjeçarë injorojnë tërësisht se çfarë ishte kjo diktaturë, si funksiononte, çfarë krimesh kreu ajo ndaj popullsisë shqiptare dhe cilat janë pasojat e saj sot.
Ata injorojnë emrat e Gjergj Fishtës, Vilson Blloshmit, Martin Camajt, Faik Konicës e plot të tjerëve të cilët ishin viktima direkte ose kolaterale të diktaturës.
Diktaturat në Europën Lindore kanë pasur gjithsecila specifikën, organizimin, natyrën, strukturën e vet horizontale ose vertikale nëpërmjet së cilave ato ndërtoheshin funksiononin dhe merrnin jetë. Hallka më e rëndësishme e një sistemi diktatorial pas udhëheqjes politike, mbetej aparati shtetëror dhe shërbëtorët e devotshëm të cilët me zell dhe bindje hipnotizuese mundoheshin të integroheshin sa më shumë për të shprehur përuljen dhe bindjen e verbër për ti shërbyer aparatit në të cilin ata e vetë-indetifikoheshin. Është fatkeqësi për ne shqiptarët që kemi njohje më shumë sesi funksiononte KGB, STASI dhe UDB dhe nuk dimë sesi funksiononte makineria vrasëse e Sigurimit të Shtetit.
Diktatura dhe regjimi komunist nuk ekziston më në vend por demokracia bashkëjeton dhe jeton me krijesat e regjimit komunist duke injoruar mekanizmat të cilat bënë që ajo te vuante një nga tranzicionet më të vështira që ka njohur një vend diktatorial. Hapja e dosjeve, një temë e cila është hapur dhe mbyllur me qindra herë, ndërtimi i një memorie kolektive për atë periudhë historikë kërkon që transparenca dhe drejtësia të vendosen në piedestalin e tyre, në mënyrë që të mësojmë mekanizmat që sollën vrasje politike, denoncime dhe persekutime që disa gjenerata lejuan të ekzistojnë. Është një detyrim moral ndaj njerëzve të pafajshëm dhe atyre që vuajtën dënime të padrejta dhe përfunduan jetën në mënyrë anonime. Sot ka me qindra familje që ende kërkojnë varrin e të afërmeve te tyre, që ende zvarriten dyerve ta administratës për të gjetur eshtrat e njerëzve të pafajshëm. Në antikitet ekzistonte një grua e njohur me emrin Antigonë. Për të nderuar kufomën e të vëllait të vrarë nga mbreti i vendit, ajo sfidoi urdhrin e tij për ta lënë trupin e tij pa varr dhe e varrosi pavarësisht se ajo sakrifikoi jetën e saj nuk lejoi çnderimin e kufomës së vëllait.
Nga kjo grua shqiptarët duhet të frymëzohen, ata që dinë ku ndodhen ato eshtra, ata që kanë qenë pjesëtarë dhe dëshmitarë të ekzekutimit duhet të bashkëpunojnë me drejtësinë për të gjetur të humburit. Brezat e rinj duhet të mësojnë se çfarë ndodhi në atë periudhë të herët në historinë e vendit tonë në mënyrë që në Shqipëri të mos këtë më fatkeqe pa varre. Në Shqipërinë post komuniste ekzistojnë ende me qindra gropa masive të pazbuluara me viktima te diktaturës që dëshmojnë për krimet e një regjimi makabër. Në një vend të vogël si Shqipëria mbetet tronditës fakti që pas 20 vitesh të rënies së diktaturës, shumë familje ende nuk kanë dijeni mbi vendodhjen ku prehen të afërmit e tyre të pafajshëm të ekzekutuar nga diktatura komuniste. Sot ka ende individë pjesë të strukturave shtetërore të atyre viteve që mbajnë në heshtje fakte dhe detaje që nëse do ti zbulonin do ti ndihmonin njerëzit jo vetëm të gjejnë trupat e të afërmeve e tyre, por edhe të ndërtojmë një histori dhe memorie historike të vërtetë.
Morali dhe logjika do ta donte që shumë prej prokurorëve dhe gjykatësve, zyrtarëve që kanë dënuar njerëz të pafajshëm në regjimin diktatorial, mos ushtronin sot funksionet zyrtare që mbajnë në emër te moralit dinjitetit dhe respektit ndaj atyre mijëra viktimave të pafajshëm. Ata sot kanë prodhuar dhe konvertuar drejt një sistemi të ri ai korruptiv i cili i vendos në një pozicion force të re. Fatkeqësisht bota nuk është e përsosur, prandaj në të tilla situata vetë shoqëria, ligji sistemi demokratik duhet t’ju kërkojë dhe detyrojë këta personave të mos mbajnë më poste institucionale.
Përditë e më shumë bëhet e nevojshme miratimi i një ligji që diskualifikon nga funksionet politike dhe zyrtare disa kategori bashkëpuntorësh dhe drejtues të diktaturës që kanë përgjesësi direkte ndaj krimeve gjatë kohës së diktaturës.
Besoj më shumë se kurrë në nevojën e miratimit të një ligj i cili deklasifikon të gjithë arkivat sekrete dhe detyron të gjithë institucionet, individët që kanë njohje dhe dijeni mbi fatin e të zhdukurve të krimeve të diktuarës të bashkëpunojnë me drejtësinë. Në këtë mënyre familjarët e viktimave, 4000 të zhdukurit e ekzekutuar ende pa varr në Shqipëri të kenë një vendprehje ku të afërmit e tyre ti qajnë dhe ti japin lamtumire denjësisht. Viktimat e komunizmit të lënë në harresë, përfaqësojnë kujtime të gjalla për familjarët e tyre, por njëkohësisht brengë sepse ata nuk kanë mundur kurrë t’ju thonë kurrë lamtumirë.
Harresa është e mbushur me kujtime. Prandaj sot ne Shqipëri është e domosdoshme që të miratohet një ligj për Memorien Historike i cili ashtu si edhe në Spanjën e vitit 2008 lejon deklasifikimin e dokumenteve sekrete te krimeve të diktuarës, dënon krimet e saj dhe lejon drejtësinë të rehabilitojë viktimat e pafajshme duke ju dhenë pafajësinë e shumë pritur. Ky ligj do te lejojë brezat e rinj te njohë padrejtësitë e historisë dhe realitetin e një regjimi diktatorial si ai i Hoxhës. Vetëm atëherë kujtimet dhe brezat që do të vijnë do të vrasin harresën dhe indiferencën. Para se ty hyjmë si komb në familjen europiane detyrohemi ta shohim të kaluarën në një pasqyrë transparente dhe mos lejojmë që demonët e të shkuarës të shkatërrojnë dhe mbjellin dëshpërim në të ardhmen. Ata duhen dëbuar nga jeta publike edhe pse disa diplomatë të huaj nuk e dëshirojnë.
Në Bibël thuhet: “E vërteta do t’ju çlirojë”. Ka ardhur koha të çlirohemi.
*Fjala e mbajtur me datën në Konferencën “Memoria Historike dhe përballja me të kaluarën”
gazeta tirana observer
Krijoni Kontakt