PRISHTINE- Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë mund të mbahen më 12 dhjetor të këtij viti.
Mediat në vend shkruajnë se qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi i kanë mbetur edhe tre ditë legjitimitet. Të martën do të mblidhet Kuvendi i Kosovës për të votuar mocionin e mosbesimit të Qeverisë, te iniciuar nga AKR-ja, i cili mund të shënojë fundin e qeverisë aktuale.
Nëse mocioni i mosbesimit merr votat e nevojshme, rënia e qeverisë do të pasohet nga shpërbërja e parlamentit, në mënyrë që të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme brenda këtij viti.
Konform ligjit për zgjedhje të përgjithshme, zgjedhjet në raste të tilla nuk mund të mbahen më herët se 30 ditë e as më larg se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.
Nëse numërimi i ditëve fillon nga 2 nëntori, atëherë afati më i largët kohor për mbajtjen e zgjedhjeve do të jetë 12 dhjetori, datë kjo që përkon me ditën e diel.
Ndryshe nga zgjedhjet e rregullta, që përcillen me fushatë një mujore, ato të parakohshmet kufizohen në 10 ditë. Por ndërkohë zyrtarë të Qeverisë kanë paralajmëruar se brenda pak ditësh do ta plotësojnë me figura të reja politike vakuumin e krijuar në gjashtë ministri, pas largimit të LDK-së nga koalicioni qeverisës, me qëllim të zhbllokimit të shumë marrëveshjeve dhe tenderëve, që kanë mbetur pezull për shkak të mungesës së ministrave.
Krijoni Kontakt