E shtune 30 Tetor 2010 15:03
Është rrahur para shtëpisë së tij, Gëzim Rahova, nëntoger i FSK-së, nga disa persona të komunitetit serb.
Ngjarja ka ndodhur të premten mbrëma rreth orës 21:40 në Lagjen e boshnjakëve, në veri të Mitrovicës.
“Kam qenë duke qëndruar para shtëpisë time kur kanë kaluar shtatë persona, të cilët ishin duke kënduar këngë nacionaliste dhe duke brohoritur ‘Serbia, Serbia... Pasi janë ofruar krejt pranë meje, papritmas kanë filluar të më grushtojnë”, tregon Rahova.
Sipas tij, ata kanë qenë të dehur, ndërsa disa prej tyre ai i njeh mirë, pasi jetojnë në afërsi të shtëpisë së tij. Ai ka pësuar lëndime në fytyrë dhe është dërguar në shtëpinë e shëndetit në Mitrovicë.
Ergin Mediq, nënkolonel i Policisë së Kosovës, i cili ka arritur në vendin e ngjarjes, ka konfirmuar rastin për Kosovapress, duke thënë se një person, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës është viktimë e rastit. Sipas tij, viktima është sulmuar para shtëpisë së tij për shkaqe të panjohura deri tani.
“Sulmuesi është një qytetar serb që quhet Millosh, të cilin policia e ka arrestuar dhe ai për momentin ndodhet në stacionin policor të veriut”, ka thënë Mediq.
Në anën tjetër, shumë banorë shqiptarë të kësaj lagje, të indinjuar me sjelljet e pjesëtarëve serbë të policisë së Kosovës, ishin tubuar përreth shtëpisë ku ishin të dyshuarit e rastit, për të cilët thanë se i njohin mirë, duke kërkuar nga policia që t’i arrestojnë ata.
Gjendja deri rreth orës 02:00 pas mesnate ka qenë e tensionuar në këtë lagje dhe banorët shqiptarë të shqetësuar për fatin e tyre kanë qëndruar nëpër rrugë, ndërkohë që forca të mëdha të sigurisë, duke përfshirë këtu pjesëtarët e KFOR-it grek dhe karabinierë, kanë qëndruar pothuajse gjatë tërë natës në lagje.
Krijoni Kontakt