Një vështrim i ri për kryengritjet shqiptare 1908-1912
Një vështrim i ri për kryengritjet shqiptare 1908-1912
Blerta Maliqaj
Historianët shqiptarë të mbledhur në Prishtinë, trajtuan tema të shumat historike të cilat përmbanin fakte rreth kryengritjeve antiosmane që shqiptarët kishin organizuar gjatë viteve 1908-1912.
Java e Albanologjisë, e cila po mbahet në Prishtinë, në ditën e tretë të punimeve solli në Prishtinë, historianë nga të gjitha trojet shqiptare. Temë bosht e kësaj dite ishte, trajtimi i kryengritjeve shqiptare të viteve 1908 – 1912. Studiuesit e historisë sollën të dhëna me interes rreth këtyre kryengritjeve shqiptare, si dhe për rrethanat shoqërore e politike të asaj kohe. Hapjen e seancës së parë e bëri prof. dr. Lush Culaj, i cili tha se kryengritjet shqiptare të periudhës 1908 – 1912, i kanë paraprirë pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë sesion u trajtuan tema të shumta të asaj periudhe të cilat theks të veçantë iu dhanë patriotëve shqiptarë, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Dervish Hima e të tjerë. Profesor Xheladin Shala, në kumtesën e tij, dha pikëpamjet e tij rreth kryengritjes së vitit 1910 dhe rolin e patriotit Hasan Prishtina. Kurse, Muhamet Pirraku, trajtoi krizën institucionale në historiografinë shqiptare. Drejtori i Institutit të Historisë prof. dr. Jusuf Bajraktari, lexoi kumtesën rreth kryengritjes antiosmane të vitit 1919 në Kosovë. Qëndrimi i Isa Boletinit ndaj programit të Lëvizjes Kombëtare në vitin 1912, e lexoi Fatmira Musaj,e cila solli argumente rreth kësaj çështjeje. U diskutua edhe për rolin e Klerit katolik, që kishte në organizimin e kryengritjeve në Veri të Shqipërisë gjatë viteve 1908 – 1912. Gjithashtu në ditën e tretë të “Javës së Albanologjisë”, pjesëmarrësit folën edhe për zgjedhjet parlamentare dhe fillimin e kryengritjeve të përgjithshme kundërosmane të vitit 1912, Vilajeti i Manastirit në atë kryengritje. Studiuesi dr. Lulzim Lajçi, lexoi kumtesën me titull, “Karakteri pushtues i Luftërave Ballkanike”, ndërsa Nebih Dervishi, lexoi kumtesën rreth kontributit që kishte dhënë Dervish Hima në vitet 1908 – 1912, në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Krijoni Kontakt