Amerikania që e “ringjalli” Tonin Harapin

Qamil Gjyrezi 21/10/2010 09:28:00

Kirsten Jonson me lojën e saj të shkëlqyer dhe plot dritë e ringjalli Tonin Harapin, duke e rinovuar shpirtërisht, artistikisht dhe gjuhësisht me lojën e saj pianistike!

Është diçka shumë interesante dhe e veçantë të dëgjosh muzikën e kombit tënd të interpretuar nga të huajt. Arti ka vlera universale dhe në planin teknik nuk ka ndonjë vështirësi të madhe për interpretimin nga një kulture tjetër. I gjithë “sekreti” qëndron në planin emocional atë mendor dhe shpirtëror. Natyrisht për një të huaj nuk është e lehtë të zbulojë shpirtin e një kulture të tjetër, por si fenomen psikologjik gjithashtu nuk ka ndonjë pengesë të madhe pasi “shpirti human” është pothuajse i njëjtë dhe muzika është gjuhë universale.

Para viteve ‘90 kemi dëgjuar p.sh. këngëtarin grek Janos Parios duke luajtur dhe kënduar shkëlqyer me një frymë të re një kengë të njohur “Ti më je si një gonxhe”. Kuarteti francez që shoqëroi Inva Mulën i solli muzikës sonë një shije të re, shijen franceze. Në këtë kontekst shija e një kulture tjetër krijon një shije dhe mënyrë të luajturi të re tek arti dhe muzika.

Edhe shembulli i Kirsten Jonsonit ishte tipik dhe shumë i rëndësishëm për promovimin e artit dhe kulturës sonë duke i dhënë asaj edhe shijen anglosaksone. Ky eveniment, pavarësisht se kanë kaluar kohë ka edhe vlera aktuale. Jonson me lojën e saj të shkëlqyer dhe plot dritë e ringjalli Tonin Harapin. Tonin Harapi u rinovua shpirtërisht, artistikisht dhe gjuhësisht nga Kirsten Jonson me lojën e saj pianistike!

Duke studiuar veprën e shkruar dhe të incizuar të kompozitorit të madh shqiptar Tonin Harapi, gjeta albumin me “Pjesë pianistike shqiptare” të incizuar nga Kirsten Jonson në vitin 1993, që më la një përshtypje shumë të këndshme. Loja brilante e Jonsonit të krijon një gjendje emocionale të një natyre të veçantë. Pavarësisht se ajo vjen nga një formim dhe edukim anglosakson, ajo kupton shumë mirë gjuhën e muzikës së Tonin Harapit, duke u bërë një me gjuhën e tij muzikore, me mendjen e tij.

Shumë muzikantë, instrumentistë dhe kompozitorë, studiues të huaj, veçanërisht mbas viteve ‘90 kanë luajtur dhe studiuar muzikën shqiptare. Tek muzika shqiptare në veçanti dhe ajo ballkanike në përgjithësi këta muzikantë dhe studiues të huaj kanë gjetur ata elementë të cilët kanë lënë gjurmë në mendjen dhe shpirtin e tyre. Nëpërmjet muzikës, ata arrijnë në konkluzione antropologjike, shoqërore, etnografike dhe kulturore. Një rast i veçantë ka qenë edhe albumi i pianistes amerikane Kirsten Jonson i titulluar “Albanian Piano Music” i publikuar në 1993. Kjo muzikante e shkëlqyer u frymëzua, u dashurua me muzikën e kompozitorëve shqiptarë të pianos, si Zadeja, Ibrahimi, Vorpsi, Lara dhe veçanërisht Harapi. Jonson i loz pjesët e kompozitorëve shqiptarë me një frymëzim të madh dhe me një teknikë të përsosur si në planin teknik ashtu edhe muzikor. E edukuar në shkollat amerikane dhe angleze të artit të muzikës, ajo përpiqet që me talentin e saj të madh të realizojë një album i cili përfaqëson vlerat e muzikës pianistike shqiptare me gishtërinjtë e saj që përfaqësojnë shpirtin dhe mendjen e saj. Nëpërmjet shpirtit dhe formit të saj, pianistja dhe muzikantja e shquar ka luajtur një rol shumë të madh në promovimin e artit muzikor shqiptar. Gjatë procesit të saj krijues, krahas studimit dhe promovimit të muzikës sonë ajo ka futur në këtë album edhe artin anglosakson, arketipin e saj. Në planin politik, albumi ka pasur rëndësi të veçantë në promovimin e një arti të panjohur nga auditorët dhe publiku perëndimor dhe më gjerë, të ndaluar për më shumë se 50 vite censurë dhe diktaturë totale.

Veprat pianistike të Harapit luhen nga gishtërinjtë dhe mendja e Jonsonit me një teknikë të shkëlqyer pianistike, muzikalitet të lartë, ndjeshmëri të veçantë. Jonson ka realizuar pjesët e albumit dhe pjesët e Harapit me një stil shumë elegant dhe qëllimi i saj ishte që vepra e Harapit të tingëllojë shqiptare, pse jo universale. Natyrisht në lojën e këtyre pjesëve ajo fut edhe formimin dhe edukimin e saj artistik dhe shijet e saj personale për artin muzikor.

Në albumin e saj “Albanian Piano Music”, Jonson ka luajtur nga Harapi “Romance në Lab major”, “Valle: andante con moto”, “Nji dhimb je e vogël (A Little Pain)”, “Valle: allegro vivo”, “Romance në La minor”, “Moll ‘e kuqe top sheqere (A Candied Apple)”, “Valz mbi tema popullore”

Tonin Harapi (1928-1992) është një prej kompozitorëve më të adhuruar shqiptarë. Ai ishte kompozitor tipik lirik-epik. Harapi ka shkruar pjesë me shumë vlera artistike për instrumentin e Pianos. Harapi e dashuronte këtë instrument të cilin kompozitori lirik e ka bërë të flasë me forcën e talentit të tij.

Romanca në Lab major (1987) e luajtur nga Jonson, krijon një gjendje qetësie në perëndimin e diellit, bëhet më pasionante ndërsa melodia zhvillohet dhe lëviz në pjesën e gjallë Allegro para se të kthehet përsëri në fillim. Jonson i ka dhënë “qetësisë muzikore të Harapit” kuptim, duke e gjuhësuar dhe bërë më të prekshme.

“Valle: andante con moto” (1966) bazohet në ritmet folk, duke evokuar të dyja valsin dhe mazurkën në plane të ndryshme. Harapi në këtë valle ka gërshetuar mjaft mirë formën me përmbajtjen. Forma klasike me muzikën shqiptare qëndrojnë shkëlqyer. Jonson bashkon folkun me stilin e valsit dhe mazurkës me teknikën e saj.

“Nji dhimbje e vogël” (1966) brengosje pas një humbjeje, por bëhet harmonike me dhimbjen ndërsa pjesa lëviz drejt harmonisë lëvizëse. Jonson e lëviz dhimbjen, e artikulon i jep kuptim. “Valle: allegro vivo” (1966) harlisje dëfryese, në stilin folk. Në këtë pjesë, Jonson pikturon dëfrimin e shqiptarit. “Romanze në la minor” (1966) vjen shumë qetë prej paqartësisë së trajtimit të e një melodie jo të komplikuar e cila zhvillohet shpejt. “Moll’ e kuqe top sheqere” (A Candied Apple, 1966) një pjesë me sharm në ritmin 7/8, që reflekton thjeshtësinë e fëmijërisë trajton në konstruktin e saj një melodi të patheksuar në kundërshtim me ritmin hipnotik të shoqërimit të dorës së majtë. Pjesa është një komunikim muzikor ndërmjet dorës së majtë dhe asaj të djathtë. Kjo natyrë komunikuese, është edhe komunikimi i autorit dhe interpretuesit me veten.

Dy këngë folklorike të veriut, janë bazat e Harapit tek “Valzi mbi tema popullore” (1987) një pjesë e preferuar nga pianistët.

Muzika pianistike shqiptare është pasuruar me melodi të pasura folklorike, ritëm dhe harmoni. Tradita e pianos vetë është një fenomen i kohëve të fundit, ndërsa para shekullit të 20-të mbizotëronte tek ne tradita folk shqiptare, më pas me lindjen e prezencës të muzikës klasike që vjen prej shekullit të 19-të të repertorit të ansambleve korale dhe instrumentale.

Nën regjimin komunist (1944-1985), tradita e muzikës klasike është rritur dhe avancuar, në një kuptim, pavarësisht censurës dhe diktaturës së lirisë së shprehjes. Studentët më të talentuar janë dërguar për studime në Moskë (gjer në prishjen me Rusinë në vitin 1961), instrumentistët e tjerë kanë studiuar në Çekosllovaki, Poloni, Hungari, Itali dhe Francë, gjithnjë nën kontrollin e rreptë nga shteti. Në këtë periudhë janë hapur shumë shkollat e artit dhe muzikës dhe Akademia e Muzikës.

Rrëgjimi i kohës ndaloi studimin e të gjithë muzikës së shkruar mbas 5 mars 1953 (dita kur vdiq Stalini dhe Prokofiev), të gjitha punët e Shestakovic dhe Stravinskij dhe të gjitha pjesët dodekafonike dhe impresioniste.

Çdo kompozim aprovohej nga lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve para se të luhej në publik. Çdo pjesë duhej të ishte për popullin dhe e kuptueshme. Megjithatë kompozitorët u mbështetën në pasurinë e muzikës folklorike shqiptare, duke përdorur meloditë, vallet dhe ritmin dhe imitimin e instrumenteve folklorike në pjesët e tyre. Muzika pianistike shqiptare është influencuar shumë prej traditës folklorike dhe duhet të dëgjohet dhe vlerësohet në kontekstin e një ambienti të ndaluar mbi të cilin është kompozuar.

Incizimet dhe loja e Kirsten Jonsonit ka kënaqur dëgjuesit përreth botës. Ajo ka luajtur në Austri, Republikën Çeke, Itali, Japoni dhe nëpër SHBA dhe Britaninë e madhe. CD-të e saj janë transmetuar në radio BBC 3, në radiot publike në SHBA në stacionet e radios në shumë vende të Evropës. Në Britani ajo ka luajtur në Wigmore Hall, Purcell Room, në Akademinë Mbretërore të Muzikës në Holywell Music Room, Oxford dhe në Institutin Austriak, Londër.

Duke korrur suksesin me këngën: Muzikë pianistike shqiptare, Jonson ka përpiluar albumin e dytë me pjesë të titulluara “Rapsodi: Muzikë piansitike shqiptare”, volumi 2. Në realizimin kritikët u mahnitën me bukurinë e këtij repertori të panjohur. “Jonson luan me nuance dhe ngjyra, incizimi është i pasur dhe resonant’ (American Record Guide, 1 mars 2004) Kirsten Jonsone luan të gjithë këtë repertor me një dhe aftësi dhe simpati të dukshme. Një kënaqësi e papërshkruar’( BBC Music Magazine, 1 Korrik 2003). Interesi i Jonsonit për muzikën pianistike shqiptare rrjedh prej një vizite në Shqipëri në korrik 1993, pak kohë pasi ishte rrëzuar komunizmi.

Një përmbledhje e literaturës pianistike shqiptare është botuar edhe nga Ann Arbour, Michigan. Në studimet e saj për muzikën pianistike shqiptare Jonson ka intervistuar Kozma Larën, Ramadan Sokolin, Çesk Zadenë, Feim Ibrahimin dhe Alberto Papariston.

Jonson lindi në Virginia, SHBA, por jeton në Oxford, Angli. Si koncertiste ajo ka një interes të nivelit botëror dhe një repertor të madh pjesësh prej para-barokut deri tek bashkëkohorët, prej qyteteve në të gjithë botën. Ajo është diplomuar me Summa cum laude, prej Universitetit të Missourit, SHBA. Në moshën 19 vjeçe mori Bachelor në lojën në piano, ka marrë Masterin prej Universitetit të Teksasit të Veriut. Ajo ka studiuar në Vjenë në Hochschule für Musikë. Kirsten Johnson është anëtare e Seksionit të Instrumentistëve dhe Kompozitorëve e Shoqërisë së Muzikantëve të Londrës.

standard