SI TË DILET NGA KJO KRIZË POLITIKE
DHE INSTITUCIONALE ?
„Se ku do të jemi nesër, do të varet shumë nga veprimet që do t’i bëjmë sot“. Akademik Esat Stavileci
Këto ditë, kur pas shumë përpjekjeve për tu afirmuar dhe njohur pavarësia e Kosovës, shkrepi rrufeja për së kthjellti, dorëheqja e Fatmir Sejdiut nga posti i Kryetarit të Republikës së Kosovës, me arsyetimin se ai na e paska shkelur Kushtetutën me të mbajturit e dy posteve, atë të kryetarit të republikës dhe atë të kryetarit të Partisë LDK. Pa hyrë në detale se nga erdhi ky detyrim, pasojat skandaloze që po manifestohen tani pas asaj dorëheqjeje, më detyruan që të reagoj edhe unë nga kurbeti. Dhe këtë reagim nuk po e bëj për ta përkrahur as për ta gjykuar kryetarin e Republikës së Kosovës, por për ta shprehur shqetësimin tim. E besoj se nuk është vetëm shqetësim i imi, sepse jo pak herë, mu në çastet, kur lypset unitet e pjekuri sjelljesh e veprimesh, janë krijuar difekte në proceset e konsolidimit të shtetit tonë. Dhe ne kurrsesi të mësojmë prej pasojave!!!
Unë që nuk kam se me kë të bisedoj në kurbet dhe nuk i përkas asnjë subjekti politik, të vetmën mundësi që e kam, është që shqetësimet dhe pyetjet e mia që më imponohen lidhur me krizën politike dhe institucionale që e ka kapluar tani Kosovën, t’ia afroj internetit. Dhe, do t'isha i kënaqur, sikur ky trajtim t'u shkonte në vesh autorëve të këtij skandali.
Ndër pyetjet e shumta që më imponohen është: Kush insistoi, apo si i erdhi në kokë Gjykatës Kushtetuese, që pas katër vjetësh, prej kur është zgjedhur kryetar Fatmir Sejdiu, sot t'i kërkohet dorëheqja në momentin kur Kosova pret përkrahje ekzistenciale lidhur me afirmimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran? Një insistim i tillë pas katër vjetësh prej kujtdo qoftë, e bën edhe insistuesin hisetar, gjegjësisht bashkëfajtor me Fatmir Sejdiun. Një insistim i tillë ngatrrestar e bën insistuesin bashkëfajtor me Fatmir Sejdiun edhe për faktin se pas gjashtë-shtatë muajve do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e rregullta. Tani, apsurdi bëhet edhe më i rëndë, kur, në vend që Fatmiri të përpiqet bashkë me stafin e tij politik ta normalizojë gjendjen e krijuar skandaloze, ai në shenjë hakmarrjeje bën skandalin tjetër, prishë aleancën qeveritare e parlamentare me të tërhequrit e qeveritarëve dhe të parlamentarëve të LDK-së nga qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, duke e trashur krizën edhe ashtu të rëndë politike dhe institucionale.
Kriza këto autoktone dhe të importuara, të cilat dikush memzi i ka pritur.
Ç’është e vërteta, bazuar në rezultatet dhe kualitetin e derisotëm të raporteve në mes subjekteve politike e institucionale, mund të konkludohet se asnjëri prej këtyre subjekteve nuk është pa mëkate. Secili prej tyre, duke luajtur me interesin e popullit, ka ngjy në piatën e lakmisë, qoftë për pushtet, për pasuri personale, qoftë për hulumtim të gabimit të tjetrit, të cilin e përjetojnë me kënaqësi. Nuk thuhet më kot: „Është mençuri të parashikohen dhe të parandalohen pasojat. Gjysëm mençuri është kur mësojmë prej pasojave. Ndërsa idiotizëm është kur nuk mësojmë as prej pasojave“. H.G.
Vargu i këtyre dobësive të klasës politike të Kosovës është “rezultat” i keqshfrytëzimit të demokracisë dhe derivatit të saj pluralizmit.
Tani, në pamundësi për ta zhbërë atë që është bërë, duhet bërë atë që mund të bëhet. E ajo që mund të bëhet tani është të shkundurit e përfaqësuesve të popullit nga intereset e njëanshme: personale, grupore, klanore e partiake në njërën anë dhe të përfillurit e interesave të popullit, gjegjësisht të kombit në anën tjetër. Vetëm në këtë mënyrë do t'i kontribohet masovizimit të popullit për të dalë në votime çfarëdo qofshin ato, të jashtzakonshme apo të parakohshme.Në të kundërtën, skandalet vetëm sa do të shtohen e me to edhe zhgënjimet dhe dështimet.
Pra, edhe pse situata skandaloze sugjeron përshpejtim të zgjidhjes së kësaj krize dhe përafrim të qendrimeve lidhur me afatin e zgjedhjeve, gjykuar sipas vlerësimeve të analistëve dhe debateve që po zhvillohen këto ditë në Kosovë, fitohet përshtypja, se disa individë përgjegjës kanë tendenca t’i fshehin interesat e veta djallëzore të cilat, duke i mbajtur zgjedhjet e jashtzakonshme përngut, vetëm sa do ti acaronin edhe më tepër raportet në mes subjekteve dhe do t’ia zgjatnin jetën krizës politike dhe institucionale, duke krijuar pasoja edhe më të rënda.
Prandaj, edhe unë, si shumica e subjekteve politike, përkrahi opcionin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sepse, sipas meje nuk ka rëndësi se si do të quhen ato zgjedhje, të jashtzakonshme apo të parakohshme, sepse n’e lypshim hollë e hollë, edhe këto të parakohshmet, në esencë janë të jashtzakonshme. Qëllimi është që raportet në mes subjekteve dhe individëve të jenë sa më të shëndosha dhe zgjidhja e problemeve të jetë sa më e qendrueshme dhe stabile, në favor të interesit të popullit.
Më 22 tetor 2010 Francë
Hamzë Gashi
Krijoni Kontakt