Filmi: "Shelgu dhe Kungulli" – Një realizim i arritur në gjininë e animacionit


Në një nga ambientet e shtëpisë së filmit dhe të librit “Bota Shqiptare” u shfaq premiera e filmit më të ri të animuar “Shelgu dhe Kungulli” me regji të piktor-regjisorit Bertrand Shijaku dhe producent Genti Gjonaj, një bashkëpunim i suksesshëm i Botës Shqiptare me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë.
Në këtë premierë në një atmosferë tejet festive ku merrnin pjesë emra të njohur të filmit, shkrimtarë e gazetarë si Kristaq Dhamo, Petrit Ruka, Stefan Taçi, Abaz Hoxha, Skënder Jaçe, Valter File, Rikarda Nova, Enver Kushi, Niko Treni, Leonard Veizi etj. Fjalën e rastit e mbajti regjisori i njohur Kujtim Gjonaj ku ndër të tjera vuri në dukje se krijimtaria e piktor- regjisorit Bertrand Shijaku ka ardhur gjithmonë në rritje dhe se me këtë film jo vetëm krijimtaria e tij por edhe animacioni shqiptar shënon një arritje të re. Filmi me kohëzgjatje prej 12 minutash u ndoq me mjaft interes nga të pranishmit të cilit vlerësuan këtë krijim të ri për arritjen artistike dhe edukative që përcjell tek shikuesit e vegjël, që nuk munguan edhe në këtë premierë mbresëlënëse.
''SHELGU DHE KUNGULLI'' është një fabul e thjeshtë por që ngërthen brenda saj mesazhe me interes edukativ për fëmijët e moshës se vogël. Duke mos dalë nga suaza e gjinisë së fabulës, filmi i animuar i mbështetur mbi ketë fabul ruan nuancat e një tregimi sa racional aq edhe të thjeshtë ku imagjinata të krijon hapësira të shprehesh e shpalosësh mesazhe sa interesante aq dhe intriguese për moshën e vogël.
Duke shpirtëzuar shelgun, pemët dhe natyrën rreth tij, duke vënë në gojën e personazhit shelg, laraskën apo kungullin, fjalë dhe dialogë që i përshtaten moshës fëminore , filmi synon që nëpërmjet mjeteve shprehëse dhe metaforave artistike të na përcjellë mesazhe dhe ide që përkojnë me mënyrën e të menduarit të moshave të vogla. Ideja se askush nuk duhet të kërkojë e të mbajë mbi shpatulla atë që nuk mund ta mbajë, është sa e drejtë dhe racionale. Kjo fabul e shelgut që dëshironte të pushtonte hapësirën e madhe, na kujton fabulën me breshkën që dëshironte të fluturonte duke parë me zili shqiponjën e shumë fabula të tjera që tregojnë idenë se askush nuk duhet të kërkojë atë që s'mund ta ketë, të jetë ai që s'mund të jetë. Pra shelgu është shelg, ashtu si plepi është plep, lisi është lis apo luani është luan etj. Pra kjo është një ide që transmetohet tek të vegjlit me metafora të forta dhe mjete shprehëse sinjifikative. Këto dhe ide të tjera që mbart fabula në vetvete përcillen në imazhin filmik nëpërmjet personazheve të goditur (shelgu mjeran por mendjemadh, laraska tinëzare, apo kungulli që nuk është gjë tjetër veçse një kungull). Mbi marrëdhënien që ndërtohen midis këtyre tre personazheve, ku padyshim humori dhe e qeshura në marrëdhëniet në mes tyre vjen natyrshëm dhe plot vërtetësi.
Figura e erës simbolizon fatin i cili hera- herës, bëhet deçiziv në fabul. Por ideja për të qenë në qendër të vëmendjes, fudullëku, mendjemadhësia e shelgut zbërthejnë mesazhin e veprës, që në jetë duhet te jemi realistë.
Në tërësinë e vet, është një arritje në krijimtarinë e regjisorit Bertrand Shijaku, jo vetëm në fabulën interesante që trajton por dhe konvertimin e kësaj fabule në gjuhë filmime, por do të vija në dukje pa hezitime është një nga filmat më të realizuar vizatimorë të këtyre dy-tre viteve të fundit. Sidomos vlen të përmendet si arritje detajet filmike, metaforat artistike, interpretimi i aktorëve, montazhi dinamik, kolona zanore me efekte speciale, muzika impresionuese dhe pa asnjë mëdyshje xhirimet mbresëlënëse të drejtorit të fotografisë Niko Treni. Filmi është xhiruar dhe prodhuar me parametra të lartë high definition (HD) dhe është i pari realizim i këtij lloji me të cilin nis rruga e kësaj gjinie me teknologji supermoderne.