Rusët s'pranojnë të luajnë në Kosovë
Gazeta Sot
E Shtune, 09 Tetor 2010 17:10
Skuadra ruse e hendbollit të femrave “Kuban Krasnodar” refuzon të luajë me ekipin “Prishtina”, në kuadër të Kupave Evropiane të Hendbollit. Nebih Zariqi, kryetar i klubit “Prishtina”, thotë se është përzier politika. Izet Gjinovci, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, thotë se Federata Ruse e Hendbollit ka kërkuar që kjo ndeshje të mos
zhvillohet në Kosovë, por në terren neutral. Por, me kërkesën e Klubit hendbollistik “Prishtina” dhe Federatës Kosovare të Hendbollit, në kalendarin e Federatës Evropiane të Hendbollit figuron se vendtakimi do të jetë në Prishtinë. “Kërkesën për zhvillim të takimit në terren neutral e ka bërë skuadra ruse dhe kryekëput për shkaqe politike. Kanë bërë kërkesë në Federatën Evropiane, ku rusët propozuan Zagrebin, si solucion që për këto dy skuadra të jetë më neutral. Ne nuk lëshuam pe, as klubi, e as federata. Besoj që kjo ndeshje, sipas programit, i cili është edhe në faqen zyrtare të Federatës Evropiane, duhet të zhvillohet më 16 tetor, në Prishtinë, me fillim në orën 17:00”, thotë Gjinovci.
-
Krijoni Kontakt