Letërsia “skandaloze” myslimane

Alba Kepi 16/10/2010 10:29:00


“Tri gjëra kam dashuruar në botën tuaj: parfumet, gratë e lutjet”



Sa herë që flasim për kulturën seksuale, zakonet e veset erotike të shoqërisë moderne, ekskluzivisht mënjanohemi në një drejtim: Perëndimi. Trajtojmë teorikisht fenomene, teorizojmë filozofë e psikologë të famshëm, krahasojmë epoka e shtresa sociale, evokojmë një traditë kulturore të bindur se po kontribuojmë drejtësisht e përgjithësisht për shoqërinë. Por e gjitha kjo është e pjesshme. Lëmë në harresë qëllimisht o me pavetëdije kulturën myslimane, një përqindje të rëndësishme të popullsisë botërore, një eksperiencë, shoqërore e sociale, që e kushtëzojmë në dukjen e ligjeve fetare. Himnizojmë revolucionin seksual, studiojmë e dënojmë dukuritë e derivuara nga ai nën ekskluzivitetin e shoqërisë moderne perëndimore e të besimit të saj kristian. Mos vallë “kultura e krevatit” nuk ka kapërcyer vellon e një koke të mbuluar apo përkuljen e një trupi që lutet nën këngët e Kuranit?

“Prej 14 shekujsh ekziston në Islam kultura e krevatit”, - përgjigjet psikoanalisti algjerian Malek Chebel, me veprën e tij “Revolucioni seksual sipas Profetit”. Profeti a.s thotë: “Tri gjëra kam dashuruar në botën tuaj: parfumet, gratë e lutjet”. Por dhe Ghazal, teologu mysliman i shekullit XII, me librin e tij për një përdorim të mirë të martesës, kujton rekomandimin e profetit Muhamed a.s: “Mos u kënaq, pa kënaqur më parë gruan tënde. Një grua duhet ta përgatisësh para se t’i afrohesh, ta përkëdhelësh, ta puthësh”.

Kultura seksuale me shijet e saj bashkëjeton natyrshëm në çdo individ edhe kur për respekt të besimit të tij fetar nuk trumbetohet si një shenjë modernizmi. Problematika sociale e lidhur sot me zakonet e veset seksuale të shoqërisë moderne nuk ka asnjë arsye të dallohet nga përkatësia fetare. Kultura seksuale në përgjithësi e homoseksualizmi në veçanti, në shoqërinë e besimit mysliman janë e kanë qenë përherë të pranishme, në ndihmë të tyre vijnë tekstet antike të një letërsie të frymëzuar nga emocionet, ndjenjat, nevojat psikologjike të një epoke të ndryshme nga e sotmja, larg skemave fetare e politike.

Ndërsa bota islamike moderne konsideron homoseksualizmin si një “patologji” të Perëndimit e personat LGBT si “tradhtarë” të traditës, kulturës e besimit mysliman, letërsia antike e kësaj shoqërie vërteton të kundërtën. Trashëgimia letrare e shkruar dhe e folur ka lënë gjurmë të një sjelljeje tolerante që ky komunitet kishte dikur ndaj kulturës seksuale dhe orientimit të saj homoseksual. Vala homofobike e ushtruar sot është veçse një derivat i fanatizmit islamik të epokës moderne e aspak në linjë me arkivin e letërsisë myslimane. Aktualisht, fondamentalistët i konsiderojnë homoseksualët si një pjellë e shoqërisë perëndimore materialiste, të orientuar veçse ndaj kënaqësisë së instinkteve e dëshirave ose më keq akoma, si një armë në duart e armiqve të Islamit e të myslimanëve dhe harrojnë vështrimin e hershëm mjaft pozitiv të këtij besimi ndaj kënaqësive të mishit dhe konsiderimin e tij se seksualizmi nuk është vetëm aftësia për të krijuar, por dhe një shprehje e harmonisë së dëshirës hyjnore. Krijohen masa ndaluese e mohuese si ndaj një defekti social që tenton të përhapet në mënyrë masive dhe mohohet një fenomen që kapërcen kufijtë kohorë, fetarë e hapësinorë.

Shumë shekuj më parë letërsia klasike myslimane thurte vargje erotike, shkruante natyrshëm rreshta pasioni e krijonte përralla “skandaloze” me një vështrim mjaft pozitiv ndaj kënaqësisë seksuale, pa preokupimin e një lufte ideologjike e sociale mes individëve të saj. Të tilla janë vargjet e Abu Nuwas, poetit më të madh arab, poetit të parë e më të rëndësishëm homoseksual mysliman, poezitë e të cilit deri pak kohë më parë studioheshin në tekstet shkollore pa qenë objekt persekutimi.



“Kaçurrelsi” - Abu Nuwas

Abu Nuwas me emrin e vërtetë Al-Hasan ibn Hani, lindi rreth viteve 760-815 p.e.s në Al-Ahwàz të Persisë, me nënë persiane e baba arab. Jetoi midis Basrës e Bagdadit në oborrin mbretëror të kalifit Harùn ar-Rashìd (Kalifi i përrallave “Një mijë e një net”) e më pas të djalit të tij Al-Amìn. Ishin vite të dominimit të Dinastisë Abaside, e nisur në vitin 750 e deri më 1258, kultura e jashtëzakonshme e të cilës kontribuoi në zhvillimin dhe përhapjen e influencës së saj në Perëndim. Abu Nuwas, emër që do të thotë “babai i kaçurrelave” për shkak të flokëve të tij të gjatë, të dredhur e që i mbulonin kurrizin, gëzonte një aspekt fizik të jashtëzakonshëm, një perfeksion formash që i kënaqnin syrin çdokujt që e shikonte. Kjo gjë tërhoqi vëmendjen e kushëririt të tij më të madh, poetit biond Waliba ibn al-Hubab, i cili u bë i dashuri e mësuesi i tij, duke i dhuruar mbi të gjitha lirinë fizike e shpirtërore. Abu Nuwas hershëm në moshë kishte njohur Kuranin e kishte mësuar gramatikën në xhami, si nxënës i Waliba ibn al-Hubab u transferua në Kufa ku i thelloi më tej njohuritë e pak vite më vonë rikthehet në Basra për të studiuar me Khalaf al-Ahmar, mjeshtrin e poezisë. Midis letrarëve, aftësia e Abu Nuwas ra shpejt në sy, krijoi një formë shkrimi për tekste vargjesh dashurie erotike mashkullore (e mudhakkarat mujuniyyat), tingëlluar si një autenticitet i lindur nga eksperienca. Qe mjaft i aftë në krijimin e fjalëve të reja, në përdorimin e shprehjeve të veçanta e të panjohura më parë. Poezitë e tij triumfonin dashurinë për një djalë të bukur e shpesh të mishëruar në figurën e djaloshit të krishterë që shërbente verë në tavolinat e tavernave, temë kjo e huazuar në shekujt e mëparshëm nga poetët më të mirë të Iranit e Arabisë si Omar al-Khayyam, Hafiz e të tjerë.

Çdokush thotë se e njeh tekstin e librit “Një mijë e një net” e po t’i pyesësh, kujtojnë pothuajse përherë vetëm llambën e Aladinit e Ali Babën, por pikërisht në këtë libër ka shumë pjesë e histori që kujtojnë Abu Nuwas, poetin e lirë, sodomit e pijanec të oborrit mbretëror. Kontesti historik e kulturor kur jetoi Abu Nuwas, civilizimi i Bagdadit e Basrës, që në atë kohë më i zhvilluari, më toleruesi, mjaft multietnik e shumëgjuhësor: hebrenj, të krishterë, myslimanë bashkëjetonin me një tolerancë të hapur e të jashtëzakonshme sociale. Vargjet e “kaçurrelsit” flasin për net e ditë të konsumuara nën gjurmët e kënaqësisë erotike, estetikisht elegante përshkruajnë momentet mikpritëse të kaluara në seminaret kristiane, në depozitat e verës, pas banakëve të tavernave, brenda shtëpive ku vasha e djelmosha mund të bliheshin absolutisht pa kënaqësinë e tyre. Janë skena të një bukurie të veçantë me kënaqësinë e një shoqërie të gëzueshme, pa asnjë vulgaritet, dhunë, fyerje, janë pothuajse gjithmonë të pranishëm djelmoshat e vera si instrument të një kënaqësie reciproke e asnjëherë në kontradiktë sociale, të paarritshme o të persekutuara. Janë vargje poetike, estetike që rinovojnë poezinë dashurore arabe, krijojnë perspektivat e një poezie të veçantë erotike që zëvendëson “dashnorin e dëshpëruar”, “skllavin e dashurisë”, me “dashurinë e çmendur” dhe paraprin martirizimin e kësaj ndjenje.

“Po të përzihej drita, ajo do të përzihej tek Ai e do të lindnin drita të tjera, vetëtima, shpërndan këtë verë mes të rinjve, ku është përkulur fati i ëmbël, duke i dhuruar vetëm atë çka ata kaq shumë dëshironin…”



E gjithë rinia e Basrës dëshironte të ishte mike e Abu Nuwas si për kënaqësinë e shoqërisë së tij, ashtu dhe për tërheqjen erotike që provokonte pamja e tij fizike. Dhe e gjitha kjo në të njëjtën madhësi që ofronte gjenialiteti i tij si poet. Studiuesi tunizian Ahmad al-Tifachi, që ka jetuar midis viteve 1184 e 1253, pati si detyrë krijimin e një teksti për zakonet seksuale të epokës së tij, që është një thesar freskie, qartësie, me një sy pothuajse shkencor të temave që trajton e ndaj të cilave shoqëria e sotme do të ndihej lehtësisht në vështirësi. Flitet natyrisht e pa paragjykim për zakone të ndryshme e vese seksuale, trajtohet prostitucioni e homoseksualizmi dhe mjaft dëshmi flasin për poetin Abu Nuwas, si eksponenti më i famshëm.



Traktati arabo-mysliman i dashurisë fizike: “Kopshti i parfumuar”

“Lavdëruar qoftë Zoti që vuri kënaqësinë e burrit në pjesët natyrore të gruas e u dhuroi pjesëve natyrore të burrit detyrën për ta kënaqur gruan maksimalisht”. Me këto fjalë nis libri “Kopshti i parfumuar” i sheikut Nefzaui, për të cilin nuk dihet shumë, veç faktit që ka jetuar në Tunizi në shekullin XVI. Qe shkrimtari Guy de Maupassant, i cili me një letër nga Algjeria drejtuar botuesit të tij Liseux flet për ekzistencën e këtij libri. Në vitin 1884, Perëndimi njihet me këtë libër të mrekullueshëm arab. I pari që e zbuloi dhe u dashurua me fjalët e këtij teksti, qe një ushtarak francez më 1850, që pasi e përktheu në frëngjisht, nuk gjeti një tipografi të përshtatshme për ta botuar (nuk duhet të harrojmë se nuk ishte Evropa puritane e shekullit XIX, kur faktikisht ky libër njohu botim). Por mungesën e tipografisë e kapërceu me ndihmën e katër ushtarakëve francezë të pasionuar pas kulturës arabe që fshehurazi nisën ta shtypnin me makinat daktilografuese të administratës franceze. Arritën të stamponin vetëm 35 kopje pasi shumë shpejt u zbuluan. Një kopje e tillë ra në duart e Guy de Maupassant, bashkë me 56 ilustrimet erotike dhe 13 të tilla jashtë tekstit. Shtëpia botuese Liseux i publikon rreth 220 kopje e qe studiuesi dhe eksploruesi i kulturës orientale, Richard Burton, që e përkthen në anglisht e ia bën të njohur botës anglosaksone. “Kopshti i parfumuar” është i ndërtuar në 21 kapituj në mënyrë të qëllimshme nga autori, për të qenë më i lehtë në lexim e mësim dhe çdo kapitull trajton një argument që mund të jetë anatomik e anekdodik me të gjitha të fshehtat e erotizmit femëror e mashkullor.

“Kopshti i parfumuar” u përhap në ato vite me shumë respekt në Evropë, por vetëm pak kohë më parë është hequr nga lista e librave të ndaluar e përherë me një numër të limituar kopjesh. Mbi autorin e këtij libri, sheikun Nefzaui, ekziston legjenda se duke qenë një jurist, shkrimtar e doktor i njohur, beu i Tunizit dëshironte ta bënte kadi. Nefzaui qe një njeri i thjeshtë, që donte të rrinte larg politikës e i lutet sovranit të tij ta shtynte emërimin e tij për më vonë, pasi duhej të përfundonte librin që po shkruante. Beu i Tunizit i kuriozuar kërkon të njihet me përmbajtjen dhe sapo e merr vesh, heq dorë nga emërimi i tij si kadi.

“Shkrova këtë libër, - thotë autori në hyrje, - pasi një libër i vogël i shkruar më parë nga unë “Drita e botës”, për misteret e krijimit të embrionit të njeriut, ra në duart e Vezirit Abd-el-Aziz, të Tunizisë. “Kjo është vepra e jote, - më thotë. Unë skuqem e ai shton: “Nuk duhet të preokupohesh, gjithçka që thua, është e vërtetë, askush nuk duhet të skandalizohet nga fjalët e tua. Nuk je i pari që e trajton këtë temë e unë betohem në Zot se është e nevojshme të njihet ky libër. Vetëm i paturpshmi e armiku i shkencës nuk do ta lexojë e do ta evitojë. Por dua t’i shtosh veprës një suplement ku të flasësh dhe për argumentet e patrajtuara e për të gjitha faktet pa fshehur asgjë… të citosh mjetet për të eliminuar erërat e papëlqyeshme të sqetullave e të pjesëve natyrore të grave… të flasësh për shtatzëninë… të tregosh mënyrat e aktit të përkrijimit e atë çka e frenon atë… për mënyrat e mënjanimit të pengesave dhe shtimin e madhësisë së organit viril kur është shumë i vogël e për ta bërë të mrekullueshëm”.

“Oh zotëri, - përgjigjet sheiku Nefzaui, - e gjitha kjo që the, nuk është e vështirë për t’u shkruar, mjaft që t’i pëlqejë Zotit lart në Qiell”.

standard