Komisioni për hapjen e dosjeve në Maqedoni ka kërkuar ndihmë nga shërbimi ushtarak serb për procesin e lustrimit. Komisioni i Maqedonisë për dosjet i ka dërguar shërbimit sekret ushtarak serb një listë të personave, për të cilat kërkohen dosjet dhe hollësi tjera relevante lidhur me mundësinë e përfshirjes së tyre si bashkëpunëtorë të ish-sigurimit ushtarak jugosllav (KOS). Autoritetet ushtarake serbe deri më tani nuk kanë dërguar asnjë përgjigje në adresë të zyrtarëve të Komisionit të Lustrimit. Ish-punonjës të lartë të Shërbimit Sekret Jugosllav (UDB) dhe ekspertë të organeve të sigurimit theksojnë se Beogradi është faktori kryesor që mund të konfirmojë dhe ndihmojë në realizmin e procesit të lustrimit në Maqedoni. Kjo, për shkakun se numri më i madh i dosjeve për Maqedoninë ruhen nëpër arkivat shtetërore në Serbi, ku dikur ishin qendrat e shërbimit shtetëror (UDB) dhe atij ushtarak (KOS).