Nga subjektet politike në Kosovë, datat 13 dhe 27 shkurt shihen si koha më optimale për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Krasniqi siguroi se data e zgjedhjeve të parakohshme do të bëhet publike së shpejti dhe ajo reflekton një lloj pajtueshmërie mes forcave politike në vend. “Sipas të gjitha bisedimeve që kam pasur me subjektet politike, me KQZ-në dhe me ekspertë të ndryshëm, del se mesi i muajit shkurt është afati më optimal dhe do të thosha edhe më i domosdoshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Trembëdhjetë shkurti, konsideroj se është një datë shumë optimale”, përforcoi Krasniqi për BBC-në. Për datën 13 shkurt janë dakord partia më e madhe në koalicionin qeveritar, PDK, Aleanca Kosova e Re, Lidhja demokratike e Dardanisë (e cila ka lënë si opsion të hapur edhe 27 shkurtin), LDK (që e ka cilësuar si detyrim mbajtjen e zgjedhjeve në dimër). Kundër ka qenë AAK-ja e Haradinajt, e cila vazhdon të mbrojë variantin e 6 marsit si opsion më të mirë për kohën që duhet për të përgatitur zgjedhjet dhe ka dënuar paragjykimet e datës 13 të publikuara, duke kërkuar më parë respektimin e vullnetit të të gjitha partive politike. Sipas deputetëve të shumicës, “data 13, do të ishte e përshtatshme për t’u dhënë kohë edhe bisedimeve pas zgjedhjeve rreth formimit të institucioneve brenda afatit kushtetues, 28 marsit”. Krasniqi ka folur edhe për bisedimet me Beogradin. Krasniqi ka theksuar se Kosova nuk ka asnjë arsye që t’i ikë çfarëdo bisedimi të mundshëm me Serbinë, si dy vende fqinje. Ai ka lënë të kuptohet se janë pajtuar që të shkohet në bisedime me Beogradin zyrtar, pavarësisht nga zhvillimet politike që ndodhin sot në Kosovë. “Derisa bisedimet nuk janë për çështjet e statusit politik, nuk janë për tërësinë tokësore, por janë për ngritjen e cilësisë së jetesës për qytetarët e të dyja anëve, kanë të bëjnë me lehtësitë që krijohen me lëvizjen dhe qarkullimin e qytetarëve të dy vendeve tona dhe mallrave të dy vendeve tona, ne nuk kemi asnjë arsye që të mos bisedojmë si palë e barabartë me Beogradin”, ka deklaruar ai.
Krijoni Kontakt