-
E drejta e nëpërkëmbur e jetës
Artan Duka Prof.As.Dr
Në Shqipëri nuk janë të pakta rastet fatkeqe kur jeta e pafajshme është humbur në mënyrën më absurde. Gërdeci përbën rastin më flagrant të raportit të kompromentuar shtet-shoqëri-shtetas ku i pari mbi të gjitha nëpërkëmbi të drejtën hyjnore të jetës.
Por fatkeqësia dhe mjerimi shoqërisë nuk është thjesht se tek ne jeta e njeriut vlen jo rrallë shumë pak, qoftë për indiferencë të shtetit apo vetë individit por dhe se kur ajo humbet, humbet në zbrazëti dhe cikli absurdit vazhdon pafund pa reflektimet përkatëse.
Përpos përgjegjësisë së pushtetit, mëndësitë rutine "e di qeveria", "nuk të dëgjon kush" "shyqyr që nuk e kam në prag" etj rrënojnë indin e qytetarisë shqiptare me pasoja të përditshme deri në katastrofë për jetën, pronën, besimin tek ky vend dhe të ardhmen e fëmijëve.
E drejta e jetës i jep jetë çdo të drejte
Papërgjegjshmëria e qytetarit për një shoqëri në emancipim e sipër demokratik, nuk mund të përbëjë një alibi për një shtet i cili direkt apo indirekt, me veprimin apo mosveprimin e tij, me strukturat kapilare në çdo sektor të jetës është përgjegjësi kryesor i garantimit të shënjtërisë së jetës dhe cilësisë së saj me krijimin e standarteve dhe monitorimin përkatës.
Duke garantuar atë, ai garanton në start mundësinë e gëzimit të zinxhirit të mëtejshëm të të giithë të drejtave - votës, fjalës, pronës, shanseve të barabarta, lirisë së lëvizjes etj.
Garantimi i kësaj të drejtë të "amëshuar" kërkon përgjegjësi së pari nga strukturat shtetërore e më tej vetë shoqërisë - ajo civile, shkolla, biznesi privat, media e së fundi vetë individi. Mbrojtja më e mirë është prevenimi ndaj në në emer te jetës duhet te reagohet në kohë ndaj çdo fatkeqësie në pritje duke i zhbërë apo minimizuar gjasat për shfaqjen e saj.
"Minat" që na rrethojnë
Fatkeqësisht jeta dhe cilësia e jetesës në Shqipëri është tepër e brishtë dhe e ekspozuar ndaj rrezikut.
Depot e armatimit të shpërndara kudo, pikat e karburanteve vënd e pa vënd, industri përpunuese dhe energjetike që invadojnë habitatin urban, ndotjet prej mospërpunimit të mbetjeve, ujra të zeza që depërtojnë në tubacionet e ujësjellësit, erozion masiv i tokës si rrjedhojë e shpyllëzimit pakriter, barriera inekzistente ndaj vërshimeve të lumenjve, ndërtime të pasigurta që në dëndësinë e tyre bllokojnë shërbimet e ugjencës, spitale pa ilaçe dhe kushte normale, shkolla të improvizuara, xhungël telash që varen në kokat tona, puseta të hapura dhe trotuare të ngushta, kantjere pa siguri teknike, drejtues makinash të papërgjegjshëm, fëmijë në prëhërin e shoferëve, makina shkollash të tejmbushura, pasagjerë pa rripat e sigurimit, makina që "vjellin" blozë, rrugë pa sinjalistikë, fëmijë që luajnë mes predhave, familje rome që bashkëjetojnë me baltën, minatorë që gërmojnë krom si në mesjetë, zakoni gjakmarrjes që i bën karshillëk standarteve perëndimore, ushqimi pasigurt etj janë "mina me sahat" që përditë zhvleftësojnë jetën tonë dhe deri provokojnë vdekje absurde për një shtet të NATO-s.
Çfarë hamë dhe pimë?
Së fundi në media, temë e ditës u bë siguria e ushqimit. Shqetësimi është i madh ndonse ende nuk po gjen jehonën e duhur në debatin mediatik, sepse bëhet fjalë për ushqimin e përditshëm të fëmijëve dhe sigurisë se produkti në raftin e dyqanit është vërtet çfarë paketimi pretendon(!).
Shteti dhe institucionet përkatëse të kontrollit dhe verifikimit të cilësisë së produkteve në treg kanë dështuar në këtë rast në mbrojtjen e interesit publik. Në lojë është jeta e cilësia e jetesës së qytetarit shqiptar që nuk e meriton kurrsesi të mos dijë çfarë ha për ditë, të bëhet pre e panikut potencial teksa percepton se po merret peng prej biznesmenëve të papërgjegjshëm që i bëjnë karshillëk shtetit që bën të paditurin.
Pa paragjykuar apriori produktet në treg dhe punën e ndershme të mjaft biznesmenëve, qoftë dhe një fakt i veçuar që dëshmon kompromentimin e zinxhirit të sigurisë së ushqimit, duhet të përbënte një alarm për institucionet e shtetit, OJQ konsumatore sikurse vetë konsumatorin për të konfirmuar normalitetin, qetësuar mëndjet e ngritura dhe stabilizuar besimin në menaxhimin e situatës.
Faktikisht, atë që duhet ta bënin së pari institucionet e specializuara e bëri media ndonse edhe pas sensibilizimit në të nuk kemi deklarata të qarta dhe publike nga ana e strukturave shtetërore për konfirmuar apo përgënjeshtruar faktet në fjalë gjë që e pështjellon më tej blerësin shqiptar që teksa vret mëndjen për llojin e produktit dhe cilësinë e tij nuk e shkon nëpërmënd se disa prej tyre ndoshta nuk duhet të jenë fare në raft.
Ndërsa qytetari vetë duhet të mos marrë më asgjë të mirëqënë, ndërsa media investigative duhet të pozojë më fort dhe më hapur absurdet e realitetit të tregjeve tona, ndërsa OJQ konsumatore të jenë në ballë të monitorimit të standarteve të jetesës dhe konsumit, shteti dhe strukturat e tij duhet të përfshihen seriozisht në garantimin e jetës së qytetarit.
Jeta dhe cilësia e saj duhet mbrojtur dhe garantuar dhe nëse incidenti apo larg qoftë tragjedia ndodh, është detyrë e shtetit në rradhë të parë që pësimi të bëhet mësim dhe konteksti dhe rrethanat vrastare të mos kërcënojnë më të tjerë.
Qytetari meriton shtet
Dështimi për të mbrojtur jetën dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve që e kanë votuar është tepër serioz dhe kompromentues për institucionet e shtetit dhe nëse kjo ndodh, dorëheqja apo shkarkimi i personave përgjegjës është minimumi pendesës e reflektimit prej tyre.
Duke filluar nga siguria e ushqimit që gjëndet në raftet e supermarketeve tona - vaji, djathi, veza, mishi, qumështi, pija që bëjmë gëzuar etj e deri tek garantimi të drejtave kushtetuese të qytetarit, shteti duhet të ndjehet dhe qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e saj.
Përtej polemikave të Gërdecit, financave të rrugës së Kombit, vullnetit të munguar për transparencën e votës, stanjacionit me proçesin e integrimit, kompromentimit të interesave kombëtare në rastin e Himarës, Boboshticës, "trafikimit" të mbetur në tentativë të ujrave detare dhe rregjistrimit të debatueshëm të popullsisë, show-ut qeveritar të liberalizimit të vonuar të vizave etj, falë investigimit mediatik qeveria ka sot përballë një problem dhe sfidë serioze siç është ai i sigurisë së ushqimit të cilit i servirim çdo ditë fëmijëve tanë.
Ende presim sepse përtej denoncimit të medias, nuk kemi pare ndonjë reagim të dukshëm qeveritar për një vënd të NATO për një monitorim urgjent të situatës së ushqimeve në treg, performancën e praktikave kontrolluese dhe standarteve ekzistuese deri në rishikim të tyre, asnjë mobilizim të dukshëm të institucioneve përkatëse si Autoriteti Ushqimit i sponsorizuar prej BE etj në drejtim të qetësimit të mëndjes së opinionit publik se situata është nën kontroll dhe se ne duhet të kemi besim si më parë tek ushqimet në raftet e dyqaneve.
Duke i lënë terren dyshimit që natyrshëm përkthehet në dështim për një qeveri që nuk duhet ta lërë konsumatorin shqiptar në fatin e tij, një arsye më shumë, ndoshta më e prekshmja dhe më thelbësorja për një qytetar të thjeshtë, i shtohet listës së arsyeve se përse shqiptarët meritojnë më mirë dhe shpejt.
Shekulli
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt