Duke marre shkas nga shkrimi i me poshtem i Prof Fejzi Hoxhes, ish-mjek i Enver Hoxhes, ku analizon Isuf Kalon,
shtroj pyetjen
Hipokritet, mosmirënjohësit, karrieristet, pse na hedhin hi syve, dhe i ndihmojme gjithnji per te arritur objektivin qe kane?
“Ju rrëfej kulisat dhe përplasjet e forta mes mjekëve të Enverit”
E henë, 04 Tetor 2010 10:33
Në kujtimet e profesor Hoxhës për marrëdhëniet e bluzave të bardha që kujdeseshin për shëndetin e njeriut më të rëndësishëm të Shqipërisë komuniste, ndriçohen aspekte të panjohura të debateve të ashpra dhe qejfmbetjeve të shumta midis tyre. Pjesa më e madhe e kolegëve, shkruan mjeku i dëgjuar, ishin karaktere të forta dhe profesionalisht dinjitozë, por kishte syresh që e shfrytëzuan specifikën e detyrës për interesa meskine. Në pjesën e shënimeve për përplasjet e forta dhe intrigat e panjohura të personelit të klinikës speciale, profesor Hoxha sjell fakte e shembuj konkretë me protagonistë që spekuluan me “pasaportën” e mjekut të udhëheqjes, duke demonstruar karakter të dobët e amoralitet pervers. Duke zbardhur një pjesë të tyre, gazeta, rezervon të bëjë publike disa syresh vetëm për çështje etike...
Një ditë në zyrën e Ramizit
Një ditë më lajmëroi ministri ( Ahmet Kamberi-shënim i red.) se shoku Ramiz na kërkonte të nesërmen paradite. Unë nuk dija përse. Duhej të shkonim dr. Ahmeti, Isufi dhe unë. Isufi ishte informuar më parë se çdo na shtronte sh. Ramiz, sidomos për sojën, përmbajtjen dhe leverdinë e saj. Unë e kisha ngritur dy tre vjet më parë këtë problem dhe në Ministrinë e Industrisë Ushqimore, në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Komisionet e Kuvendit. Isufi, që ishte lajmëruar mbi subjektin pse na kërkonte shoku Ramiz, kishte marrë informata sa e harxhojmë ne sojën, sa e importojmë, cila ishte përmbajtja e saj (që unë e kam shkruar në monografinë që kam bërë). Foli me kaq kopetencë për sojën sa unë u habita.. Po ta pyesësh sot, me siguri nuk di të të përgjigjet asgjë për të. Për çdo artikull që shkruan ndonjë nga anëtarët e katedrës, duhet të vejë edhe emrin e Isufit si bashkëautor, megjithëse ky nuk ka shkruar asnjë fjalë, nuk ka dhënë asnjë mendim mbi atë punë. Këtë e bën për të dëftuar se ka shkruar shumë punime shkencore për të dëftuar aktivitetin, gjoja të madh të punës së tij. Ai është superficial edhe në lëndën e specialitetit të tij të endokrinologjisë dhe të metabolizimit.
Kulisat për largimin nga familja e Enverit
Ai ka bërë ç’është e mundur për të më shkëputur mua nga puna mjekësore në familjen e shokut Enver dhe të klinikës speciale. Më thërret vetëm atëherë kur shoqja Nexhmije ose Sanua (motra e Enverit-shënim i red.) i thonë të më lajmërojë edhe mua ose kur e sheh se ato janë mërzitur ose kanë ndonjë shqetësim shëndetësor të zgjatur. Për t’u dëftuar se ai mjekon mirë, ka kërkuar edhe konfermën time. Në këto raste, kur pasi kemi vizituar pacientin, kemi biseduar për analiza të ndryshme para se të vendosim, pastaj nuk më ka vënë në dijeni as për analizat e as për mjekimin që i vazhdon. Ose kur e sheh ngushtë për ndonjë nga djemtë, më thërret dhe kërkon ndihmën time për t’i kërkuar shoqes Nexhmije ta dërgojë jashtë shtetit. Këto ditë të gjysmës së dytë të majit, (1988) Sokoli u sëmur nga një hepatit infektiv, por që temperatura u zgjat shumë. Ishte shumë alarmante, pa oreks. Gjendja ishte shumë delikate, me tranzaminaza të larta, provat e heparit shumë të alteruara, ka edhe një pengesë biluare. A ndikon kjo për interin, për temperaturën e zgjatur? Kur ne bisedojmë në konsultë ( dr. Kristo, dr. Mehdi Cani, prof. Josif Adhami, Dr Isufi) dr. Kristua shpreh idenë ta nisim pacientin jashtë shtetit. Mua më preokupojnë lodhjet e udhëtimit të pacientit dhe i kërkova Kristos e Mehdiut çfarë do t’i bënin më tepër për mjekim pacientit në Paris. Asnjë medikament tjetër, por po të rëndohej gjendja atje, kishin mundësi për masa të reaminacionit, pasi ne këto masa na mungojnë. Unë kuptova se këtu është fjala për të hequr përgjegjësinë tonë. Pasi bëra disa vërejtje për mendimet e tyre dhe kërkova shpjegime për të më bindur se kjo të bëhej në interes të shëndetit dhe jetës së djalit, të veprohej menjëherë. Por të ma arsyetonin. Pastaj mendova se prognoza e interit ifektiv nuk dihet kurrë dhe po të rrezikohej, do ma hidhnin mua gjithë përgjegjësinë. Rasti i parë ky kur dr. Isufi nuk e propozon vetë këtë gjë dhe kur unë insistoj për djalin. Bëri një strategji: Lajmëroi ministrin e Shëndetësisë, dr. Ahmetin për preokupimin tim, për shëndetin e Sokolit, që mundësisht të vinte në dijeni edhe udhëheqjen lart, sidomos shokun Ramiz, pasi e dinte interesin e madh të tij për familjen e sh. Enver. Natyrisht, shoku Ramiz u preokupua, thirri sh. Nexhmije, e pyeti për Sokolin dhe i tha ta nisnin në Paris. Kështu që propozimi erdhi nga lart dhe u shkarkua nga përgjegjësia dr. Isufi. Për çdo eveniment nuk ishte ai që i bëri propozimin sh. Nexhmije. Kur u vendos që të shkonte, e zgjati edhe për pak ditë nisjen, ( gjoja të mos tronditim sh. Nexhmije) por me qëllim që të kishte kohë të transferonte plaçkat për në shtëpinë e re dhe për të rregulluar materialin që do paraqeste në Journe de diabetologu, në 6 maj në Paris. Material i përmbledhur nga infermierët dhe fotografët.
“Pirati” i librit “A je diabetik”
Libri i botuar së fundi “A je diabetik” është krejt një përkthim i autorëve francezë. Unë kam origjinalin. Është pikë për pikë si ai, por autori shqiptar, me të cilin kam punuar prej vitesh në klinikën speciale, e paraqet si punën e tij. Më pruri një recesion që e kishte bërë vetë në emrin tim dhe unë e firmosa. Nuk dua të hyj në luftë të hapur me të. Është njeri që të kafshon prapa dhe ka shumë njohje. Është gjoja shakatar, por kur dëfton barsoletat, qesh më shumë vetë se të tjerët që e dëgjojnë. Një ditë unë mbajta në akademi një referat mbi mënyrën e të ushqyerit të ekuilibruar për zgjatjen e jetës, për ruajtjen e aftësive mendore e fizike, për ushqimin sipas moshës, sipas punës etj. dhe bisedova me profesor Kol Popën për të bërë një studim mbi shëndetshmërinë e njerëzve mbi 50 vjeç, mënyrën e tyre të të ushqyerit, profesionit etj. Të nesërmen, doktor I. K. më vjen në shtëpi dhe më thotë: Unë diskutova pas referatit tënd dhe më tërheq problemi i pleqërisë, ndaj mendoj të bëj një studim. Unë i thashë po mirë, e bëjmë bashkë. Por më thanë në Akademi që për të pasur ndihmën e institucioneve të saj dhe të komisionit të Planit të Shtetit, duhet që tema të aprovohet një herë në katedër. Bëra planin e metodikën dhe ia dhashë ta mbante në katedër. Ky në bazë të saj filloi dhe po e bënte vetë këtë studim, pa më thënë aspak mua, duke i dhënë një pjesë të vogël dr. Thanasit për ta vënë në temë. Shumë i poshtër!
Kopje e studimit të profesorit Asllan
Kishim thënë në katedër se do të bënim një tekst kolektiv të endokrinologjisë. Mora vesh që ai e ka bërë vetë, sigurisht të kopjuar dhe e paraqet si origjinalin e tij. Një ditë më dëftoi një modelar instruksion për diabetin për të sëmurët, si model të vetëkontrollit. Unë ato fletë i kisha parë, i thashë, këto janë tamam si fletët që kanë shtypur në Francë tek profesor Asllan. Më tha se ka ca modifikime. I thashë se nuk kanë asnjë modifikim, por janë tamam ato dhe ai nuk e bëri e as nuk e shtypi.
Hiletë e mjekut lektor
Një ditë I.K. m’u lut ta fusja në Politeknikum me makinë, se kam një punë, më tha. Unë e lashë atje dhe mora vesh se kishte vajtur për të folur për sh. Enver dhe mua ma fshehu. Më erdhi shumë inat dhe u indinjova. Nuk m’u durua dhe ia thashë: Pse ma mbajte të fshehur? Besoj se nuk do të interesonte, më tha. U indinjova dhe krijova idenë gjithmonë e më të qartë për karakterin e tij të dobët. I pëlqente të shkonte në shumë qendra për të folur për sh. Enver, jo se e kërkonin, por këmbëngulte vetë që të dukej. Nuk di çfarë ka folur për sh. Enver, pasi ai u caktua mjek personal i tij vonë, nga nëntori i vitit 1973 dhe për një kohë ai u largua si i padëshirueshëm dhe me vërejtje për gabimin e diagnozës dhe kujdesit për Sokolin, kur bëri peritonit difuz. Unë ndërhyra pranë sh. Enver me një letër të gjatë që i dërgova, ku e gjeja të padrejtë dënimin që i kishte dhënë dr. Llambi Ziçishti (në atë kohë ministër i Shëndetsisë, shënim i redaksisë). E shpëtova edhe atëherë, por ai është me karakter të dobët, mburrës, karierist, megalloman, intrigant, tahmaqar, mosmirënjohës. Është inteligjent, por prandaj dhe i rrezikshëm me intrigat e tij. Ai nuk mund ta shpjerë kurrë përpara endokrinologjinë. Edhe mjekët e rinj që ka marrë (Gjinalin dhe Thanasin) i ka të tijët, por jo të perspektivës. Ai vetë nuk rri veçse pak kohë në klinikë dhe shkon sa andej këndej për të takuar apo për të vizituar kuadro, që mund t’i ketë në ndihmë të interesave të tij. Viziton dhe mban takime të fshehta edhe me profesorët e universitetit, të fakulteteve të ndryshme për t’i pasur për ndikim në nota të provimit të vajzës së tij dhe njëkohësisht për komente të favorshme të punimeve kërkimore të tij të kopjuara.
Mosmirënjohës dhe karrierist
Më 1 mars 1989 kishte pak ditë që doktor I.K ishte kthyer nga Franca, ku kishte qenë me shërbim duke shoqëruar një të familjes ku shërben. Një ditë para se të ikte, unë isha në spital në katin e pestë dhe e mora vesh ikjen e tij nga infermierët dhe mjekët e tjerë. Para se të dilja, Isufi më tha se nesër po nisem për në Paris dhe doli nga pavioni, iku nga spitali dhe nuk u takuam më. Më çuditi ky qëndrim i tij karshi meje. Kur u kthye nga Parisi, unë i mbajta një qëndrim të ftohtë. Më erdhi në mbrëmje në shtëpi, duke më sjellë edhe një këmishë. Sapo u ul, i thashë: Bëre mirë që erdhe, se kisha shumë gjëra për të të thënë. Ti e di që unë kam qenë gjithnjë i sinqertë me ty dhe t’i kam thënë troç gjërat. Të kam dashur shumë, të kam mbështetur në çdo rast, të kam ndihmuar më shumë se djalin tim, por nuk të kam njohur: Ti je hipokrit, mosmirënjohës e karrierist. Më tha: Unë të kam nderuar dhe të kam dashur si prind. Shumë nga shokët tanë në spital, i thashë të kishin njohur më mirë dhe më kishin sinjalizuar për defektet e karakterit tënd. Unë nuk u besoja. Më ke gjoja dashur se kam luftuar të gjithë ata që të pengonin. Kisha bëra fjalë me dr. Dinen kur sh. Hysni e mbante afër, se gjoja të pengonte të takoheshe me të dhe të ngarkoheshe me mjekimin e tij, kurse ti e bëje nga xhelozia dhe ma shaje mua, dr. Dinen, që nuk të pranonte në konsulta kur ishte gjendja e rëndë e pacientit. Më vonë ti u bëre bythë e brekë me dr. Dinen. U grinde me doktor Hektorin, e akuzove se nuk vinte rregullisht në spital, se lëshonte raporte paaftësie për miqësira, bënte favore etj, kurse ti bëre më shumë favore, i vure zjarrin klinikës. Rrallë vjen 1 orë e gjysmë e ikën dhe asnjëherë nuk të gjen në klinikë. Bëra çmos, ku nuk vajta që ti të bëheshe shef i klinikës së endokrinologjisë. Në dekanat, universitet, në Ministri të Arsimit, (tek Bardhyi disa herë) gjer edhe deri tek dr. Ajliu, atëherë ministër i Shëndetësisë kam shkuar bashkë me Sulo Gradecin për ty.
Doktori që solli çdo orendi të shtëpisë nga Parisi
Doktor I.K. nuk ngopet kurrë nga përfitimet. Edhe lavamanët që ka vendosur në shtëpi i ka sjellë nga Parisi. Nuk bëhet fjalë për të tjerat (rrobat për vete, për gruan, për fëmijët, për lampadarët etj.) Kur delshim jashtë shtetit donte që fondet t’i merrte vetë ai. Shpenzimet që bënte me profesorët, dhuratat me sekretaret, shpenzimet me taksi, në kafenera me atë që shoqëronte etj., për të cilat merrte një vërtetim nga dikush në ambasadë. Me Kriston, zëvendësdekanin e Fakultetit të Mjekësisë e ka punën vaj. Me anë të këtij i kundërvihet dr. Hektorit në dekanat. Me anën e Kristos kërkon të mbrojë temën e doktoratit. Është Kristua që vlerëson pagesën për artikujt e botimet. Pra, e ka si kofidentin më të afërt dr. Kriston sot për sot. Do ti ‘krrente’ sytë sikur mos të ishte zëvendësdekan për punët shkencore.
Intriga për Ministrin e Shëndetësisë
Kur njëri nga fëmijët i kaloi një krizë, doktor I.K. më erdhi duke qarë në shtëpi, m’u lut të ndërhyja te ministri Ajli Alushani për ta dërguar jashtë shtetit, duke e shoqëruar dhe ai vetë. E çojmë në Francë, i thashë. Do i vemi ministrit e do bëjmë kërkesë bashkë me Sulo Gradecin. Dhe ashtu bëmë, dr. Ajliu e dërgoi. Vetë ai ishte prishur me doktor Ajliun se gjoja ai e kishte bërë ministër dhe i kishte kërkuar që t’i sillte nga Elbasani në endokrinologji doktor Gjinalin, kushëririn e tij, i cili u suall për disa kohë dhe u dëftua se jo vetëm nuk shkëlqente, por ishte dhe kryelartë. Mbajti në klinikë të udhëheqësve dhe një nga Berati, dr. Thanasin, dhe ky një mjek i rëndomtë që nuk shkëlqeu. E kishte prishur me dr. Ajlinë që i vonoi sjelljen në Tiranë nga rrethi i Elbasanit dr. Gjinalit, kushëririt të vet. Kur një ditë i tërhoqa vëmendjen të mos fliste keq për dr. Ajliun, ai ishte ministër i Shëndetësisë, m’u përgjigj: - Jo, unë nuk e shaj as e kritikoj, ndërkohë që nuk pushonte të fliste për të, bile dhe për çështje morale. Sa për çështje morale, as ai nuk është i larë, porse është shumë i zgjuar dhe di të mbulohet. Sjell përçarje në pavijon, krijon grupazhe me infermieret kundër Hektorit ose informata për mjekë të tjerë.
Në shënjestër,
Sulo Gradeci
I.K me Sulon nuk shkonin mirë. Ai e ka sulmuar vazhdimisht. Sulua nuk thoshte asnjë fjalë. Unë e kritikova dhe i thashë se Sulua është njeri me zemër të mirë. I thashë se e njihja prej 25 vitesh. Është njeri që gëzohet kur i bën ndonjë të mirë dikujt. Edhe atë e ka ndihmuar. Ai më thotë se ka arsyet e veta, porse asnjë argument nuk jepte. Kur unë e këshillova dhe e kritikova, filloi të lëshojë lot dhe më ftoi të ulemi në një kafe (ishim në Paris) dhe kërkoi të më merrte me të mira. Unë e kuptoja që përpiqej të hiqte influencën e Sulos në shtëpinë ku punonte. Donte që vetëm ai të pyetej aty për çdo gjë. Një mbrëmje ishim në dhomën tonë Sabiti, unë e I.K. dhe ata kritikonin Sulon që kishte sjellë gjoja aparatura, të cilat nuk i duheshin shëndetit të sh. Enver. Kur i sollëm shumë aparatura edhe për transplantim të zemrës që i shërbenin klinikës së kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë, nuk thoshte asgjë. Kurse për alergjinë që na u ankua sh. Enver, menduam mos ishte një alergji medikamentoze dhe porositëm aparatura që i shërbenin Arbenit. Në praninë time i thoshte Sabitit pse Sulua ka sjellë këto aparatura, megjithëse ato do t’i shërbenin edhe Arbenit (alergologut që diagoztikonte alergjinë e Sh.Enver, shënim i red.) Unë në atë kohë nuk fola, por më vonë e kritikova. Ai kishte qëllim që të kishte miqësi e përkrahje nga kardiologët dhe të luftonte Sulon, por njëkohësisht të më godiste edhe mua. Ai nuk e përkrahu asnjëherë Arbenin. Çdo analizë e bënte me Eminenë dhe Siri Leskoviqarin. Nga informatat që kishim nga infermieret, vendimet që merreshin në konsultë për mjekimin e sh. Enver, vente e ia komunikonte si mendime të tij personale. Vitin e fundit kur ekipi u përforcua nga gjendja e rëndë e sh. Enver dhe takimet që kishte me sh. Ramiz, ai filloi të ngrinte tonin në mbledhje, madje edhe ecjen kur vinte në konsultë në dhomën e mjekëve filloi të ndryshojë, ecte si një kapadai. Pas vdekjes së sh. Enver u bë pedagog dhe shpejt kërkoi të bëhej shef i katedrës, duke kritikuar Hektor Peçin si njeri që mungonte shpesh në katedër, si njeri amoral, si njeri që abuzonte me peshqeshe etj. M’u qep mua të ndërhyja në dekanat, në Ministri të Arsimit, me rektorin, që të bëhej shef i katedrës. Megjithëse unë kisha pasur shumë disiluzione për shumë qëndrime jo korrekte dhe jo shumë mirënjohëse. Ndaj ndihmës që unë i kisha dhënë gjatë gjithë kohës, mendova ta ndihmoja edhe këtë herë. M’u qep dhe çdo ditë më thoshte: Shko të lutem në Ministri të Arsimit, shko në dekanat, shko te rektori, shko në Ministri të Shëndetësisë, ty ta dëgjojnë fjalën. Për disa ditë rresht u mora vetëm me punën e tij, duke e mburrur kudo që veja, sikur ishte i vetmi që mund të vinte në rregull perspektivën e endokrinologjisë.
PANORAMA.
Krijoni Kontakt