Anoreksia, tashmë sëmundje e grave të pjekura
10/10/2010
Deri tani mendohej se anoreksia ishte një sëmundje që prekte vetëm adoleshentet, të cilat donin të ishin sa më pranë përmasave të modeleve të pasarelave. Por së fundi po del se gjithnjë e më tepër po bëhen pre e dobësisë ekstreme trupore femrat mbi të 30-at
Ekspertët e çështjeve të çrregullimeve ushqimore janë duke trajtuar gjithnjë e më tepër raste femrash, mbi të 30-at, që kanë shenja të rënda të anoreksisë dhe bulimisë. Nuk bëhet më fjalë për vajza në të 16-at e tyre që duan të duken si modele, por për gra të rritura dhe drejt pjekurisë, një pjesë e të cilave janë edhe me fëmijë. Kjo është një risi, sipas mjekëve, që sigurisht ka shpjegimet e saj dhe që po merr përmasat e një epidemie, të paktën në Perëndim.
Psikiatrit kanë të bëjnë me një numër gjithnjë e më të madh pacientësh që janë në gjendje vërtet të rëndë me njërën, ose tjetrën situatë, pra anoreksi, apo bulimi, dhe tani mosha që përfshin këto shqetësime është mbi të tridhjetat e në jo pak raste edhe mbi të 50-at. Kjo sëmundje shkaktohet nga ngjarje të ndryshme personale, sigurisht ngjarje të trishtueshme e dëshpëruese për një grua, si divorci, ndarja, vdekja e partnerit, papunësia, menopauza, humbja e një njeriu të afërm, apo përballja me largimin e fëmijëve në shkollë.
Por, sipas mjekëve specialistë, ka edhe raste, jo të pakta, kur çrregullimet e ushqimit te gratë lidhen me presionin në të cilin ato ndodhen nga partnerët dhe shoqëria për të qenë gjatë gjithë kohës në formë të mirë fizike, edhe në një moshë kur nuk është më e mundur që të ruash linjat perfekte të rinisë. Dhe “mbretëreshat” e kësaj kulture vrastare janë si gjithmonë modelet e mbrapshta, që reklamohen me shumicë në media, kryesisht nga bota e spektaklit, të tilla si Madona, apo Sharon Stone, të cilat shndërrohen në modele për t’u ndjekur, e në pamundësi për një gjë të tillë, ato depresionohen dhe ndihen keq. “Pesë apo 10 vjet të shkuara rastet e personave mbi të 30-at që kishin çrregullime me ushqimin ishin shumë të rralla dhe zakonisht lidheshin me trauma të mëdha në jetë, pra ishin efekte dytësore të një situate të rëndë që nuk kishte aspak të bënte me dëshirën për t’u dukur e re dhe e hollë. Por së fundi, këto dy-tri vitet e fundit rastet që po përballin me gra të pjekura me bulimi, apo anoreksi janë gjithnjë e më të shpeshta”, thotë një mjeke britanike. Ela, një spanjolle që nuk do të identifikohet, rrëfen këtë histori me të ëmën, Fiona, që vdiq në vitin 2008 nga anoreksia në moshën 48-vjeçare: “Trauma e largimit tim nga shtëpia për të studiuar në një vend që ishte shumë larg vendbanimit tonë i shkaktoi mamasë sime një tronditje të madhe. Ne të dyja ishim shumë të lidhura dhe ikja ime e bëri atë që të mos kishte interesa më dhe pak nga pak interesi iu zbeh edhe ndaj vetë të ushqyerit dhe jetës. Unë kam qenë pak a shumë gjithçka e bukur dhe e rëndësishme për nënën time dhe ikja ime e la tërësisht vetëm. Kur vdiq ishte 50 kilogramë”, thotë Ela. E ëma e saj, Fiona, vdiq për shkak të pneumonisë dhe dobësimit ekstrem të trupit. “Kur u sëmur me pneumoni, ajo nuk mund ta përballonte sëmundjen dhe medikamentet, sepse trupi i saj ishte tashmë shumë i dobët, i brishtë dhe i kequshqyer”, vazhdon vajza.
Megjithatë shkaku i çrregullimeve të mëdha të të ngrënit mbeten tragjeditë dhe traumat e forta njerëzore. Njerëzit përballen vazhdimisht në jetën e tyre me humbje të vogla e të mëdha duke filluar nga humbja e partnerit, deri te humbja e punës, fëmijës, financave, njerëzve të dashur e kështu me radhë. Si pasojë, humori përkeqësohet dhe kjo sjell edhe përkeqësime në qëndrimin e këtyre personave ndaj ushqimit dhe në këtë moment fillon edhe sëmundja. Fillimisht nis humbja e oreksit dhe dobësimi i organizmit që nuk është më në gjendje të ketë imunitetin e duhur për të mbrojtur veten nga sulmet e sëmundjeve dhe të epidemive, të cilat nëse janë të forta i japin fund jetës. Por kur persona të tillë fillojnë që të mos hanë, ndodh që ata të ndihen më mirë dhe këtu nis një gënjeshtër e madhe që i çon drejt përkeqësimit të vazhdueshëm. Rënia në peshë bën që t’i rrinë gjërat bukur, që të marrin komplimente për pamjen e jashtme dhe i detyron të vazhdojnë në këtë rrugë. Kjo bën që të kenë tanimë një objektiv të ri, atë të ruajtjes së kësaj forme me çdo kusht dhe me një çmim shumë të lartë. Zakonisht një sëmundje e tillë zhvillohet shumë edhe te gratë, që për një arsye apo një tjetër, braktisen nga bashkëshortët dhe partnerët. Në raste të tilla ndodh që një grua e lidh braktisjen me peshën e saj trupore, të cilën e fajëson për atë që i ndodhi dhe në këtë moment nis dietën e fortë. Por kjo është një rrugë që nëse e nis dhe e vazhdon, të çon drejt vdekjes, ose në rastin më të mirë të dëmtimit të organeve të brendshme. Ajo që nuk kuptohet është fakti se vetëm disa gra e kanë tendencën që të zhvillojnë çrregullime ushqimore dhe disa të tjera jo, por ndoshta mjekët mendojnë se kjo vjen ngaqë truri i tyre funksionon pak ndryshe, nën presionin e mungesës së ushqimit. Një numër gjithnjë e më i madh grash mbi të 30-at dhe të 40-at janë të pakënaqura me trupat e tyre, sepse përditë përballen me pamjet e trupave perfektë të aktoreve dhe modeleve nëpër revista, që në fakt nuk janë aspak realiteti, sepse këto foto manipulohen në kompjuter.
shqip
Krijoni Kontakt