Ukë Rugova, djali i ish presidentit Ibrahim Rugova, edhe zyrtarisht e ka filluar sot aktivitetin e tij politik në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke u bërë me këtë rast anëtar i Aktivit të Parë të degës së kësaj partie së Lagjen Velania të kryeqytetit.
Ukë Rugova tha se tashmë ndjehet mirë që e fillon aktivitetin e tij politikë në degën ku ka qenë edhe i ndjeri, i ati i tij, Ibrahim Rugova, i cili e themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ishte udhëheqës i saj për më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjet.
Rugova Junior kërkoi nga LDK-ja, e cila tashmë ka hyrë në procesin e brendshëm zgjedhor, që të zhvillojë një proces normal demokratik, “ashtu sikurse i ka hije kësaj partie”. Ai i bëri ftesë LDK-së që të hapë dyert për figura të reja në mënyrë që kjo parti në zgjedhjet e ardhshme nacionale ta kthejë namin që ka pasur sa ishte gjallë Ibrahim Rugova.
Ukë Rugova, në daljen e tij të parë para gazetarëve, e ka konfirmuar mbështetjen që ka për kandidatin për kryetar të Lidhjes Demokratike, Bujar Bukoshi. Ai tha se Bukoshi ka bagazh politik dhe intelektual që ta udhëheq Lidhjen Demokratike. Megjithëkëtë, zgjedhjet brenda-partiake sipas tij do ta dëshmojnë se kush do të jetë kryetar i LDK-së.
Gara midis Bukoshit dhe Sejdiut pritet të nxehë atmosferën brenda kësaj partie, e cila pas vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, u nda në dysh duke nxjerr në skenë një parti të re, Lidhjen Demokratike të Dardanisë, e cila drejtohet nga ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci. Ndërkohë ende nuk është zyrtare kandidatura e kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa, për shkak të miqësisë që ka me kryetarin aktual të partisë, Sejdiun.
(m.a/tg/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt