“Prilli...” i Kadaresë ndër 10 kryehistoritë e hakmarrjes boterore

LONDER-"10 hakmarrjet më të mira në letërsi”. Kështu titullohet shkrimi i John Mullan, botuar dje në “The Guardian”, në të cilin autori ka “rendur” pas “gjakut të keq”. Në artikull ai rendit njëra pas tjetrës 10 historitë më të mira të hakmarrjes a gjakmarrjes, që janë vënë në qendër të një vepre letrare. Pasi ka futur në këtë dhjetëshe “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit, “The Godfather” (Kumbari) të Mario Puzos, “The Bride of Lamermoor” që Donizzeti e bëri opera, “Huckleberry Finn” të Mark Twain, “Blood Wedding” të Lorkës dhe “La vendetta” të Balzakut, Mullan ka renditur si një ndër më të mirat e hakmarrjes të letërsisë edhe atë të përshkruar nga Kadare në librin e tij “Prilli i thyer”, që ai e botoi në vitin 1980. Secili prej librave ka në qendër një histori vrasjeje, që pasohet nga të tjera vdekje për shkak të hakmarrjes. Familje të futura në sherr, njerëz të vrarë prej secilës palë, inate që kthehen në vrasje e jo vetëm kaq. Librat që “The Guardian” ka përzgjedhur si më të mirët që përshkruajnë këtë lloj historie janë ndër më të njohurit, janë libra bestseller që i kanë rezistuar kohës, viteve dhe që asnjëherë nuk e kanë humbur lexuesin. Disa prej këtyre historive janë bërë filma, e një prej tyre edhe opera.
“Prilli i thyer” i Kadaresë, është futur në kinematografinë braziliane me titullin “Prapa diellit”. Ndërsa ka bërë renditjen, gazeta britanike ka vënë edhe një pjesë të subjektit të romanit duke shkruar: “Në këtë libër, Kadare ka vënë përballë Kryeqyqet dhe Berishajt. Ai ka sjellë në romanin e tij historinë e Gjorg Berishës, i cili sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, duhet të marrë hak për vrasjen e të vëllait, duke vrarë anëtarin e një familjeje rivale. Të dyja familjet kanë pasur hasmëri me njëra-tjetrën për më shumë se gjysmë shekulli. Jeta e tij merr një tjetër drejtim, edhe pse ai merr besë për 30 ditë, para se të bëhet viktima e radhës”.
Romani
“Prilli i thyer” është publikuar për herë të parë në vitin 1980. Ky libër ka për temë besën, gjakmarrjen dhe kanunin në pjesën veriore të Shqipërisë. Personazhi kryesor, Gjorgu detyrohet të hakmerret për shkak se këtë e kërkon kanuni i pashkruar që është përdorur me shekuj në vendin ku ai jeton. Në Brazil, ky libër është bërë film dhe mori titullin “Prapa diellit”. Ai është pasqyrim real i kodeksit ligjor që i ka mbijetuar dekadave të njëpasnjëshme, pasqyrim i një jete të vrazhdë, ku ky kodeks tërheq me vete edhe “më të pafajshmit e popullit”. Gjakmarrja, besa, miku janë ato elementë që ngritën në piedestalet më të larta të jetës, gjatë shtjellimit të kësaj jete, sa të vrazhdë aq edhe të lavdishme. Gjatë shtjellimit të ngjarjes autori ofron në mënyrë shumë direkte jetën në veriun e Shqipërisë, familjen, hakmarrjen, shtëpinë- që sipas tij i takon mikut, nderin dhe mbi të gjitha koloritetin që i jep jetës Kanuni i Lekë Dukagjinit. Dimrat që e karakterizojnë të madhin Ismail Kadare në “Prillin e thyer”, ashtu si në romanet e tjera të tij, të fusin akullin në palcë, të rrëmbejnë, të ngrijnë, pastaj shpalosin retë dhe të ofrojnë diellin...!

(GSH/BalkanWeb)

Edhe kete vit Kadare eshte ne listen e kandidateve per çmimin Nobel te letersise, i cili pritet te shpallet keto dite.