Close
Faqja 0 prej 5 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 48
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968

    Artikuj të përzgjedhur psikologjik

    Artikuj të përzgjedhur psikologjik*

    Fëmijët e baballarëve në moshë, në rrezik nga çrregullimi bipolar


    Sa më i vjetër babai, aq më i madh rreziku që fëmija të jetë me çrregullim bipolar. Ky është konkluzioni i një studimi të ri nga shkencëtarët suedezë që i kanë krahasuar 13.428 njerëz me çrregullime bipolare me më shumë se 67.000 të tjerë pa këtë çrregullim. “pas kontrollimit të paritetit (numrit të fëmijëve), moshës së nënës, statusin socio-ekonomik dhe historinë e familjes, pasardhësit e burrave 55-vjeçar e tutje të vjetër ishin 1.37 herë më të shpeshtë të diagnostifikoheshin me çrregullimin bipolar sesa pasardhësit e burrave të moshave 20 deri 25-vjeçar”, shkruan Emma M. Frans, e Institutit Karolinska të Stokholmit, si dhe kolegët e saj.

    Fëmijët e nënave të moshuara po ashtu kishin një rrezik të ngritur, por ky rrezik ishte më pak i theksuar se ai i baballarëve në moshë. Në rastet e sulmeve të hershme të çrregullimit bipolar (të diagnostifikuar para moshës 20-vjeçare), efekti i moshës së babës ishte shumë më i fuqishëm, derisa efekti i moshës së nënës nuk kishte fare efekt, thotë studimi në fjalë. “Personaliteti i baballarëve të vjetër është marrë parasysh për ta shpjeguar lidhjen mes çrregullimeve mentale dhe moshës së shtyrë paternale. Sidoqoftë, çrregullimet mentale të lidhura me moshën paternale janë nën ndikimin e konsiderueshëm gjenetik”, shkruajnë autorët e studimit. Kjo sugjeron një lidhje gjenetike mes moshës së shtyrë të babës dhe çrregullimit bipolar, por edhe të tjerave çrregullime mentale mes fëmijëve, thonë hulumtuesit. “Derisa njeriu plaket, ndodh riprodhimi i embrionit dhe de novo (i riu, që nuk kalon nga prindi te pasardhësi) mutacionet akumulohen monotonisht si rezultat i gabimeve në kopjimin e ADN-së” nënvizojnë hulumtuesit.

    “Gratë janë të lindura me furnizimin e plotë të vezoreve që kanë shkuar nëpër 23 replikimet, numër që nuk ndryshon teksa ato plaken. Prandaj gabimet e kopjimit të ADN-së nuk do të duhej të ngriheshin me plakjen e nënës. Duke u pajtuar me këtë nocion, ne kemi gjetur efekte më të vogla që e lidhin moshën materiale me rrezikun e çrregullimeve bipolare të pasardhësve”.

    Studimi është publikuar në revistën e muajit shtator “Arkivat e psikiatrisë së përgjithshme”.

    Çrregullimi bipolar është diskonim i ashpër që përfshin episode të manisë dhe depresionit.



    *Nga revista “ALBANICA” dhe hulumtime të tjera.
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e mia@
    Anëtarësuar
    11-01-2008
    Vendndodhja
    Twilight Zone...
    Postime
    10,676
    E keqja eshte se numri i femijeve me kete crregullim sa vjen e rritet.
    Eshte shume e veshtire te kujdesesh per nje femije bipolar.

    Ata karakterizohen me ndryshime te shpeshta, e te papritura te sjelljes. Jane te dobet emocionalisht, preken shpejt. Qajne. Mund te jene agresive, dhe te dhunshem. Vuajne nga depresioni.

    Mund te perbejne rrezik per familjen apo vet jeten e tyre. Zakonisht trajtohen me ilace per ti qetesuar. Ka qe kerkojne dhe shtrim ne spital. Ka tre tipe te ketij crregullimi, ku tipi 1 eshte me i rendi, ne lidhje me siptomat qe shfaqin.
    Feelings change - memories don't.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    Çfarë është çrregullimi bipolar

    Çrregullimi bipolar, i njohur edhe si çrregullimi maniako-depresiv, depresioni manik ose çrregullimi afektiv bipolar, është një diagnozë psikiatrike që përshkruan një kategori të çrregullimeve të humorit, të përcaktuara nga prania e një ose më shumë episodeve të humorit anomalisht të ngritur, e cila klinikisht quhet mani ose nëse është më e lehtë, hipomani. Personat që përjetojnë episode manike, zakonisht përjetojnë edhe simptoma apo episode depresive ose episode të përziera, në të cilat janë njëkohësisht të pranishme karakteristikat e manisë dhe të depresionit. Këto episode zakonisht veçohen nga periudhat e humorit "normal", por në disa persona, depresioni dhe mania mund të alternohen me shpejtësi. Kjo njihet si cikli i shpejtë. Episodet manike ekstreme, disa herë mund të çojnë në simptoma psikotike të tilla si deluzionet dhe haluçinacionet. Çrregullimi ndahet në bipolar I, bipolar II, ciklotimi dhe lloje të tjera, bazuar në natyrën dhe në intensitetin e episodeve të përjetuara të humorit; shkalla shpesh përshkruhet si spektri bipolar.

    Faktorët gjenetikë kontribuojnë mjaft në mundësinë e zhvillimit të çrregullimit bipolar dhe përzihen edhe faktorët mjedisorë. Çrregullimi bipolar shpesh trajtohet me barna stabilizues të humorit dhe disa herë me barna të tjerë psikiatrikë. Rol luan edhe psikoterapia, shpesh kur ka pasur njëfarë kthimi të stabilitetit. Në rastet serioze në të cilat ekziston rreziku i dëmtimit të vetes ose të të tjerëve, mund të përdoret shtrimi në spital pa miratimin e pacientit; këto raste përgjithësisht kanë episode të rënda manike me një sjellje të rrezikshme ose episode depresive me ide vetëvrasëse. Ekzistojnë probleme të përgjithshme me stigmë sociale, stereotipe dhe paragjykime kundër personave të diagnostikuar me çrregullimin bipolar. Njerëzit me çrregullim bipolar që shfaqin simptoma psikotike, ndonjëherë mund të diagnostikohen gabim sikur vuajnë nga skizofrenia, një tjetër sëmundje e rëndë mendore.

    Termi aktual "çrregullimi bipolar" ka filluar të përdoret kohët e fundit dhe i referohet cikleve midis episodeve (poleve) me humor të ngritur dhe atyre me humor të ulur (polet). Është vëzhguar prej kohësh një lidhje midis manisë dhe melankolisë, megjithëse bazat e konceptualizimit aktual mund të gjenden te psikiatrët francezë të viteve 1850. Termi "sëmundja maniko-depresive" ose psikoza, u krijua nga psikiatri gjerman Emil Kraepelin nga fundi i shekullit XIX, i cili fillimisht i referohej të gjitha llojeve të çrregullimit të humorit. Psikiatri gjerman Karl Leonhard e ndan përsëri klasifikimin në vitin 1957, duke përdorur termat "çrregullimi njëpolar" (çrregullimi depresiv madhor) dhe "çrregullimi bipolar".

    Diagnoza

    Diagnoza bazohet në përjetimet e raportuara nga vetë personi si dhe në anormalitetet në sjellje të raportuara nga anëtarët e familjes, shokët ose bashkëpunëtorët, të ndjekura nga shenjat dytësore të vëzhguara nga një psikiatër, infermier, punonjës social, psikolog klinik ose një klinicist tjetër gjatë një vlerësimi klinik. Ekzistojnë lista me kritere, që një person të diagnostikohet kështu. Kjo varet si nga prania ashtu dhe nga kohëzgjatja e shenjave dhe simptomave të caktuara. Vlerësimi zakonisht bëhet në kushte ambulatore; shtrimi në spital merret parasysh nëse personi përbën rrezik për veten ose të tjerët. Kriteret e përdorura më gjerësisht për diagnostikimin e çrregullimit bipolar, janë nga Manuali Diagnostik dhe Statistik (ang. DSM) i çrregullimeve mendore i Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, versioni aktual i të cilit është DSM-IV-TR, si dhe nga Klasifikimi Statistik Ndërkombëtar (ang. ICD) i sëmundjeve dhe i problemeve shëndetësore lidhur me to nga Organizata Botërore e Shëndetit, aktualisht ICD-10. Kriteret e këtij të fundit tipikisht përdoren në Evropë dhe në rajonet e tjera, ndërsa kriteret e DSM-së përdoren në SHBA dhe rajonet e tjera dhe mbizotërojnë në studimet kërkimore.

    Një vlerësim fillestar mund të përfshijë një vizitë mjekësore nga një mjek. Megjithëse nuk ekzistojnë analiza biologjike që konfirmojnë çrregullimin bipolar, mund të kryhen analiza që të përjashtohen sëmundjet mjekësore të tilla si hipotiroidizmi ose hipertiroidizmi, çrregullimi metabolik, një infeksion sistemik ose sëmundje kronike, si dhe sifilizi ose infeksioni me HIV. Elektroencefalografia mund të përdoret për të përjashtuar epilepsinë dhe tomografia e kompjuterizuar e kokës, për të përjashtuar dëmtimet e trurit. Ekzaminimet përgjithësisht nuk përsëriten për rikthimin e sëmundjes, përveçse nëse ka një indikim mjekësor specifik.

    Ekzistojnë disa çrregullime të tjera mendore, të cilat mund të kenë simptoma të ngjashme me çrregullimin bipolar. Këto përfshijnë skizofreninë,[60] çrregullimin skizoafektiv, helmimi nga barnat, psikoza e shkurtër e provokuar nga barnat, çrregullimi skizofreniform dhe çrregullimi borderline i personalitetit. Si çrregullimi borderline i personalitetit ashtu dhe ai bipolar, mund të përmbajnë ato të cilave i referohemi si "luhatje të humorit". Në çrregullimin bipolar, termi i referohet episodeve ciklike të humorit të ngritur apo të ulur, të cilat përgjithësisht zgjasin javë ose muaj. Në personalitetin borderline, termi i referohet paqëndrueshmërisë dhe reaktivitetit të theksuar të humorit, të njohur si çrregullimi emocional, për shkak të përgjigjes ndaj stresorëve të jashtëm psikosocialë dhe intrapsikikë. Ata mund të lindin ose të qetësohen menjëherë dhe dramatikisht dhe mund të zgjasin sekonda, minuta. orë ose ditë. Depresioni bipolar është përgjithësisht më i përhapur me çrregullim të gjumit, oreksit dhe me humor joreaktiv, ndërsa humori te distimia e personalitetit borderline mbetet mjaft reaktiv dhe çrregullimi i gjumit jo akut. Disa mendojnë se çrregullimi borderline i personalitetit përfaqëson një formë nën kufirin e çrregullimit të humorit; ndërsa të tjerët mbrojnë dallueshmërinë, megjithëse vënë në dukje se ato shpesh bashkekzistojnë.

    Terapitë

    Ekzistojnë një numër teknikash farmakologjike dhe psikoterapeutike të përdorura për çrregullimin bipolar. Personat mund të përdorin vetëndihmën dhe të ndjekin një udhëtim të shërimit personal.

    Mund të bëhet dhe shtrimi në spital, veçanërisht me episodet manike të shfaqura në çrregullimin bipolar të tipit I. Shtrimi mund të jetë i vullnetshëm ose (nëse lejohet nga legjislacioni për shëndetin mendor) i pavullnetshëm ( i quajtur shtrimi pa miratimin e personit). Shtrimet për një kohë të gjatë të pacientëve tashmë janë më pak të zakonshme për shkak të çinstitucionalizimit, megjithëse ndeshen ende. Pas (ose në vend të) shtrimit në spital, shërbimet e disponueshme të mbështetjes mund të përfshijnë qendrat "drop-in", vizitat nga anëtarët e një grupi komunitar për shëndetin mendor ose nga një grup i Ndjekjes Intensive në Komunitet, punësimin e mbështetur dhe grupet e mbështetjes të udhëhequra nga pacienti.

    Mjekimi

    Valproati i natriumit është një stabilizues i zakonshëm i humorit. Elementi kryesor i trajtimit është një bar stabilizues i humorit, i tillë si karbonati i litiumit ose lamotrigina. Ekziston një raport i bazuar në prova, i cili tregon se këto dy barna janë më të efektshmit. Lamotrigina është zbuluar të jetë më i mirë për parandalimin e depresioneve, kurse litiumi është bari i vetëm i vërtetuar që redukton vetëvrasjen te pacientët bipolarë. Këto dy barna përbëhen nga disa përbërës që nuk kanë lidhje, të cilët kanë treguar të jenë të efektshëm në prandalimin e rikthimit të episodeve manike ose në një rast, të episodeve depresive. Stabilizuesi i parë i njohur i humorit dhe "kriter referimi" është litiumi, ndërsa pothuajse po aq shumë i përdorur është valporati i natriumit, i cili përdoret edhe si antikonvulsiv. Në antikonvulsivët e tjerë të përdorur në çrregullimin bipolar përfshihet karbamazepina, e raportuar si më efektive në çrregullimin bipolar me cikle të shpejta dhe lamotrigina që është antikonvulsivi i parë që tregoi të jetë me dobi në depresionin bipolar.

    Trajtimi i shqetësimit të jashtëzakonshëm në episodet manike akute, shpesh ka kërkuar përdorimin e barnave jotipikë antipsikotikë, të tillë si kuetiapina, olanzapina dhe klorpromazina. Kohët e fundit, olanzapina dhe kuetiapina janë miratuar si monoterapi efektive për mbrojtjen nga çrregullimi bipolar. Një provë kontrolli kokë për kokë me zgjedhje të rastësishme në vitin 2005, ka treguar gjithashtu se monoterapia me olanzapine është po aq efektive dhe pa rrezik sa edhe litiumi, për parandalimin.

    Përdorimi i antidepresivëve në çrregullimin bipolar është debatuar, me disa studime që raportojnë një rezultat më të keq nga përdorimi i tyre, i cili shkakton episode manike, hipomanike ose të përziera, veçanërisht nëse nuk përdoret stabilizues i humorit. Sidoqoftë, shumica e stabilizuesve të humorit kanë një efektshmëri të kufizuar në episodet deprevive. Antidepresivët mund të shkaktojnë ose të keqësojnë ciklet e shpejta, përveçse nëse ekziston një trajtim plotësues me një stabilizues humori. Një studim në shkallë të gjerë, zbuloi se depresioni në çrregullimin bipolar nuk i përgjigjet më mirë një antidepresivi me stabilizues të humorit, sesa i përgjigjet një stabilizuesi të vetëm të humorit. Një kërkim i fundit tregon se triacetiluridina mund të ndihmojë në përmirësimin e simptomave të çrregullimit bipolar.

    Edhe topiramati është një antikonvulsiv shpesh i dhënë nga mjekët si një stabilizues i humorit. Ai është një përdorim i paparashikuar (ang. off-label) kur përdoret për trajtimin e çrregullimit bipolar. Për fat të keq, efikasiteti i tij është pothuajse minimal dhe efektet anësore, të tilla si dobësimi i madh i të menduarit, e kufizon dobishmërinë e tij (Kushner, et al. 2006 Bipolar Disorders 8; Chengappa, et al. 2006 J Clin Psych; 6).

    Kur mjekimi shkakton një reduktim të simptomave ose një qetësim të plotë, është e rëndësishme që dikush me çrregullim bipolar të kuptojë se duhet të vazhdojë ta marrë atë bar. Kjo mund të jetë e komplikuar, sepse trajtimi efektiv mund të shkaktojë reduktimin e simptomave manike dhe/ose bari mund të jetë ulës i humorit ose qetësues, duke bërë që personi të ndjejë sikur po asfiksohet ose se bari nuk po bën efekt. Sidoqoftë, nëse bari nuk vazhdohet ka shumë mundësi që të shkaktohet rikthimi i sëmundjes.

    Psikosocial


    Psikoterapia ka si synim lehtësimin e simptomave thelbësore, njohjen e stimuluesve të episodeve, zvogëlimin e emocioneve të shprehura negativisht në marrëdhënie, njohjen e simptomave paraprijëse para rikthimit kulminant të sëmundjes dhe studimin e faktorëve që çojnë në përkrahjen e lehtësimit të përkohshëm. Terapia konjitiv-biheviorale, terapia familjare dhe psikoedukimi, kanë më shumë prova për efikasitetin përsa i përket parandalimit të rikthimit të sëmundjes, ndërsa terapia interpersonale dhe e ritmit social si dhe terapia konjitiv-biheviorale shfaqen si më efektivet përsa i përket simptomave të mbetura depresive. Shumica e studimeve është bazuar vetëm në çrregullimin bipolar I, sidoqoftë edhe trajtimi gjatë fazës akute mund të jetë një sfidë e veçantë. Disa klinicistë theksojnë nevojën për të biseduar me personat që vuajnë nga mania, për të zhvilluar një aleancë terapeutike në mbështetje të shërimit. (www.1ypattmental-health.gr)
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    15 mënyra për ta bërë të lumtur partneren

    Pra jeni në një lidhje dhe femra juaj fillon të ankohet. Ajo ju thotë se nuk po e kuptoni dhe ajo sinqerisht do të dëshironte të bënit “ca gjëra”. Nuk janë të mëdha gjërat që e bëjnë atë të lumtur: nëse u kushtoni më shumë vëmendje detajeve të vogla do të thotë për të shumë. Ajo nuk do vetëm dhurata të shtrenjta-ajo ka nevojë që ju të mendoni për të.

    Ja disa ide që ju ndihmojnë të bëni “ca gjëra të vogla” që ajo i do me të vërtetë:
    1. Fërkoja shputat para se ajo të ju thotë ta bëni këtë gjë. Bëhu se po doni të bëni kështu.
    2. Përgatite darkën ndonjë mbrëmje. Mos e pyet nëse do t`ia përgatisësh darkën. Bëje darkën para se të vijë në shtëpi.
    3. Ndezi dritat që kur ajo të arrijë në shtëpi ta gjejë në ambient të këndshëm në vend se të errësuar e të ndriçuar vetëm me televizor e gjëra të tjera.
    4. Dërgoja një mesazh në mes të ditës duke i shkruar “Më mungon buzëqeshja jote e mëngjesit” apo “Nata e kaluar ishte mahnitëse!” apo “Biseda që patëm mbrëmë ishte madhështore”.
    5. Dërgoja një kartolinë elektronike eCard në mes të ditës... diçka të ëmbël që ia përkujton sa e doni.
    6. Nëse shkon në udhëtim pune, ofroi ta vozitësh deri në aeroport apo shko e merre kur të vijë dhe bëja jetën sa më të lehtë.
    7. Leje ta mbajë digitronin e televizorit edhe ajo nganjëherë. Mos e monopolizo atë. Vetëm jepja dhe ajo të ulet e të kënaqet duke i shikuar emisionet e veta. Pastaj edhe ju mund të gjeni diçka interesante që i pëlqen asaj dhe bisedoni.
    8. Bëji ofertë për t`ia hekurosur këmishën e saj.
    9. Pastroje banjën pa e pyetur më parë. Mos rri ulur e duke injoruar hallakamën nëpër tualet. Nëse nuk e dini ajo çmendet nga kjo, nga uji i stërpikur gjithandej, prandaj fshijeni atë para se ta shohë.
    10. Nëse punoni diçka bashkë me të, mundësojani edhe asaj të bëjë të sajën, mos e “neutralizoni”.
    11. Bëni dush bashkë, pastaj laja flokët, pastroja shpinën dhe bëri masazh. Bëje këtë dhe kënaqu!
    12. Nëse ua dërgon një mesazh, dërgoja edhe ti. Bëje! Mos thuaj do t`ia dërgoj... bëje!
    13. Befasoje duke bërë plane. Thuaj asaj “Do të dalim sonte e dashur”. Mund të dilni vetëm për një kafe apo edhe për të ngrënë darkë bashkë. Marrja e iniciativës është me rëndësi.
    14. Vendos një ditë të javës si ditë takimi. Dilni sikur për të parën herë.
    15. Thirre në mes të ditës dhe thuaj tungjatjeta. Mos prit të ju thërrasë.

    Mund të jetë e thjeshtë ta bëni të lumtur atë. Nuk është e domosdoshme t`i jepni gjëra që kushtojnë vetëm financiarisht. Janë gjëra të vogla.

    (David Wygant)
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    Depresioni dhe zemra

    Shkencëtarët mendojnë se ka një lidhje të rëndësishme mes depresionit dhe sëmundjes së zemrës. Trajtimi standard për depresionin ka përfshirë shpesh antidepresantë dhe psikoterapi. Por një studim i kohëve të fundit në Kanada, i publikuar në Revistën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, tregon se për disa pacientë të sëmurë me zemër, ilaçet mund të jenë më të efektshme se sa seancat këshilluese me psikologun ose psikiatrin.

    Thuhet shpesh se ajo që ndodh në tru, shpesh herë ndikon edhe në zemër. Një zbulim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i një dekade më parë, është edhe sot i vërtetë: njerëzit me depresion kanë më tepër prirjen të sëmuren. Në fakt, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka njoftuar se numri i vdekjeve të pacientëve të moshuar që vuajnë nga depresioni, është 4 herë më i madh se i atyre që nuk janë me depresion, dhe shumica e tyre vdesin nga sëmundje të zemrës, ose nga hemorragjia cerebrale.

    Njërit prej grupeve iu dhanë antidepresantë dhe të tjerët morën pjesë në sesione të përjavshme tek psikiatri. “Dihet prej shumë vitesh se depresioni është shumë i përhapur tek pacientët me sëmundje të zemrës, kështu që ne donim t`i bënim një vlerësim të dy trajtimeve për depresionin”. Doktor Francois Lesperance i Universitetit të Montrealit thotë se rezultatet ishin të habitshme: “Është sikurse të përpiqesh të trajtosh dy çështje në të njëjtën kohë. Vështirësia për t`u përballur me probleme shoqërore dhe strese dhe në të njëjtën kohë të vuash nga sëmundje fizike, kjo ishte një sfidë e madhe për pacientët me sëmundje zemre”, - thotë mjeku.

    Një grup pacientësh morën antidepresantin citalopram, që njihet ndryshe si Celexa dhe Lexapro. Dr. Lesperance thotë se ky ilaç u zgjodh, ngaqë ka rrezikshmëri të ulët për të bërë reaksion me ilaçe të tjera. Ky është një faktor i rëndësishëm për pacientët që vuajnë nga zemra dhe që mjekohen edhe me ilaçe të tjera. Antidepresanti ndihmon në lehtësimin e depresionit, duke shtuar nivelin e substancën serotoninë në tru. “Antidepresantët, që kanë efekt tek sistemi i serotoninës në tru, i ndihmojnë pacientët me depresion, duke përmirësuar simptomat e sëmundjes”, thotë zonja Lesperance. Studiuesit vunë re se kur rritej niveli serotoninës në tru, gjendja psikike e pacientit përmirësohej. Studimi kanadez, po ashtu arriti në përfundimin se pacientët, të cilët shkonin rregullisht në sesionet e përjavshme me mjekun psikiatër, treguan jo më tepër përmirësim se sa një vizitë e shkurtër tek mjeku, për një kontroll minimal.

    Doktor Lesperance thotë se studiuesit, megjithatë nuk ishin të sigurt përse përmirësimi nuk ishte i ndjeshëm: “Biseda për këto çështje duket se ka qenë diçka e vështirë për pacientët e sëmurë me zemër”. Dr. Lesperance ende beson se sesionet e terapisë tek psikiatri janë të vlefshme për shumë njerëz dhe se krahasimi i mëtejshëm i efektit që kanë tek të sëmurët antidepresantët dhe format të tjera të terapisë psikike, është i nevojshëm.
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968

    Monogamia dhe interneti

    Teknologjitë e reja të epokës moderne kanë dekretuar në njëfarë mënyre “fundin” e monogamisë. Kjo është një sentencë e lëshuar në të përjavshmen britanike “The Observer” në një artikull të së cilës citohen libra, opinione dhe sondazhe mbi këtë argument.



    Duke iu referuar këtyre të fundit, gjysma e martesave që bëhen në Evropë dhe Amerikë përfundojnë në divorc dhe shpesh shkaku i parë për një fund të tillë është marrëdhënie jashtë martesore e njërit prej bashkëshortëve. Le të vazhdojmë më pas me çiftet që vendosin të jenë bashkë. 30-40% e tyre, sipas statistikave, janë reciprokisht tradhtarë ndaj njëri-tjetrit, që do të thotë se kanë marrëdhënie të rastësishme ose të vazhdueshme me partnerë të tjerë jashtë martesës. Dhe në fund, ata nuk tradhtojnë bashkëshortët apo partnerët e tyre, të paktën që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, në njëfarë mënyre ëndërrojnë ta bëjnë, pra të lidhen me një partner tjetër. “Të gjitha çiftet që njoh ose kanë lidhje të fshehtë, ose ëndërrojnë që ta kenë”, thotë një psikologe që merret me marrëdhëniet në çift.

    Por e reja e fundit është ajo që ka të bëjë me atë zonën gri që përfaqësohet nga e ashtuquajtura “tradhti digjitale”. Një konsulent britanik i marrëdhënieve familjare, që ka bërë së fundi një libër me titullin: “Si mund të të besoj ty sërish? Tradhtia, nga zbulimi i saj deri në rimëkëmbjen e marrëdhënies”, thotë se teknologjitë e reja e bëjnë më të lehtë pasjen e një marrëdhënieje jashtë çiftit. Po përse? Sepse është një njohje më shumë, një mjet i shpejtë dhe më i mbrojtur për të pasur një marrëdhënie dhe për ta mbajtur atë. Por në të njëjtën kohë është lehtësuar edhe mënyra e zbulimit të një marrëdhënieje të fshehtë të partnerit, duke qenë se e-mail-et dhe mesazhet e celularit lënë gjithsesi gjurmë. Ndërkohë që letrat e dashurisë të së shkuarës mund të griseshin apo digjeshin. Mesazhet aktuale fshihen pas kodeve të fjalëkalimeve, por herët a vonë gjërat merren vesh, për shkak të ndonjë pakujdesie dhe atëherë gjithçka zbulohet dhe pasojat janë të imagjinueshme. Por duke qenë se njerëzit në përgjithësi janë shumë të zënë me punë, preferojnë që shpesh të kenë thjesht marrëdhënie platonike me persona që jo detyrimisht kanë një aspekt fizik. Kjo mund të ndodhë mes kolegëve të punës. Mes dy personave të njohur rastësisht, mes dy prindërve që çojnë fëmijët në të njëjtën shkollë apo në të njëjtin kurs. Në komunikime të tilla ata nuk ndihen shumë në faj, sepse në shumë prej tyre nuk shkëmbejnë të puthura, përkëdhelje, dashuri fizike. Megjithatë është një raport, një marrëdhënie që e kultivojnë në fshehtësi dhe në padijeni të partnerit zyrtar që kanë. Kjo është një marrëdhënie që nëse do t`ua zbulonin, do të ndiheshin keq dhe ndoshta në faj.

    Sigurisht që këto lloj marrëdhëniesh ekzistonin dhe në të shkuarën, veçse aktualisht me shpikjen dhe futjen në lojë të teknologjive të përparuara intensiteti i tyre është rritur shumë. Në njëfarë mënyre lidhje të tilla me mesazhe janë shndërruar në nje lloj droge për shumë njerëz. Ata kanë krijuar varësi ndaj komunikimit, nga nevoja që kanë që dikush t`ua dëgjoj problemet dhe ata t`ia thonë dikujt të tyret. Madje ka nga ata që nuk mund ta imagjinojnë ekzistencën e tyre pa një realitet të tillë virtual.

    “Përcaktimi i tradhtisë është zgjeruar”, thuhet në revistën britanike. Ka shumë raste në jetën e përditshme që flasin për lidhje që zhvillohen vetëm nëpërmjet internetit, celularit dhe mjeteve të tjera të teknologjisë. “Bëhet fjalë për një intimitet të një lloji të ri që kontribuon në zgjerimin e kufijve të vjetër të tradhtisë bashkëshortore. Ka nga ata psikologë që mendojnë se ndoshta nëse njerëzit do të çliroheshin nga mendësitë morale të së shkuarës do të mund që t`i përdornin në të mirë të lidhjeve të tyre këto të ashtuquajtura “devijime”. E njëjta që ndodhi edhe lidhur me tabutë paramartesorë. Në një pikë të historisë Perëndimi arriti që të thyente tabutë për sa u përket marrëdhënieve seksuale paramartesore, pra atë të mbërritjes në altar të virgjër. Ndoshta etapa e ardhshme, në një të ardhme jo shumë të largët, që tashmë po përvijohet përmes disa mënyrave të jetesës, do të na çojë në thyerjen e tabuve brenda martesës dhe kryesisht atë të tradhtisë bashkëshortore.

    Monogamia, ose ajo që ka mbetur prej saj, mund të përfundojë shumë shpejt nga një zile telefoni, sms, apo e-mail. Ndoshta lidhja do të mbetet virtuale dhe platonike, por jo më pak e rrezikshme se një lidhje fizike dhe po aq e fshehtë dhe njëherazi romantike sa një lidhje e mirëfilltë. I famshmi Oskar Uajld thoshte: “Të paktë janë ata që e kuptojnë se në një martesë dyshe ka vetmi dhe se shoqërizimi fillon vetëm kur hyn personi i tretë”. Por sot me kompjuterin mbi tavolinë dhe celularin në xhep, një shprehje të tillë e kanë kuptuar pothuajse të gjithë. (Shqip)
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968

    A është lumturia çështje gjenetike?

    Psikologët mendojnë se lumturia është e lindur, pra gjenetike. Pa marrë parasysh se çfarë ndodh në jetën tonë, ne do të jemi të lumtur aq sa ajo “është e shkruar në gjenet tona”.



    Sipas psikologut Dejvid Liken, që ka publikuar dhe një libër mbi këtë temë: “është shumë mirë që shumica e njerëzve në thelb janë të kënaqur me jetën e tyre sipas një konceptimi personal të kënaqësisë”. Sipas tij “te shumë njerëz ekzistojnë mendime të gabuara dhe kontradiktore mbi atë se si mund të arrijnë fatin dhe lumturinë në jetë. Për shumë nga ata, pasuria, bukuria, fuqia apo pozita janë vendimtaret, që mund të bëjnë njeriun të lumtur. Por kujdes! Kjo nuk është edhe aq e vërtetë!

    Nëse ndihesh gjithnjë e më shumë përtokë ndiq këto këshilla:
    - Punëso mendjen!
    Njerëzit fatlumë kanë mendje krijuese dhe aktive.

    - Mendo me optimizëm
    Të gjithë njerëzit e lumtur janë optimistë. Optimizmi mund të kultivohet. Pesimisti vazhdimisht ankohet përderisa optimizmi përqendrohet në zgjidhje të problemit.

    - Qesh!
    Është fizkultura e mendjes, shpirtit dhe trupit.

    - Fantazo!
    Imagjinata është një nga mënyrat e mira për të mashtruar trurin.

    - Shpërfill mendimet negative!
    Përpiquni që çdo mendim negativ ta shndërroni në atë pozitiv. Mendimet negative sjellin apati dhe gjendje depresioni.

    - Zgjidh shoqërinë!
    Ekzistojnë shokë të gabuar për gjendjen tuaj shpirtërore. Ata vazhdimisht ankohen për diçka, vazhdimisht ju kritikojnë. Largohuni nga njerëzit që veçse u kujtojnë se jeta është e vështirë.

    - Rregulli i artë!
    Mbani mend këtë fakt. Edhe pas ngjarjes më të keqe të mundshme që mund t`ju ndodhë, rikthimi në normalitet vjen për gjashtë muaj apo një vit.

    - Bëj atë që të pëlqen!
    Merruni me gjëra të vogla që ju kënaqin dhe relaksohuni.
    Po si?
    - Pushoni para se të lodheni
    - Qetësohuni edhe në punë
    - Femrat duhet ta kenë parasysh se relaksimi i shpeshtë i bën të duken të reja.

    Ja edhe disa sekrete të vockla për të ndjerë lumturi dhe në punë:
    - Largoni nga tavolina e shkrimit letrat e panevojshme. Mbaj vetëm ato që kanë të bëjnë me punët e ditës.
    - Kryeni punët sipas rëndësisë.
    - Mësohuni ta organizoni punën, t`u japësh detyra bashkëpunëtorëve dhe të dish të mbikëqyrësh punën e tyre.
    - Punoni me entuziazëm. Entuziazmi në punë të bën ta lësh mënjanë lodhjen dhe brengën. (Spektër)
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    Ndihma psikologjike për të sëmurët nga kanceri

    Ndihma psikologjike ofruar të sëmurëve nga kanceri zvogëlon sasinë e stresit, pacientëve u ndihmon në pranimin e sëmundjes, u lehtëson ballafaqimin me sëmundjen dhe u zgjat jetën.

    Edhe pse e dimë se kanceri shfaqet në shumë forma, që simptomat, prognoza, shërimi dhe përfundimi mund të dallojnë shumë nga njëri tek një i sëmurë tjetër. Kështu që vetë diagnostikimi me kancer ndikon në diskonim të keq dhe rënie të sistemit imun. Sikurse që mbajmë shpresa për shërim pas një lëndimi të vogël, po ashtu duhet mbajtur shpresat se edhe kjo sëmundje mund të mposhtet. - Nga ana tjetër, nëse është e vërtetë se një kanceri shtyp ndjenjat, atëherë çfarë na mbetet tjetër veçse t’ia pranojmë vetvetes ndjenjat dhe të pranojmë ndihmën e të tjerëve. Nuk po flasim për kërkimin e fajtorit, por për të treguar se sa shumë duam njëri tjetrin, jemi të frikësuar, që duam jetën dhe se deri në fund do të luftojmë kundër kësaj sëmundjeje. Pra, duhet që lajmin ta pranoni me rezervë, që të jeni të fortë, si dhe të keni besim në vete e po ashtu edhe tek tjerët, se kjo është vetëm një sëmundje e cila mund të shërohet me ndihmën e mjekëve, terapisë, barnave si dhe me shtimin dhe besimin në vetveten tuaj. /Ap/
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    Stresi nuk ka ndikim të madh në peshën trupore

    Në kundërshtim me pohimet e popullit, stresi ka ndikim shumë të vogël në peshën trupore, sugjeron hulumtimi i ri i kryer në kolegjin Londra.

    Disa hulumtime të mëhershme kanë treguar se stresi mund të ndikojë në konsumimin e të ashtuquajturit ushqim i shpejtë dhe po ashtu zvogëlon aktivitetet fizike trupore, duke mundësuar shtimin në peshë.

    Mirëpo, analizat e reja mbështeten tek 32 hulumtime paraprake, ku për një periudhë të gjatë kohore vërehet se stresi nuk ndikon në shtimin në peshë.

    Në disa prej analizave, pjesëmarrësit ishin vëzhguar me vite të tëra, përderisa stresi kishte pasur shumë pak ndikim në peshën trupore.

    Ekspertët theksojnë se stresi mund të ketë ndikim të llojllojshëm, te disa persona mund të sjellë konsumim më të madh të ushqimit, e te disa të tjerë mund të shkaktojë rënien e oreksit. (Kosova sot)
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

  10. #10
    i/e regjistruar Maska e Dar_di
    Anëtarësuar
    16-08-2008
    Vendndodhja
    Dardani e lashtë (Oeneum), aty ku ajri i freskët më bën të ndihem i relaksuar.
    Postime
    1,968
    Si të heqësh qafe mashkullin që nuk e dëshiron

    Të shtunën në mbrëmje, në diskotekë, ai ishte mbreti i pistës dhe ti e ke ndjekur nga pas hap pas hapi. Të nesërmen në mëngjes sapo ai ka hapur gojën, ti ke shtangur, vetëm lexon gazetën dhe mendon si një fëmijë. Një burrë aspak në stilin tënd. Por si ta heqësh qafe në mënyrën më pak të dhimbshme?

    1. Skenarët

    Ja disa sugjerime:

    Në një manifestim: Kur thua fjalët "bastard" dhe "ka marrë fund" shikoje drejt e në sy, " lufto" për kauzën tënde personale.

    Në një ceremoni mortore: "E shikon, çdo gjë e ka një fund dhe lidhja jonë nuk funksionon ashtu siç duhet..."

    Në diskotekë, apo restorant: "Të pëlqen ajo biondja atje? Po, është gruaja perfekte për ty”.

    Në një bar, në vendin ku shihen disa adoleshentë dhe një çift i moshuar: "Jemi tepër të rinj për t'u sjellë si dy pleq"

    2. Fjalët

    Përgatit me kujdes fjalimin tënd:

    "Ti je ai tip burri të cilin unë e kam ëndërruar që të kaloj jetën me të. Por për mua është shumë shpejt: nuk ndihem gati për një lidhje kaq të ngathët".

    "Uau, ishte vërtet fantastike të kaloje natën me ty. Jo me të vërtet, je padyshim ndër meshkujt më të mirë që kam patur. Jam e sigurt që do të rishikohemi përsëri në të
    ardhmen, kam dhe numrin tënd të celularit".

    "E di që je tamam tipi i preferuar i mikes time...? Ajo është një bombë e vërtetë dhe jam e sigurt që do të shkonit shumë bashkë. Ja ku e ke dhe numrin e celularit të saj".

    "Për një periudhë 10 vjeçare, kur ti të kesh mësuar si të gatuash, si të rregullosh banesën tënde dhe të kesh argumente të tjera bisede përveç futbollit, mund të bëhesh burri ideal që unë kërkoj. Si thua do të caktojmë një takim"?

    "Nuk ndihem në lartësinë e duhur për një lidhje me një burrë si ty: Je tepër perfekt për mua".


    3. Objektet

    Dhuro një libër sensual për femra, dhe bashkë me të një faqe-shënuese në mënyrë që ai të shënojë paragrafët më të rëndësishme të cilat duhen parë me kujdes.

    Një puzzle me 10000 copë, e shoqëruar me një mënyrë shpjegimi sa më të ëmbël në të cilën ti do t'i tregosh atij që kjo lojë do ta ndihmojë të kalojë një natë të vetmuar.

    Një ftesë në një nga festat vetëm për "beqarë" dhe një udhërrëfyes që ai të mësojë se si të rigjejë veten e tij diku tjetër.

    4. Dinakëritë

    Nuk do të lëndosh krenarinë e tij? Ke frikë nga reagimi i tij? Le ta marrë ai iniciativën. Ja sesi:

    Në piceri, ngrihu në këmbë pasi të kanë sjellë porosinë dhe fillo të ankohesh me zë të lartë.

    Tregoji për mëkatin më të shëmtuar që ti ke kryer në jetën tënde.

    Thuaji babait tënd të caktojë një takim me babain e tij dhe në qendër të bisedës të jenë temat mbi moralin dhe gjendjen financiare të "dhëndrit" të ardhshëm.

    Ftoje në një nga qendrat kulturore dhe bëje pjesë të një debati në të cilin ai do të ndihet krejtësisht injorant.

    Organizo një darkë ku përveç tij të ftuar të jenë dhe ndonjë nga ish-at e tu.
    Nëse është një tip serioz, dhuroji një palë të mbathuara të tipit slip lëkurë leopardi dhe tregoji të gjithë aksesoret e tu më të "pisët".

    Bëje të besojë që ti je biseksuale dhe që këtë darkë ti do të dalësh me të dashurën tënde.

    5. Lotët

    Funksionale në një skenë ndarjeje është dhe efekti i përlotjes. Është një nga armët më të forta femërore që nuk del kurrë nga moda dhe i demonstron mashkullit që kjo ngjarje të turbullon. Por kujdes mos e tepro, mos e bëj shumë tragjike. /Telegrafi/
    "Fet` e besëtë t`i kemi, po të ndarë të mos jemi." Naim Frashëri

Faqja 0 prej 5 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •