Tiranë, 6 tetor - Të akuzuar për korrupsion, në Tiranë, arrestohen katër persona, në mes të cilëve një kancelare e një avokat, si dhe dy sekserë.
Arrestimet e tyre janë bërë sot nga Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Korrupsionit Tiranë, pas një hetimi intensiv 11 mujor, në kuadër të operacionit "Liria në provë", raporton BalkanWeb.
Këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë angazhuar në veprimtari korruptive duke ndërmjetësuar dhe duke siguruar ndërhyrje përkundrejt shpërblimeve ndaj personave që ushtrojnë funksione publike dhe funksionarëve të drejtësisë, në favor të personave të dënuar.
Burime nga policia bëjnë të ditur emrat e të arrestuarëve. Kështu, në pranga ka përfunduar: Adriana Halim Xeba (45), e lindur në Ersekë dhe banuese në Tiranë, me detyrë inspektore e regjimit të brendshëm të Spitalit të Burgut pranë QSUT-së. Flutura Kurt Meço (40), e lindur në Krujë dhe banuese në Tiranë, me detyrë Kancelare e Gjykatës të Rrethit Gjyqësor në Krujë. Almir Izaet Meço (46), lindur në Elbasan dhe banues në Tiranë, me profesion avokat, i cili është dhe bashkëshorti i kancelares së Gjykatës. Edmond Rami Kalaja (48), lindur dhe banues në Shkodër, me biznes privat, lidhje e të dënuarve.
Sipas policisë, hetimet do të vijojnë intensivisht edhe në ditët në vazhdim për vënien para drejtësisë të të gjithë personve të implikuar në veprime korruptive dhe shkelje të tjera penale.
Krijoni Kontakt