Kleopatra: E kujdesshme dhe mendjendritur, në kërkim të mbretëreshës së vërtetë

01/10/2010



Dy biografi të reja hedhin dritë mbi fakte të tjera për jetën e sovranes së Egjiptit. Mbretëresha e bukur pati vetëm dy të dashur dhe nuk vdiq nga pickimi i gjarprit

Në fund të fundit kishte të drejtë Asteriksi, ose më mirë autorët e tij, Rene Goscinny dhe Albert Uderzo, që në librin e aventurave të heroit më të famshëm të të gjitha kohërave, i kishin vënë përkrah një heroinë shumë inteligjente dhe kreative: Kleopatrën, Mbretëreshën e Egjiptit. Në faqet e atij libri, dy autorët nxirrnin në dritë një sovrane që pëlqente artet, kapriçoze, por edhe inteligjente dhe e vendosur: një grua shumë ndryshe nga ajo që historiografia romake na ka servirur: “ngrënëse burrash” dhe mashtruese. Që kishte të drejtë Asteriksi dhe jo historianët e perandorisë, këtë e mbështesin edhe dy libra të dalë thuajse në të njëjtën kohë në Angli: diplomatike, administratore e kujdesshme, komandante e flotave detare, e aftë të fliste gjashtë gjuhë të huaja, eksperte në artin orator, ashtu si në atë të arkitekturës dhe hidraulikës, Kleopatra që Duanne W.Roller (“Cleopatra -A Biography”) dhe Adrian Goldworthy (“Anthony and Cleopatra”) tregojnë për një grua të fortë dhe të pavarur në një botë të dominuar nga meshkujt. Një grua që shihte te vetja të drejtën për të qenë mbretëreshë, ndryshe nga gratë romake që kishin influencë vetëm nëse ishin nënat apo gratë e burrave të fuqishëm. Por mbi të gjitha ajo nuk ishte aq joshëse, ashtu siç e kishin treguar: “Në 18 vjet kishte pasur vetëm dy burra në jetën e saj”, shkruan Roller. “Ka shumë mundësi që të ishte e virgjër kur takoi Çezarin”, këmbëngul Goldsworthy. Për të përfunduar, të dy autorët bien në një mendje teksa thonë se sovrania ishte shumë inteligjente për t’ia besuar vdekjen që e dëshironte aq shumë një gjarpri. Me prejardhje greke dhe vetëm një e katërta egjiptiane (një tjetër mit i rrëzuar), Kleopatra u bë mbretëreshë (bashkë me të vëllain që doli në skenë pas një konflikti të ashpër) rreth viteve pesëdhjetë para Krishtit, një moment kur vetëm mbështetja e perandorisë romake mund t’i garantonte mbretërisë së saj mbijetesën. Diplomacinë e kërkoi duke u mbështetur te meshkujt më të fuqishëm të kohës së saj: në fillim Çezari dhe pastaj Antoni. Çezari, tregon Goldsworthy, ishte dashuria e saj e parë dhe babai i fëmijës së saj të parë: lidhja mes të dyve ishte e shkurtër dhe u mbyll pa shumë bujë. E ndryshme ishte dashuria me Antonin: një pasion me plot ulje-ngritje që i dha tre fëmijë. Por dashuria, sipas asaj që shkruhet në të dy librat, përbënte vetëm një “faqe” të jetës së sovranes. Kleopatra punoi gjithë jetën për t’u përpjekur që t’i siguronte në planin e brendshëm mbretërisë së saj të njëjtin stabilitet që në planin e jashtëm kërkonte nga aleanca politike me Romën. Dëshmitë e asaj epoke tregojnë se në jetën e saj ka pasur momente të gjata qetësie. Megjithatë shumë prej tyre rrëfejnë se ishte një grua e kujdesshme, e angazhuar të luftonte urinë dhe e shqetësuar për mirëqenien e atyre që e rrethonin. Duke ndjekur traditën greke, në të njëjtën kohë ndërtoi struktura moderne (Fari i Aleksandrisë u rikonstruktua krejtësisht nën mbretërinë e saj) dhe mbështeste artistët, astrologët, poetët, inxhinierët dhe shkencëtarët që ndiheshin shumë mirë në oborrin e mbretërisë së saj. Për këtë arsye shumë nga risitë që Çezari dëshironte të fuste në Romë pas kthimit nga qëndrimi i gjatë në Lindje (mes të cilave një bibliotekë), sipas historianëve, i detyrohen së dashurës së tij. Faqet e librit të Goldsworthy përballen në mënyrë më të drejtpërdrejtë me gruan dhe mitin e saj: Kleopatra ishte e bukur siç thuhet? Lëkura e saj ishte e bardhë për shkak të prejardhjes greke, apo me ngjyrë të errët, trashëguar nga e ëma egjiptiane? E donte vërtet Antonin, apo qëndronte e lidhur me të për shkak të një pakti politik? Më shumë se sa jep përgjigje, autori mbështetet te hipotezat. Ai na ndihmon të orientohemi në labirintin e pafund të ngjarjeve kur shpjegon se miti i Kleopatrës si “ngrënëse burrash” nisi kur Mbretëresha ishte ende gjallë: ishte Oktaviani që akuzonte rivalin e tij, Antonin, se ishte skllav i një gruaje joshëse, ai që e nisi këtë histori. Megjithatë, për momentin është e pamundur të japësh një përgjigje të saktë. Kapriçoze apo e paqëndrueshme, sidoqoftë, Kleopatra ishte një mbretëreshë e madhe.

Pickimi i gjarprit?

Mbretëresha e fundit mitike e Egjiptit të lashtë vrau veten për të mos u burgosur në Romë si pre e luftës. Versioni i vrasjes së saj, i treguar nga Plutarku dhe filmat mitikë të Hollivudit, duhen lexuar sërish. Në fakt, historia na rrëfen se Kleopatra vdiq e helmuar nga pickimi i një gjarpri, ose më saktë nga kobra egjiptiane. Sipas dy studiuesve të Antikitetit, Christoph Schaefer dhe toksikologut Dietrich Mebs, ky version i vdekjes nuk është i vërtetë. Helmi i gjarprit do t’i kishte shkaktuar Kleopatrës një vdekje të ngadaltë pas disa orësh vuajtje mizore dhe ajo e dinte mirë këtë gjë. Kështu që ka gjasa të ketë përgatitur një lëng helmues, një përzierje kokute dhe opiumi, për një vdekje të menjëhershme dhe më pak të dhimbshme. Për të mbuluar gjurmët, ajo sajoi një tjetër alibi, duke krijuar kështu legjendën e helmit të gjarprit, që të mbetej në kujtimin e përjetësisë. Prej më shumë se dymijë vjetësh, legjenda e Kleopatrës është shkruar në shumë libra dhe transmetuar në dhjetëra filma hollivudianë, duke u treguar nga Plutarku e duke u interpretuar nga Liz Tejlor. Le ta kujtojmë edhe një herë shkurtimisht historinë. Mbretërisë së Kleopatrës po i vinte fundi. I dashuri i saj, Mark Antoni, i mundur nga Perandori Oktaviani në luftën civile, që pasoi me vrasjen e Çezarit, i dha fund jetës. Ishte gushti i vitit tridhjetë para Krishtit. Kleopatra ishte mbyllur në pallatin mbretëror, sepse e dinte fundin e fatit të saj: do të burgosej dhe më pas do të dërgohej në Romë në mënyrën më poshtëruese të mundshme nga romakët fitimtarë. Dhe çfarë bëri atëherë Mbretëresha më e bukur e botës së lashtë? Sipas versionit tradicional, iu dërgua një shportë me fiq të freskët, brenda së cilës ishte fshehur me vullnetin e saj një gjarpër që e pickoi dhe i shkaktoi vdekjen e menjëhershme. Sipas dy studiuesve, Schaefer dhe Mebs, ka shumë gjasa që Kleopatra të ketë përgatitur një lëng helmues për ta pirë dhe të kishte një vdekje më pak të dhimbshme. “Në mbretërinë e saj, mjeshtërit e helmeve ishin me shumicë dhe Kleopatra ishte një grua tepër e zgjuar për të përballuar një vdekje mizore si ajo e shkaktuar nga helmi i një gjarpri”, bën të ditur Schaefer. Kështu ajo vendosi që të gënjente në momentin më kulminant, duke i dhënë fund jetës dhe duke lënë në histori një version të rremë mbi vdekjen e saj. Nuk ka dyshim që kjo është një gënjeshtër me bisht, megjithatë e çfarë nuk mund t’i falet një gruaje të bukur dhe tepër të zgjuar si ajo.

shqip